Kusari: Forumi Ekonomik Kosovë-Poloni hap mundësi të reja për bashkëpunim

Aktuale

Kusari: Forumi Ekonomik Kosovë-Poloni hap mundësi të reja për bashkëpunim

Nga: A.M. Më: 17 nëntor 2026 Në ora: 22:47
Mimoza Kusari, Albin Kurti

Prishtina është bërë pikëtakim i bizneseve dhe institucioneve të Kosovës dhe Polonisë, në kuadër të Forumit të Tretë Ekonomik Kosovë-Poloni, i cili po mbahet këtë vit në kryeqytetin e Kosovës.

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari, ka bërë të ditur se forumi ka nisur në Prishtinë në vitin 2022, ndërsa në vitin 2024 është mbajtur në Varshavë. Këtë vit, aktiviteti është rikthyer në Prishtinë, me synimin për të krijuar mundësi të reja bashkëpunimi ekonomik ndërmjet dy vendeve.

Forumi organizohet nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe Konsullatën e Përgjithshme të Kosovës në Poloni.

Në pritjen e organizuar në prag të forumit, kryeministri Albin Kurti iu drejtua përfaqësuesve të bizneseve polake dhe vendore, duke i inkurajuar që të shfrytëzojnë potencialin ekonomik të të dy vendeve për zgjerimin e partneriteteve, investimeve dhe shkëmbimeve tregtare.

Ndërkaq, sipas Kusarit, aktivitetet vazhdojnë me hapjen zyrtare të forumit dhe takime të drejtpërdrejta B2B dhe B2G ndërmjet bizneseve dhe institucioneve të të dy vendeve.

Në fokus të diskutimeve do të jenë sektorët e digjitalizimit, mbrojtjes dhe prodhimit të avancuar, me synimin për të identifikuar mundësi konkrete bashkëpunimi ekonomik.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat