​Vrasja e Arlinda Zekajt, GLPS: Asnjë justifikim për dështimin institucional

Aktuale

​Vrasja e Arlinda Zekajt, GLPS: Asnjë justifikim për dështimin institucional

Më: 26 tetor 2026 Në ora: 15:01
Fotoilustrim

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ka shprehur sot indinjatën e thellë për vrasjen e Arlinda Zekajt, duke thënë se ky rast tragjik rikthen në vëmendje dështimin e vazhdueshëm të institucioneve për ta trajtuar me seriozitet dhunën familjare.

Në një reagim për media, GLPS thekson se mos veprimi i prokurorisë dhe policisë për mbrojtjen e Arlinda Zekajt edhe pse ishin në dijeni mbi rrezikun për jetën e saj, përbën kulmin e dështimit institucional.

“Mbrojtja e jetës së grave nuk është çështje vullneti, prioriteti të përkohshëm apo deklaratash publike por detyrim themelor i shtetit. Kur ky detyrim nuk përmbushet, institucionet duhet të japin llogari dhe të bartin pasojat përfshirë edhe penale. Asnjë dështim institucional nuk duhet të relativizohet, të mbulohet apo të mbetet pa pasoja”.

Sipas të dhënave të GLPS-së për seancat gjyqësore në rastet e dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore, nga janari deri në shtator 2026 janë evidentuar 957 viktima gra të dhunës.

“Këto shifra alarmante dëshmojnë përmasat shqetësuese të dhunës ndaj grave dhe urgjencën e reagimit institucional. Këto të dhëna nuk mund të trajtohen thjesht si statistika, por si një sinjal serioz se parandalimi i dhunës dhe mbrojtja e grave kërkojnë veprime të menjëhershme. Parandalimi dhe trajtimi i vrasjes së grave është dhe duhet të shihet si urgjencë kombëtare”.

GLPS kërkon hetim të plotë, llogaridhënie dhe përgjegjësi konkrete mbi rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt dhe për çdo dështim institucional që mund të ketë kontribuar në këtë tragjedi.

“Kur institucionet dështojnë të garantojnë jetën dhe sigurinë e qytetarëve, ato dështojnë në përmbushjen e detyrimit të tyre më themelor dhe minojnë besimin e qytetarëve ndaj shtetit ligjor”.

Kujtojmë, Arlinda Zekaj u vra mbrëmë në Vitomiricë të Pejës nga kunati i saj, i cili është vënë në kërkim nga policia. Prokuroria Themelore në Pejë sot ka bërë të ditur se rasti ishte trajtuar me kohë dhe se në lidhje me këtë kanë qenë të njoftuara me kohë të gjitha institucionet përkatëse.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat