Partitë opozitare, PDK, LDK dhe Aleanca, kanë shprehur kundërshtimin ndaj shqyrtimit të dytë të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për ndarjet buxhetore për Buxhetin e Kosovës për vitin 2026.
Në seancën e sotme të Kuvendit, përfaqësuesit e këtyre partive kanë kritikuar rishikimin e buxhetit, duke pretenduar se qëllimi i tij është mbulimi i shpenzimeve prej 122 milionë eurosh, të cilat, sipas tyre, lidhen me vendimin e Qeverisë për pagesën e pagës së 13-të në mars të këtij viti.
Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, ka deklaruar se rishikimi i propozuar nuk përmban ndryshime thelbësore që do t'u përgjigjeshin nevojave të komunave dhe organizatave të tjera buxhetore, raporton KosovaPress.
Lushtaku: Rishikimi i buxhetit nuk përmban ndryshime përmbajtësore
“Jemi shqetësuar se nuk ka një ndryshim përmbajtësor ku e akomodon buxhetin, apo ndryshimet që kanë nevojë komunat e Kosovës, por edhe organizatat e tjera buxhetore që kanë ngelur pa investuar në projekte”, ka thënë Lushtaku.
Kundër rishikimit të buxhetit është shprehur edhe deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti. Ai ka pretenduar se përmes këtij projektligji synohet të mbulohet një vendim i Qeverisë, të cilin e ka cilësuar si të paligjshëm.
Hoti: Po kërkohet të ndryshohet ligji për të mbuluar shpenzimet prej 122 milionë eurosh
“Ky rishikim ka qëllim mbulimin e vendimit joligjor të Qeverisë për shpenzime prej 122 milionë eurosh prej muajit të parë të këtij viti. Ky është qëllimi i rishikimit të këtij buxheti. Ju e keni shkelur ligjin dhe tani po kërkohet të amendamentohet ligji në mënyrë që të akomodohet ajo shkelje. Ky ligj ka dy probleme. E para, në aspektin procedural është gabim dhe ka probleme përmbajtësore”, ka deklaruar Hoti.
Ndërkaq, deputetja e Aleancës, Teuta Haxhiu, ka ngritur shqetësimin për ndikimin që, sipas saj, rishikimi i buxhetit ka pasur në financat e komunave të Kosovës.
Haxhiu: Komunat janë dëmtuar me 10 milionë euro
“Me këtë rishikim komunat e Kosovës janë dëmtuar në vlerën 10 milionë euro. Ku po shkojnë këto mjete”, ka pyetur Haxhiu