Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar ish-ministrin e Infrastrukturës, Pal Lekaj, me 3 vjet e 8 muaj burgim efektiv në rigjykimin për rastin e njohur si “53-milionëshi”.
Lekajt i është shqiptuar edhe dënimi plotësues me ndalim të ushtrimit të funksioneve publike në administratën apo shërbimin publik për 3 vjet e 6 muaj.
Fajtorë për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar janë shpallur edhe ish-këshilltari politik Eset Berisha, ish-sekretari i përgjithshëm Nebih Shatri dhe ish-drejtori i Prokurimit Publik, Besim Tahiri.
Eset Berisha është dënuar me 3 vjet e 3 muaj burgim, ndërsa Nebih Shatri dhe Besim Tahiri janë dënuar me nga 1 vit e 8 muaj burgim.
Ndaj Berishës është shqiptuar edhe ndalimi për ushtrimin e funksionit publik për 3 vjet, kurse ndaj Shatrit dhe Tahirit ky ndalim është caktuar në kohëzgjatje prej nga 2 vjetësh.
Çështja ishte kthyer në rigjykim pasi Gjykata e Apelit e kishte anuluar aktgjykimin e parë të Gjykatës Themelore, të shpallur më 31 janar 2024. Edhe në procesin e parë, katër të akuzuarit ishin dënuar gjithsej me 10 vjet e 3 muaj burgim.
Rasti lidhet me pagesën shtesë prej 53.1 milionë eurosh për konsorciumin “Bechtel & Enka”, për shkak të zgjatjes së afatit të punimeve në autostradën Prishtinë–Hani i Elezit, e njohur si autostrada “Arbën Xhaferi”.
Sipas aktakuzës së ngritur më 4 shkurt 2022, Prokuroria Speciale pretendon se Lekaj, në cilësinë e ministrit të Infrastrukturës, Berisha si këshilltar i tij, Shatri si sekretar i përgjithshëm dhe Tahiri si drejtor i Prokurimit Publik, kishin vepruar në bashkëkryerje dhe me dashje gjatë ndarjes së mjeteve.
Pas shpalljes së aktgjykimit, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës deklaroi se e mirëpret vendimin fajësues edhe në rigjykim.
Sipas Prokurorisë, aktgjykimi paraqet një hap të rëndësishëm në forcimin e sundimit të ligjit dhe në garantimin e ndëshkueshmërisë në rastet e korrupsionit të nivelit të lartë.
“Prokuroria Speciale riafirmon përkushtimin në luftën kundër korrupsionit, si dhe ndjekjen penale të të gjithë kryerësve të mundshëm”, thuhet në reagim.
Aktgjykimi i shpallur nga Gjykata Themelore nuk është i formës së prerë dhe ndaj tij palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.