Muzika e këngës nacionaliste serbe kundër Kosovës interpretohet në Bruksel, reagojnë zyrtarët e Prishtinës

Aktuale

Muzika e këngës nacionaliste serbe kundër Kosovës interpretohet në Bruksel, reagojnë zyrtarët e Prishtinës

Më: 16 nëntor 2026 Në ora: 09:47
Pamje nga vendi i ngjarjes

PRISHTINË, 16 nëntor/ATSH/ Muzika e këngës nacionaliste serbe “Oj Kosovo, Kosovo”, e cila përmban pretendime historike dhe politike serbe mbi Kosovën, është interpretuar në Bruksel në prag të Forumit të Zgjerimit të Bashkimit Evropian, i cili organizohet nga Komisioni Evropian dhe nën drejtimin e Komisionares për Zgjerim, Marta Kos.

Në forumin dyditor, sot dhe nesër, janë parashikuar të marrin pjesë përfaqësues të nivelit të lartë politik nga vendet anëtare të BE-së dhe ato që synojnë anëtarësimin, si dhe përfaqësues të shoqërisë civile, sipërmarrës, artistë, të rinj dhe ekspertë të politikave.

Kosova nuk ka përfaqësues në këtë aktivitet, ndërsa një ditë para ngjarjes kryesore, në kuadër të mbrëmjes hapëse dhe koncertit është interpretuar kënga nacionialiste “Oj Kosovo, Kosovo”.

Në programin zyrtar të publikuar për këtë aktivitet, mbrëmja e 15 nëntorit parashikonte interpretimin e orkestrës së të rinjve të Ballkanit Perëndimor së bashku me grupin muzikor slloven “Kapobanda”. E pikërisht bendi slloven “Kapobanda” ka interpretuar këngën serbe, “Oj Kosovo Kosovo”, raportin Kosovapress.

Kryenegociatori i Kosovës me Bashkimin Evropian, Jeton Zulfaj, ka reaguar në rrjetin social “X” duke theksuar se është skandaloze dhe e papranueshme ajo që ka ndodhur në Bruksel.

“Një këngë nacionaliste serbe, që mohon shtetësinë e Kosovës dhe që u shkrua në kohën kur kasapi i Ballkanit, Millosheviçi, po i shfuqizonte të drejtat e Kosovës dhe po e shtypte popullin tonë, u interpretua në hapje të Forumit të Zgjerimit të BE-së. Kjo është skandaloze e papranueshme. Një aktivitet i BE-së për zgjerimin nuk mund t’i japë skenë nacionalizmit serb”, deklaroi Zulfaj.

Ai shtoi se presin që Komisionerja Kos të shpjegojë se “si ndodhi kjo dhe çfarë masash do të ndërmarrë, si dhe pse Kosova, vendi me përparimin më të madh demokratik në Ballkanin Perëndimor gjatë kësaj dekade dhe plotësisht e harmonizuar me politikën e jashtme dhe vlerat e BE-së, nuk ishte ftuar”.

Image

Ambasadori i Kosovës në Belgjikë, njëherësh Kryenegociatori për dialogun me Serbinë, Agron Bajrami ka deklaruar se është e papranueshme interpretimi i muzikës së këngës nacionaliste serbe kundër Kosovës në një aktivitet zyrtar të Komisionit Evropian.

Në një reagim në rrjetin “X”, Bajrami shprehet se ky nuk është shkëmbim kulturor.

“Në koncertin e hapjes së Forumit të Zgjerimit të BE-së në Bruksel, të organizuar nga Komisioni Evropian nën drejtimin e komisioneres Marta Kos, u interpretua kënga nacionaliste serbe “Oj Kosovo, Kosovo”. Ky nuk është shkëmbim kulturor. Kënga promovon pretendime të qarta politike mbi territorin e Republikës së Kosovës. Përfshirja e saj në një aktivitet zyrtar të Komisionit Evropian, kushtuar zgjerimit, unitetit dhe marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, është e papranueshme”.

Bajrami shprehet se Republika e Kosovës pret sqarim nga Komisioni Evropian dhe komisionerja për Zgjerim Marta Kos lidhur me mënyrën se si u përzgjodh dhe u miratua ky repertor.

Vlerat evropiane, marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe besueshmëria e procesit të zgjerimit të BE-së nuk mund të pajtohen me dhënien e një platforme pretendimeve irredentiste kundër një vendi që synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian”, ka shkruar Bajrami në platformën “X”.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat