Kandidati për deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës Shaban Osmanaj, ka reaguar pas publikimit të rezultateve preliminare të zgjedhjeve të 7 qershorit.
Përmes një postimi publik, Osmanaj ka vlerësuar mbështetjen e votuesve, ndërsa ka shprehur zhgënjimin e tij për mungesën e përfaqësimit të drejtpërdrejtë të rajonit të Hasit në institucionet qendrore.
Ai ka shkruar se në Rajonin e Hasit, Lëvizja Vetëvendosje ka marrë mbi 3.500 vota, ose më shumë se 40 për qind të votave, ndonëse sipas tij nuk kishte asnjë kandidat nga kjo zonë.
“Megjithatë, qytetarët e Hasit zgjodhën masivisht një subjekt politik që nuk kishte asnjë kandidat nga kjo trevë, ndonëse vetëm pak ditë para zgjedhjeve ishte deklaruar se ekzistojnë “katër Hasa”, e jo një Has i vetëm”, ka shkruar Osmanaj.
Postimi i plotë:
Të dashur bashkëvendës të mi,
Ju votues Hasjan,
Pas shpalljes së rezultateve preliminare, në Rajonin e Hasit Lëvizja Vetëvendosje mori mbi 3.500 vota, ose më shumë se 40.04% të votave, pa pasur asnjë kandidat nga kjo zonë.
Në anën tjetër, Lidhja Demokratike e Kosovës kishte nominuar z. Shaban Osmanaj, me mbi 20 vjet përvojë në shëndetësi dhe administratë publike, Partia Demokratike e Kosovës kishte nominuar znj. Lajde Kolgjeraj dhe z. Hysni Muhadri, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kishte nominuar z. Durim Halilaj, të gjithë me përvojë të dëshmuar profesionale dhe institucionale.
Megjithatë, qytetarët e Hasit zgjodhën masivisht një subjekt politik që nuk kishte asnjë kandidat nga kjo trevë, ndonëse vetëm pak ditë para zgjedhjeve ishte deklaruar se ekzistojnë “katër Hasa”, e jo një Has i vetëm.
Prandaj, si biri juaj, kam të drejtën morale, intelektuale dhe qytetare të shtroj disa pyetje:
A u votua Vetëvendosja sepse nuk e pa të arsyeshme të nominojë asnjë kandidat nga Hasi?
A u votua sepse Hasi vazhdon të mbetet pa përfaqësim të drejtpërdrejtë në institucionet qendrore?
A u votua përkundër faktit se rruga rajonale Landovicë–Bishtazhin, e premtuar dhe e propaganduar si e përfunduar, vazhdon të mbetet në gjendje të papranueshme?
A u votua përkundër mungesës së një stacioni policor që do të garantonte më shumë siguri për qytetarët?
A u votua përkundër faktit se objekti i zjarrfikësve ekziston, por vazhdon të mos funksionojë, duke lënë një rajon të tërë prej 37 kilometrash pa mbrojtje adekuate nga zjarret?
A u votua përkundër zotimit tim për të iniciuar krijimin e Komunës së Hasit, si një kërkesë e kahershme e banorëve të kësaj zone?
A u votua përkundër zotimit tim për rregullimin e shtratit të Drinit të Bardhë dhe shndërrimin e tij në një zonë të rëndësishme turistike?
A u votua përkundër zotimit tim për një projekt për zhvillimin turistik të Pashtrikut, me teleferik dhe infrastrukturë moderne që do të krijonte mundësi të reja ekonomike, turistike dhe kulturore për Hasin?
Këto pyetje nuk i shtroj nga mllefi ndaj askujt, por nga zhgënjimi i thellë që një rajon me potencial të jashtëzakonshëm vazhdon të mbetet pa zërin dhe përfaqësimin që meriton.
E respektoj vullnetin e çdo votuesi, por nuk mund ta fsheh pakënaqësinë time që Hasi, edhe një herë, zgjodhi të mbështesë ata që nuk e panë të nevojshme ta përfaqësojnë me kandidatët e vet.
Me respekt,
Dr. Shaban Osmanaj, kandidat për deputet në Kuvendin e Kosovës