Kuvendi konstituohet pa nënkryetarin e PDK-së, votohet një kandidate e Listës Serbe

Aktuale

Kuvendi konstituohet pa nënkryetarin e PDK-së, votohet një kandidate e Listës Serbe

Më: 13 shtator 2026 Në ora: 07:38 Përditësuar në ora: 10:25 më 13.09.2026
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, gjatë seancës konstituive të mbajtur më 9 gusht.

VV dhe LDK hyjnë në Kuvend

Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë nisur të hyjnë në Kuvend, ku pritet të mbahet seanca.

Në Kuvend janë parë edhe deputetë të LDK-së.

Ndërkohë, nga Partia Demokratike e Kosovës është bërë e ditur se deputetët e saj nuk do të marrin pjesë në seancat e Kuvendit,.

Ndërsa çështjen do ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese.

​Rexhaj: LVV ka bërë kompromisin e fundit, Kuvendi duhet të konstituohet

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexhaj, ka thënë se partia e tij ka bërë kompromisin e fundit për zhbllokimin e konstituimit të Kuvendit, duke u bërë thirrje partive të tjera që të propozojnë emrat për nënkryetarë dhe të ecet përpara me formimin e institucioneve.

Para fillimit të vazhdimit seancës konstituive të Kuvendit, Rexhaj ka deklaruar se, nëse Kuvendi do të konstituohej pa një marrëveshje politike, vendi do të shkonte drejt zgjedhjeve të reja.

Rexhaj: LVV e ka bërë kompromisin e fundit që të vijnë ata të propozojnë emrat dhe të ecim përpara

“Dje ka pas një mbledhje të kryesisë dhe megjithatë mendoj se LVV e ka bërë kompromisin e fundit në kuptimin që të vijnë ata të propozojnë emrat dhe të ecim përpara”, tha Rexhaj.

Ai është pyetur edhe për mundësinë e një takimi mes Kurtit, Bedri Hamza dhe Lumir Abdixhikut, por nuk ka dhënë detaje konkrete për një takim të tillë.

I pyetur nëse LVV po synon zgjedhjet e reja, Rexhaj e ka mohuar një gjë të tillë.

Sipas tij, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka tentuar të komunikojë me partitë opozitare për tejkalimin e situatës.

Rexhaj: Kurti perhere po ju dërgon mesazhe, pra, po ka tentim për të komunikuar qoftë me PDK-në, LDK

“Kurti përherë po ju dërgon mesazhe, pra, po ka tentim për të komunikuar qoftë me PDK-në, LDK-në dhe Aleancën, nuk jam I sigurt, mirëpo besoj se po... Jo, sepse, ata kanë mundur të zhbllokojnë konstituimin e kuvendit duke i ndërruar emrat e nënkryetarëve, kanë mundur lehtësisht që kuvendi të konsituohet para dy dite, ka qenë në dorën e tyre. Nëse flasim për strategji politike rreth konstitiuimit, rreth datës se kur do të konstituohet kuvendi, ata e kanë pas në dorë konstituimin para dy dite. Pra, duke i ndërruar kryetarët kanë mundur të konstituojnë kuvendin para 48 orëve”, theksoi Rexhaj.

Rexhaj ka thënë se marrëveshja politike me LDK-në është valide, pavarësisht që gjashtë deputetë të kësaj partie kanë deklaruar se nuk do të marrin pjesë në votim.

Rexhaj: Konstituimi i Kuvendit pa marrëveshje do ta dërgonte vedin drejt në zgjedhje

“Nëse konstituimi i kuvendit bëhet pa një marrëveshje politike, do të dërgonte drejt në zgjedhje, tash ke një marrëveshje politike, ke një marrëveshje valide, me LDK-në, ani pse 6 deputetët e LDK-së thonë se nuk marrin pjesë, nuk votojnë, është çështje e tyre. Mirëpo, tash kjo ka arsyeje për të thirr një seancë dhe me vazhdua me konsituimin e kuvendit dhe themelimin e institucioneve”, tha ai. 

Murati: Problemi nuk ishte te konstituimi, por te çështja e presidentit

Deputeti Hekuran Murati nga VV tha se problemi nuk ka qenë tek seanca e konstituimit por te çështja e presidentit.

E për ta zgjedhur këtë çështje, thotë se ata bënë një marrëveshje me LDK-në.

Murati:Kemi një marrëveshje me Lidhjen Demokratike të Kosovës, megjithëse jo e plotë

"Në vullnet, pra për ta zgjidhur këtë çështje, ne jemi munduar dhe kemi konsideruar që është e nevojshme që para konstituimit të ketë një marrëveshje. Tashmë kemi një marrëveshje me Lidhjen Demokratike të Kosovës, megjithëse jo e plotë nga ana e grupit të tyre parlamentar, sepse siç edhe jeni dëshmitarë, pra ka deputetë të cilët janë deklaruar se jo domosdoshmërisht mbështesin atë marrëveshje", tha ai.

Po ashtu, në kuadër të konstituimit të institucioneve, Murati tha se në mbledhjen e mbrëmshme të Kuvendit kanë vendosur të vazhdojmë tutje.

Murati: Në mbrëmjen e kaluar dhe vendosëm pra që të vazhdojmë tutje

"Në kuadër të kësaj dhe të interesuar që të ketë konstituim të Kuvendit dhe formim të institucioneve, ne e mbajtëm një mbledhje të Kryesisë në mbrëmjen e kaluar dhe vendosëm pra që të vazhdojmë tutje, duke marrë parasysh se është e nevojshme që vendi të ketë institucione", tha ai.

​PDK nuk merr pjesë në vazhdimin e seancës konstituive

Partia Demokratike e Kosovës nuk do të merr pjesë në vazhdimin e sotëm të seancës konstituive të Kuvendit.

PDK përmes një komunikate për media thanë se do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për zvarritjen e konstituimit të Kuvendit.

Dje LVV tha se do të votojnë dy nënkryetarët e Kuvendit të propozuar nga PDK dhe LDK. Në seancën e së premtes, deputetët e LVV-së nuk kishin votë për Vlora Çitakun dhe kishin shprehur kundërshtime edhe për Kujtim Shalën.

Kjo është komunikata e plotë:

PDK: Kushtetuta nuk është pazar politik - pas shkeljes së afateve dhe bllokimit të Kuvendit nga Vetëvendosje, fjalën duhet ta thotë Kushtetuesja

Prishtinë, 13 shtator – Partia Demokratike e Kosovës vlerëson se situata e krijuar rreth konstituimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës ka hyrë në një fazë që kërkon qartësi përfundimtare kushtetuese, pas shkeljes së afateve, bllokimit të përsëritur të procesit dhe vendosjes së kushteve të reja politike nga Lëvizja Vetëvendosje.

PDK rikujton se Kuvendi i Republikës së Kosovës është dashur të konstituohet brenda afatit 30-ditor, më së largu më 7 gusht, sipas Kushtetutës dhe Aktgjykimit KO124/25 të Gjykatës Kushtetuese.

PDK vlerëson se Lëvizja Vetëvendosje e shkeli këtë afat, ndërsa më pas vendosi vetë një afat të ri, 6 shtatorin, të cilin gjithashtu nuk e respektoi.

Përkundër kësaj, Partia Demokratike e Kosovës, për hir të 16 shtatorit dhe vendimit të madh që pritet në Hagë, pranoi të marrë pjesë në seancat e Kuvendit edhe përtej këtyre afateve, me qëllimin e vetëm që procesi i konstituimit të përfundonte.

PDK mori pjesë në seancat e 9 dhe 11 shtatorit, me ftesën e Lëvizjes Vetëvendosje dhe me vullnet të plotë për përmbylljen e konstituimit të Kuvendit. Megjithatë, në të dyja rastet, procesi u pengua nga Lëvizja Vetëvendosje përmes arsyetimeve të reja lidhur me zgjedhjen e nënkryetarëve të opozitës.

Partia Demokratike e Kosovës e mbajti fjalën dhe votoi kandidatin e Lëvizjes Vetëvendosje për nënkryetar të Kuvendit. Në anën tjetër, LVV e theu premtimin e dhënë publikisht dhe refuzoi ta votonte kandidaten e PDK-së për nënkryetare. Ky veprim dëshmoi edhe një herë se, për LVV-në, fjala e dhënë vlen vetëm deri në momentin kur u shërben interesave të saj politike.

PDK vlerëson se, pasi e ka bllokuar vetë procesin e konstituimit, Lëvizja Vetëvendosje tani deklaron se është e gatshme t’i votojë nënkryetarët, por duke e lidhur këtë me mënyrën e votimit për Presidentin e Republikës.

Për Partinë Demokratike të Kosovës, Kushtetuta nuk është pazar politik. Konstituimi i Kuvendit është detyrim kushtetues dhe nuk mund të kushtëzohet me votimin e opozitës për Presidentin apo me marrëveshje të tjera politike.

Për këtë arsye, PDK nuk do të vazhdojë të marrë pjesë nga një seancë në tjetrën, në një proces ku vazhdimisht ndryshojnë kushtet dhe krijohen pengesa të reja. Edhe pjesëmarrja në një seancë tjetër nuk ofron asnjë garanci se procesi do të përmbyllet dhe se nuk do të paraqiten kërkesa apo kushte të tjera.

Partia Demokratike e Kosovës konsideron se situata e krijuar tashmë kërkon qartësi kushtetuese. Ekspertët e PDK-së janë duke punuar në përgatitjen e rastit, i cili do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, për procesin në tërësi.

Deri në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, qëndrimi i Partisë Demokratike të Kosovës mbetet i qartë: PDK nuk do të marrë pjesë në seancat e Kuvendit.

Mjaft me afate të shkelura, kushte të reja dhe pazare politike. Tani fjalën duhet ta thotë Gjykata Kushtetuese.

​Këto janë arsyet pse LVV-ja ndryshoi qëndrim për Çitakun dhe Shalën

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, ka kërkuar pjesëmarrjen e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, në seancën e sotme të Kuvendit për të konstituar legjislaturën e njëmbëdhjetë.

Para hyrjes në objektin e Kuvendit të Kosovës, Kryeziu-Hyseni ka treguar arsyet pse kanë ndryshuar qëndrim për votimin e Vlora Çitakut dhe Kujtim Shalës për nënkryetar.

Këto janë arsyet pse LVV-ja ndryshoi qëndrim për Çitakun dhe Shalën

“Uroj që të ndërrojnë qëndrim partitë opozitare dhe të procedojmë tutje me procesin e konstituimit të Kuvendit. Lëvizja Vetëvendosje, njëjtë sikur ka vepruar në këto dy vitet e fundit, ka lëvizur për t’i kontribuar zhbllokimit të situatës e cila ka ndodhur si rezultat i bllokadës së vazhdueshme të këtyre partive opozitare. Shpresoj që sot deputetët të paraqiten në seancë. Fundja sipas aktgjykimit është obligative që ata të marrin pjesë në votim dhe të konstituojmë kuvendin dhe të vazhdojmë tutje me proceset e radhës...Në grupin tonë parlamentar ka pasur diskutime sa i përket emrave që janë propozuar prej dy partive politike. Kështu që kryesia e LVV-së ka vendosur që këta dy emra të mbështeten që mos të vazhdohet tutje bllokada”, tha ajo.

A do të marrë pjesë PDK-ja në seancë? Tahiri: Shumë shpejt dalim me komunikatë

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Arian Tahiri, nuk ka treguar nëse PDK-ja do të marrë pjesë në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës.

Kjo vjen pasi Lëvizja Vetëvendosje ka bërë të ditur se në seancën e sotme do t’i votojë nënkryetarët e PDK-së dhe LDK-së.

I pyetur nëse deputetët e PDK-së do të jenë pjesë e seancës, Tahiri tha se grupi parlamentar është duke zhvilluar takim dhe se vendimi do të bëhet i ditur së shpejti.

“Ju kërkojmë me prit që me pa komunikatën, edhe grupi është në takim. Kështu që shumë shpejt dalim me komunikatë”, tha Tahiri.

​Lumir Abdixhi i pari që hyn në Kuvendin e Kosovës

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku është i pari që ka hyrë në objektin e Kuvendit të Kosovës, ku pritet të mbahet seanca konstituive.

Kuvendi i Kosovës pritet të vazhdojë sot seancën konstituive, me fillim nga ora 10:00, në sallën e seancave.

Në rendin e ditës është pika e katërt, zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit.

Kuvendi mblidhet sot, nënkryetarët në rend dite

Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës do të vazhdojë sot, ndërsa në rend të ditës është zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit.

Seanca është thirrur nga kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, pas dështimit të votimit të Vlora Çitakut në seancën e së premtes.

 Deputetët e LVV-së abstenuan në votimin për kandidaten e PDK-së, duke bërë që ajo të mos marrë votat e nevojshme për t’u zgjedhur nënkryetare.

Në të njëjtën seancë, Kuvendi arriti të zgjedhë Ardian Golën nga LVV në pozitën e nënkryetarit.

Pas dështimit të votimit të Çitakut, PDK mori vendim që të mos marrë pjesë në seancat e mëtejshme konstituive të Kuvendit.

Pak orë më vonë u thirr edhe një seancë tjetër brenda së njëjtës ditë, por deputetët e PDK-së nuk morën pjesë.

Në anën tjetër, LDK deklaroi se nuk mund të hidhet në votim kandidatura e Kujtim Shalës pa u votuar paraprakisht kandidatura e PDK-së, duke kërkuar që procesi të zhvillohet sipas radhës.

Megjithatë, mbrëmjen e së dielës, LVV ‘lëshoi pe’ dhe njoftoi se do t’i votojë të dy kandidatët për nënkryetarë, Vlora Çitakun e PDK-së dhe Kujtim Shalën e LDK-së.

Nga LVV kanë shprehur shpresë se zgjedhja e nënkryetarëve do të mundësojë vazhdimin e procesit institucional dhe nuk do të paraqesë pengesë për zgjedhjen e presidentit të ardhshëm të Kosovës.

Seanca e sotme është caktuar të nisë në orën 10:00.

Mbetet të shihet nëse PDK dhe LDK do të marrin pjesë në të dhe nëse Kuvendi do të arrijë të përmbyllë zgjedhjen e nënkryetarëve.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat