Thaçi dënohet me 17 muaj burgim për pengim të drejtësisë, Specialja merr vendim edhe për Smakajn, Fazliun, Kilajn e Kuçin

Aktuale

Thaçi dënohet me 17 muaj burgim për pengim të drejtësisë, Specialja merr vendim edhe për Smakajn, Fazliun, Kilajn e Kuçin

Nga: bota sot Më: 17 nëntor 2026 Në ora: 07:18 Përditësuar në ora: 10:34 më 17.11.2026
Fotoilustrim

Gjyqtari: Tentativa për pengim të drejtësisë u konkretizua me kontaktimin e Rrustem Mustafës

Gjyqtari Christopher Gosnell tha se në rastin e Hashim Thaçit dhe Fadil Fazliut bëhet fjalë për tentativë të pengimit të drejtësisë, jo për pengim të kryer faktikisht.

Ai shpjegoi se tentativa përbën vepër penale kur një person ndërmerr veprime për kryerjen e saj.

Sipas gjyqtarit, tentativa u konkretizua në korrik 2023, kur Fahri Fazliu, djali i Fadil Fazliut, kontaktoi dëshmitarin Rrustem Mustafa.

Veprimet kishin për cak prokurorët dhe gjyqtarët, ndërsa Thaçi ishte drejtues dhe organizator i grupit, tha Gosnell.

Gjykatësi: Thaçi e paralajmëroi Fazliun për pyetjet e Prokurorisë

Gjykatësi Christopher Gosnell tha se Hashim Thaçi, gjatë bisedës me Fadil Fazliun, e paralajmëroi atë për pyetjet që mund t'i bëheshin.

“Ata të pyesin: A të ka thirrur kush?”, citoi gjykatësi fjalët e Thaçit.

Sipas Gosnellit, fjala “ata” në këtë bisedë u referohej zyrtarëve të Prokurorisë

Gjykatësi: Thaçi i dha Fazliut mesazhe për dëshmitarin Rrustem Mustafa

Gjykatësi Christopher Gosnell tha se Hashim Thaçi dhe Fadil Fazliu akuzohen për tentativë të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave të tyre, lidhur me një vizitë të Fazliut në Qendrën e Paraburgimit në Hagë, më 2 korrik 2023.

Sipas gjykatësit, gjatë takimit, Thaçi dhe Fazliu diskutuan gjerësisht për dëshminë që pritej të jepte Rrustem Mustafa.

Thaçi e përshkroi Mustafën si dëshmitar vendimtar dhe i dha Fazliut disa mesazhe për t'ia përcjellë, përfshirë: “Shkurt thuaji, shkurt”, “Mos filozofo” dhe “Thuaj kam besim në ty shumë”.

Thaçi akuzohet gjithashtu për zbulim të informacioneve konfidenciale, ndërsa Fazliu për ndihmë në kryerjen e veprës së mosbindjes ndaj gjykatës.

Gjykatësi shpjegon akuzat

Gjykatësi Christopher Gosnell tha se Hashim Thaçi dhe të bashkakuzuarit e tij akuzohen se kishin rënë në marrëveshje për të ndërmarrë veprime të përbashkëta me qëllim pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.

Ai tha se gjykata ka pranuar 241 prova materiale të paraqitura nga Prokuroria.

Në mesin e provave janë edhe audioincizimet e bisedave mes Thaçit dhe të bashkakuzuarve gjatë vizitave në Qendrën e Paraburgimit në Hagë.

Sipas gjykatësit, regjistrimi i këtyre bisedave ishte autorizuar nga gjykata.

Thaçi akuzohet se organizoi tri grupe për të ndërhyrë në dëshmitë e dëshmitarëve

Gjykatësi Christopher Gosnell tha se, sipas aktakuzës, Hashim Thaçi organizoi tri grupe, ku përfshiheshin Fadil Fazliu, Bashkim Smakaj dhe Isni Kilaj, gjatë vizitave të tyre në Qendrën e Paraburgimit në Hagë.

Thaçi akuzohet se ishte drejtues ose organizator i secilit grup, me qëllim ndërhyrjen në dëshmitë e dëshmitarëve.

Sipas aktakuzës, ai u zbuloi vizitorëve informacione konfidenciale lidhur me dëshmitarët.

Gjykatësi Gosnell nis leximin e përmbledhjes së aktgjykimit

Gjykatësi Christopher Gosnell ka nisur leximin e përmbledhjes së aktgjykimit ndaj Hashim Thaçit dhe katër të bashkakuzuarve të tij në rastin për pengim të drejtësisë në Gjykatën Speciale në Hagë.

Të pesë të akuzuarit të pranishëm në sallën e gjyqit

Të pesë të akuzuarit - Hashim Thaçi, Bashkim Smakaj, Isni Kilaj, Hajredin Kuçi dhe Fadil Fazliu - janë të pranishëm në sallën e Gjykatës Speciale në Hagë, ku ka nisur seanca për shpalljen e aktgjykimit në rastin për pengim të drejtësisë.

Nis seanca në Hagë

Seanca për shpalljen e aktgjykimit ndaj Hashim Thaçit dhe katër të bashkakuzuarve në rastin për pengim të drejtësisë duhet të ketë nisur në orën 10:00 në Gjykatën Speciale në Hagë.

Transmetimi publik bëhet me 10 minuta vonesë.

A mund të apelohet aktgjykimi i sotëm?

Po. Aktgjykimi që shpallet sot ndaj Hashim Thaçit dhe katër të bashkakuzuarve të tij është i shkallës së parë dhe nuk është përfundimtar.

Si mbrojtja, ashtu edhe Prokuroria kanë të drejtë ta kundërshtojnë atë në Gjykatën e Apelit të Dhomave të Specializuara në Hagë.

Nëse paraqitet apel, gjyqtarët e Apelit mund ta konfirmojnë, ndryshojnë ose anulojnë aktgjykimin, si dhe të urdhërojnë rigjykim, sipas rrethanave të rastit.

Çfarë vendosi Specialja më 16 shtator për Thaçin dhe ish-krerët e tjerë të UÇK-së?

Më 16 shtator, Gjykata Speciale në Hagë dënoi në shkallë të parë Hashim Thaçin dhe Jakup Krasniqin me nga 25 vjet burgim, Kadri Veselin me 18 vjet dhe Rexhep Selimin me 13 vjet.

Të katërt u shpallën fajtorë për krime lufte, përfshirë ndalimin arbitrar, trajtimin mizor, torturën dhe vrasjen, ndërsa u liruan nga akuzat për krime kundër njerëzimit.

Aktgjykimi nuk është përfundimtar dhe mund të apelohet.

Rasti për pengim të drejtësisë, për të cilin pritet të shpallet aktgjykimi sot, është proces i veçantë gjyqësor. / REL

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat