Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka nisur vizitën zyrtare në Maqedoninë e Veriut me një takim me homologun Afrim Gashi.
Sipas Haxhiut, në takim u diskutua forcimi i bashkëpunimit ndërparlamentar përmes komisioneve dhe grupeve të miqësisë.
“Marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve janë më të qëndrueshme kur kanë mbështetje të gjerë në parlamentet e tyre, si te shumica, ashtu edhe te opozita”, ka shkruar Haxhiu.
Haxhiu theksoi se kuvendet kanë rol të veçantë në afrimin e mëtejshëm të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.
Dy kryeparlamentarët diskutuan edhe mbikëqyrjen e zbatimit të marrëveshjeve ndërmjet dy vendeve, me synim përfitime konkrete për qytetarët.
Haxhiu e falënderoi Gashin për mbështetjen që Maqedonia e Veriut i jep Kosovës në organizatat ndërkombëtare.
Në takim u trajtuan edhe bashkërendimi në forumet parlamentare ndërkombëtare dhe rruga evropiane e dy vendeve.