Kuvendi i Kosovës miraton deklaratën lidhur me aktgjykimin e Speciales

Aktuale

Kuvendi i Kosovës miraton deklaratën lidhur me aktgjykimin e Speciales

Më: 28 shtator 2026 Në ora: 07:47 Përditësuar në ora: 13:53 më 28.09.2026
Kuvendi i Kosovës

​Lushaku flet për presidentin: LDK është e gatshme të kontribuoj në zgjedhjen e presidentit të Kosovës

Shefja e Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku ka deklaruar se janë të gatshëm që të kontribuojnë për zgjedhjen e presidentit të Kosovës.

Pas seancës plenare të Kuvendit të Kosovës ku u miratua Deklarata për aktgjykimin e Speciales, ajo bëri të ditur se takime ka pasur mes të gjithë liderëve të partive politike.

Ajo ka kërkuar vullnet nga të gjitha partitë politike për zgjedhjen e presidentit të Kosovës, në mënyrë që të shmangen zgjedhjet e reja.

Lushaku: Jemi të gatshëm që të japim kontribut për themelimin e këtyre institucioneve

“Takimet kanë ndodhur në mes të gjithë liderëve, kjo është me qëllim që të koordinohemi si shtet për veprimet e ardhshme, ka shumë procese të rëndësishme që pritet të ndodhin edhe puna e presidentit, por ishte edhe koordinimi sa i përket kësaj deklarate. Të kemi sa më parë zgjidhje për secilin problem. Ne si parti kemi thënë që është e rëndësishme që të shmangim zgjedhjet, por kjo kërkon vullnetin e të gjitha partive politike, ne vetëm nuk mundemi me i dhënë president Kosovës, por jemi të gatshëm që të japim kontribut për themelimin e këtyre institucioneve. Ne nuk jemi në një situatë ku mund të themi jemi për ose kundër”, tha ajo.

Lushaku ka folur edhe për miratimin e deklaratës e propozuar nga PDK-ja.

Ajo bëri të ditur se LDK mbështet çdo vendim që do të merret në kuvendin e Kosovës ndaj katërshes në Hagë, në mbrojtje të UÇK-së.

Lushaku: Ua kemi borxh që ta mbështesim dhe ta lartësojmë luftën tonë çlirimtare

“Jemi të vetëdijshëm plotësisht që kemi përgjegjësi edhe institucionale që ta vlerësojmë e lartësojmë kontributin e djemve e vajzave tona në kuadër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për çlirimin e Kosovës, për lirinë që e gëzojmë ne sot, prandaj ua kemi borxh që ta mbështesim dhe ta lartësojmë luftën tonë çlirimtare. Dëshirojmë të kontribuojmë që Kosova të jetë shtet i pavarur dhe në liri dhe të funksionojnë institucionet e saj të pavarura për sigurimin e drejtësisë për të gjithë qytetarët”, tha ajo. 

Tahiri i PDK-së: Qeveria s’ka arsye të vonohet, të sillet me urgjencë ndryshimi i Ligjit për Specialen

Shefi i deputetëve të PDK-së, Arian Tahiri, ka kërkuar që sa më shpejt, Qeveria e Kosovës ta sjellë në Kuvend ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara në Hagë.

Ai ka thënë se Qeveria duhet të sillet me përgjegjshmëri dhe këto veprime t’i bëjë pa asnjë vonesë, pasi sipas tij, nuk ka asnjë arsye që të mos bëhet brenda pak ditëve.

“Kuvendi e ka kryer punën e vet, tash përgjegjësia është e Qeverisë. Ligji tash është në Qeveri dhe shfrytëzoi rastin që ta trajtojë Ligjin me përgjegjshmëri dhe me urgjencë dhe ky vullnet që është dëshmuar sot, të argumentohet edhe me votë për Ligjin. Nuk ka asnjë arsye që të votohet dhe presim që Qeveria ta bëjë punën e vet sot, dhe nesër, ose pasnesër ta sjellë Ligjjin në Kuvend”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se votimi i Deklaratës për Specialen është shumë i rëndësishëm dhe në këtë formë është shprehur revolta kundër padrejtësisë në Hagë. 

Lista Serbe nuk i dërgon emrat për Komisionet Parlamentare

Seanca e Kuvendit të Kosovës i vazhdoi punimet me votimin e përbërjeve për 16 Komisionet Parlamentare.

Pas propozimit nga ana e Grupeve Parlamentare, kryetarja Albulena Haxhiu, deklaroi se Lista Serbe nuk i ka dërguar emrat për këto komisione.

Në këtë seancë, pos votimit të komisioneve, u bë betimi edhe i deputetëve të rinj.

Pika kryesore e seancës së sotme, ishte miratimi i deklaratës të propozuar nga PDK për aktgjykimin e Speciales dhe në mbrojtje të UÇK-së.

​Ja çka thuhet në Deklaratën për aktgjykimin e Speciales

Kuvendi i Kosovës me shumicë votash ka miratuar Deklaratën për aktgjykimin e Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Deklarata e plotë:

Kuvendi i Republikës së Kosovës, si institucioni përfaqësues i qytetarëve dhe shprehje e vullnetit të tyre demokratik, në seancën plenare të mbajtur më 28.09.2026;

Duke kujtuar se liria dhe pavarësia e Kosovës janë fryt i një përpjekjeje të gjatë për dinjitet njerëzor, barazi dhe të drejtën e një populli për të vendosur vetë për të ardhmen e tij;

Duke rikujtuar se lufta e popullit për liri dhe pavarësi përmes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës lindi në rrethanat e represionit sistematik dhe krimeve gjenocidale të Serbisë, kur popullit të Kosovës po i mohoheshin të drejtat themelore dhe vetë mundësia për të jetuar i lirë në vendin e tij;

Duke njohur rëndësinë vendimtare të ndërhyrjes së NATO-s për ndalimin e dhunës ndaj popullit të Kosovës dhe për çlirimin e vendit.

Duke theksuar se asnjë aktgjykim nuk mund ta zhbëjë të vërtetën historike të luftës në Kosovë. Serbia ushtroi gjenocid e krime kundër njerëzimit; zhvilloi një fushatë të egër terrori dhe spastrimi etnik në Kosovë; masakroi civilë të pafajshëm, vrau fëmijë, gra e të moshuar, dhunë seksuale si armë lufte, dëboi me forcë popullsinë dhe dogji e shkatërroi fshatra e qytete të tëra. Këto krime ishin sistematike, pasojat e të cilave rëndojnë edhe sot mbi mijëra familje.

I bindur se respektimi i shtetit të së drejtës përfshin edhe të drejtën dhe përgjegjësinë për të kundërshtuar, me mjete ligjore dhe institucionale, një aktgjykim që vlerësohet i padrejtë;

Liria dhe pavarësia e Kosovës janë të lidhura ngushtë me sakrificën e brezave, me rezistencën politike dhe paqësore të udhëhequr nga Presidenti Ibrahim Rugova, me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe me mbështetjen vendimtare të aleatëve tanë perëndimorë, përfshirë NATO-n.

Miraton këtë deklaratë:

1. Kuvendi i Republikës së Kosovës, si institucioni përfaqësues i qytetarëve dhe shprehje e vullnetit të tyre demokratik, shpreh shqetësimin e tij të thellë ndaj aktgjykimit të shkallës së parë kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

2. Konsideron si të papranueshëm përfundimin për ekzistencën e një qëllimi kriminal të përbashkët.

3. KËRKON nga të gjitha institucionet shtetërore të Republikës së Kosovës që të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për mbrojtjen e së vërtetës dhe të pastërtisë së luftës çlirimtare të popullit të Kosovës. Kuvendi bën thirrje për hartimin e një strategjie të përbashkët shtetërore, në kuadër të së cilës të bashkërendohen veprimet juridike, institucionale dhe diplomatike për mbrojtjen dhe afirmimin e së vërtetës së plotë historike mbi luftën e drejtë për liri dhe çlirim të Kosovës.

4. Në Kosovën e viteve 1998–1999, ekzistenca e një ndërmarrje të përbashkët kriminale për dëbimin e shqiptarëve nga Kosova është vërtetuar tashmë me aktgjykime të Tribunalit Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, ndaj drejtuesve politikë, ushtarakë dhe policorë të Jugosllavisë dhe Serbisë. Ajo u zbatua përmes strukturave të një shteti që kishte nën kontroll ushtrinë, policinë dhe mjetet e tjera të pushtetit. Ky është konteksti historik dhe gjyqësor që duhet të mbetet i qartë sa herë flitet për luftën në Kosovë.

5. Kërkon nga Dhomat e Specializuara të respektojë mandatin në përputhje me vullnetin e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

6. KUNDËRSHTON çdo përpjekje për të përmbysur të vërtetën historike të Kosovës, për të vënë në dyshim luftën e saj çlirimtare apo për të barazuar popullin që luftoi për liri dhe mbijetesë me regjimin që e shtypi atë.

7. E vërteta e luftës çlirimtare, drejtësia për viktimat dhe familjet e tyre dhe e drejta e të dënuarve për një gjykim të drejtë i përkasin së njëjtës Republikë. Kuvendi do t’i mbrojë të tria pa kompromis.

Vlora Çitaku zgjidhet nënkryetare e Kuvendit nga PDK

Vlora Çitaku është zgjedhur si nënkryetare e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës.

Duke mos arritur që në seancat e kaluara të mos i sigurojë votat për t’u zgjedhur në këtë pozitë, Çitaku më në fund ka marrë ato.

Me 95 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, ajo është zgjedhur nënkryetare e Kuvendit nga radhët e PDK-së.

Po ashtu, me një zë të përbashkët nga grupet parlamentare, u miratua edhe deklarata kundër aktgjykimit të Speciales, që është në mbrojte të UÇK-së.

Kuvendi i Kosovës miraton deklaratën lidhur me aktgjykimin e Speciales

Kuvendi i ri i Kosovës ka mirtuar të hënën një deklaratë lidhur me aktgjykimin e Gjykatës Speciale të Kosovës në Hagë ndaj katër ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Në foltoren e Kuvendit, kryeparlamentarja Albulena Haxhiu lexoi deklaratën për të cilën ranë dakord Lëvizja Vetëvendosje, Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca dhe Grupi Parlamentar Multietnik.

Deklarata u miratua me 99 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

Javën e kaluar, PDK-ja i propozoi Kuvendit ndryshimet në projektligjin e atyre që zyrtarisht njihen si Dhomat e Specializuara të Kosovës, pas dënimit me gjithsej 81 vjet burgim për krime lufte ndaj Hashimit Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit.

Projektligji i PDK-së kërkon që juridiksioni i Gjykatës Speciale të kufizohet te veprat penale të përmendura në një raport të vitit 2011 të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, i cili trajtonte, ndër të tjera, pretendimet për trafikim organesh pas luftës në Kosovë.

Ai parasheh ndryshimin e periudhës kohore që mbulon Specialja: nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000, në periudhën nga 1 korriku i vitit 1999 deri në dhjetorin e vitit 2000.

PDK-ja propozon, gjithashtu, që ndëshkimi maksimal që do të mund ta shqiptonte Gjykata të jetë 15 vjet burgim.

Projektligji parasheh edhe që dënimet të ekzekutohen në Kosovë, dhe që personat e dënuar të mund të jenë subjekt i faljes presidenciale.

Mbështetje kësaj nisme i ka dhënë Aleanca, teksa Lëvizje Vetëvendosje (LVV) në pushtet tha se do të shqyrtojë fillimisht në aspektin juridik, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ende nuk ka një qëndrim zyrtar për këtë.

Këta janë deputetët e rinj që do t’i zëvendësojnë ministrat e Qeverisë

Në Kuvendin e Kosovës është zhvilluar ceremonia e betimit të deputetëve të rinj, të cilët do të marrin mandatet e tyre në legjislaturën e re, pas zëvendësimit të deputetëve që aktualisht mbajnë poste ministrore në Qeverinë e Kosovës.

Betimin para deputetëve të tjerë e kanë dhënë gjithsej 15 deputetë të rinj.

Bëhet fjalë për Naim Bardiqin, Fitim Hazirin, Ilir Qeriqin, Egzon Azemin, Mimoza Shalën, Arsim Ademin, Luan Aliun, Fatos Gecin, Adelina Tërshanin, Ejup Ahmetin, Filiz Mustafën, Arijeta Rexhepin, Agon Batushën, Fahrush Rexhepin dhe Elvira Ibrahimin.

Pas leximit të deklaratës së betimit, deputetët e rinj e kanë nënshkruar deklaratën përkatëse, duke përmbyllur kështu procedurën e marrjes së mandatit të tyre në Kuvend.

Betimi i tyre vjen në kuadër të ndryshimeve në përbërjen e Kuvendit, pasi disa prej deputetëve të zgjedhur kanë kaluar në poste ekzekutive në Qeverinë e Kosovës.

Nis me vonesë seanca e Kuvendit: Pritet votimi i Deklaratës kundër vendimit të Hagës

Ka nisur me vonesë seanca plenare e Kuvendit të Kosovës, e cila ishte paraparë të fillojë nga ora 11:00.

Në këtë seancë, deputetët do të shqyrtojnë disa pika, përfshirë miratimin e procesverbaleve nga seancat e mëparshme, betimin e deputetëve dhe miratimin e Deklaratës lidhur me Aktgjykimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës, të datës 16 shtator.

Në rend dite është edhe zgjedhja e nënkryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës.

Po ashtu, deputetët pritet të shqyrtojnë formimin e komisioneve parlamentare.

Hamza, Abdixhiku dhe Osmani në bashkëbisedim, pas pak pritet nisja e seancës

Pak para nisjes së seancës plenare të Kuvendit të Kosovës, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, është parë në sallën e Kuvendit duke u konsultuar me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhikun.

Ai ka diskutuar edhe me deputetet Vjosa Osmani e Doarsa Kica-Xhelilin.

Konsultimet janë zhvilluar në kohën kur seanca, e paraparë të nisë në orën 11:00, është vonuar.

Në rend dite të seancës është edhe Deklarata lidhur me Aktgjykimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës, ndërsa partitë politike kanë zhvilluar konsultime lidhur me përmbajtjen e deklaratës së përbashkët.

Ende nuk dihet nëse konsultimet mes tyre kanë të bëjnë drejtpërdrejt me tekstin përfundimtar të deklaratës që pritet të shqyrtohet nga Kuvendi.

PDK-ja e gatshme të diskutojë për presidentin, nëse kalon projektligji për Specialen

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka thënë se nëse miratohet projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, subjekti më i madh opozitar në Kosovë është i hapur të diskutojë për temat e tjera me partinë në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje (LVV).

Në një deklarim për media para seancës së të hënës në Kuvendin e Kosovës, Hamza tha se për këtë projektligj ka diskutuar edhe me kryeministrin Albin Kurti, në një takim të mbajtur të dielën.

Sipas Hamzës, në takimin me kreun e LVV-së, Kurti, është biseduar edhe çështja e zgjedhjes së presidentit, por pa diskutuar rreth emrave të mundshëm.

“Nuk kemi shkuar për emrat, nuk i kemi folur, nëse kalohet ligji jemi të hapur edhe për tema tjera", tha ai.

Hamza shtoi se duhet pritur ditët në vijim për të kuptuar nëse LVV mbështet këtë projektligj, i cili, sipas tij, është domosdoshmëri për PDK-në dhe prioritet për historinë dhe të ardhmen e Kosovës.

“Ne nuk po kërkojmë që të ndalet drejtësia, ne jemi kundër padrejtësisë”, tha Hamza, ndërsa shtoi se as partitë e tjera nuk kanë arsye për të mos e mbështetur.

PDK-ja dorëzoi projektligjin në Kuvend më 21 shtator, disa ditë pasi ajo që njihet si Gjykata Speciale e Kosovës dënoi me gjithsej 81 vjet burgim për krime lufte katër ish-udhëheqës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK): Hashim Thaçin, Jakup Krasniqin, Kadri Veselin dhe Rexhep Selimin.

Në dokumentin e ndryshimeve të propozuara, të cilën e ka parë Radio Evropa e Lirë, kërkohet ndër të tjera, që dënimet më të larta që mund të shqiptohen nga Gjykata në Hagë të jenë 15 vjet burgim dhe që të dënuarit të mund të jenë subjekt i faljes presidenciale.

Mbështetje kësaj nisme i ka dhënë Aleanca, teksa nga LVV-ja thanë se do të shqyrtojnë fillimisht në aspektin juridik, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ende nuk ka një qëndrim zyrtar për këtë.

Kryeparlamentarja Albulena Haxhiu tha se projektligjin e PDK-së e ka dërguar te një ekip ekspertësh, por ende nuk mund të japë një vlerësim për përmbajtjen e tij.

Megjithatë, ajo pati kritika që për të nuk ka pasur konsultime, duke shtuar se do të ishte më e drejtë që ai të hartohej nga Komisioni për legjislacion ose paraprakisht të konsultohen ekipet mbrojtëse të katërshes së UÇK-së dhe ekspertë të fushës.

Çështja e presidentit

Në një aktgjykim të 23 shtatorit, Gjykata Kushtetuese e Kosovës sqaroi se afati për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit është deri më 6 tetor.

Sipas saj, afati 60-ditor për zgjedhjen e presidentit ka nisur më 8 gusht, nga dita kur u konstituua Kuvendi, dhe përfundon më 6 tetor.

Që nga 4 prilli, Kosova është me ushtrues detyre të presidentit. Ky funksion, sipas Kushtetutës, nuk mund të ushtrohet më shumë se gjashtë muaj.

Pas rundesh të bisedimeve mes LVV-së dhe LDK-së së Lumir Abdixhikut, palët arritën një marrëveshje në fund të gushtit për një president konsensual, dhe dy partitë propozuan për postin e presidentit Bekim Sejdiun.

Por, një ditë pas njoftimit për marrëveshjen u bë e ditur se gjashtë deputetë të LDK-së nuk e përkrahnin këtë kandidaturë – duke bërë që, në praktikë, Sejdiu të mos kishte 81 votat e nevojshme – dy të tretat e Kuvendit me 120 ulëse, që kërkohen për procesin e zgjedhjes së presidentit.

Megjithatë, më 14 shtator Sejdiu njoftoi se tërhiqet nga kandidatura për president për shkak të mbështetjes së pamjaftueshme për zgjedhjen e tij.

Kosova rrezikon të shkojë drejt zgjedhjeve të reja – që do të ishin të katërtat që nga shkurti i vitit 2025 – nëse partitë nuk gjejnë ujdi që ta zgjedhin kreun e ri të shtetit para afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat