Muhaxheri dëshmon në Komisionin Hetimor për rastin e Arlinda Zekajt, pyetet për Jeton Sylajn

Aktuale

Muhaxheri dëshmon në Komisionin Hetimor për rastin e Arlinda Zekajt, pyetet për Jeton Sylajn

Nga: bota sot Më: 18 nëntor 2026 Në ora: 18:03 Përditësuar në ora: 20:00 më 18.11.2026
Gazmend Muhaxheri, kryetar i Komunës së Pejës, gjatë intervistimit nga Komisioni Hetimor Parlamentar për rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt.

Muhaxheri para Komisionit Hetimor: Arlinda Zekaj s’ka kërkuar asnjëherë strehim për vete, por vetëm për fëmijën

Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, ka thënë se e ndjera Arlinda Zekaj nuk kishte kërkuar asnjëherë strehim për vete, por vetëm për fëmijën e saj.

Këtë deklarim ai e bëri gjatë intervistimit në Komisionin Hetimor Parlamentar, ku u pyet për veprimet e institucioneve komunale dhe përgjegjësinë në trajtimin e rasteve të dhunës në familje.

I pyetur nga deputetja e PDK-së Besa Kabashi-Ramaj nëse pas vrasjes kishte kërkuar vlerësim të shërbimeve komunale dhe çfarë mekanizmash do të përdorte për të adresuar mangësitë, Muhaxheri foli edhe për rekomandimet e Ministrisë, të cilat tha se Komuna ka nisur t’i zbatojë dhe se janë drejt përfundimit.

Muhaxheri: Ne e kemi mirëpritur raportin e ministrisë, rekomandimet kam filluar t’i zbatojë

“Ne e kemi mirëpritur raportin e ministrisë, rekomandimet janë për kryetarin, jo për QPS-në, unë kam filluar t’i zbatojë, gati jam në përfundim”, tha ai.

Ndërsa, deputeti Burim Ramadani e pyeti nëse kishte pasur ndërhyrje politike, institucionale a individuale.

Ramadani: Nëse keni ndonjë dyshim apo vlerësim për ndërhyrje

“Është diskutuar edhe për ndërhyrje nga jashtë qofshin politike, insitucionale, individuale apo biznesore. A mund të na thoni nëse keni ndonjë dyshim apo vlerësim qoftë për ndërhyrje nga ju apo të tjerët se kush janë të fortit e Dukagjinit”, pyeti ai.

Muhaxheri tha se nuk ka dëgjuar për raste të tilla.

Muhaxheri: Nuk ka pasur ndërhyrje nga jashtë

“Asnjëherë nuk kam ndier për kësi raste. Kemi një rast më të rendë, nuk ka pasur ndërhyrje as aty, atë e keni menaxhuar, nuk kemi lejuar që të ndodhë diçka”, tha ai.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Adelina Tërshani, e pyeti se cilat rekomandime të Ministrisë ishte duke i zbatuar.

Muhaxheri tha se rekomandimet përfshinin masa ndaj dy zyrtarëve dhe drejtoreshës së Qendrës për Punë Sociale në Pejë.

Muhaxheri: Janë tri rekomandime, njëri për ta larguar drejtoreshën nga Qendra për punë sociale

“Janë tri rekomandime për një zyrtare Toska Gega me qitë në komision, për Durimin Kelemendi dhe një për drejtoreshën me larguar nga Qendra për punë sociale në një vend tjetër. Ata kanë shkuar në Komision disiplinor dhe për ankesa”, tha ai.

I pyetur nga deputeti Eman Rrahmani për dy rastet e tjera të cilat i kishte përmendur, Muhaxheri tha se në njërin rast viktimës i ishte siguruar strehim dhe mbrojtje, ndërsa në rastin tjetër bëhej fjalë për një ngjarje që kishte ndodhur pas vrasjes së Arlinda Zekajt.

Muhaxheri: Dy raste kanë ndodhur pak para vrasjes së Arlindës dhe pas vrasjes së saj

“I kanë vendosur shenjën për mos me iu afruar viktimës. Ndërsa viktimës po ia paguajmë qiranë për ta strehuar. Nuk e kemi lënë me u kthye viktimën me shkuar në shtëpi të nënës se edhe aty e ka sulmuar. Ka ndodhur pak para vrasjes së Arlindës dhr rasti i dytë pas Arlindës”, tha ai.

Muhaxheri theksoi se Arlinda Zekaj nuk kishte kërkuar strehim për vete, por vetëm për fëmijën e saj.

Muhaxheri: Arlinda Zekaj nuk ka kërkuar strehim asnjëherë vetëm femijën e saj

“Arlinda nuk ka kërkuar strehim asnjëherë vetëm fëmijën e saj”, tha Muhaxheri.

Deputeti i LVV-së, Armend Baloku, e pyeti Muhaxherin nëse e njihte familjen Sylaj dhe Jeton Sylajn.

Muhaxheri u pyet a njeh familjen Sylaj dhe Jeton Sylajn

“Nuk e di, jo”, tha ai.

Baloku e pyeti gjithashtu nëse në komunë kishte pasur raste kur persona me ndikim shoqëror apo politik kishin kërcënuar zyrtarët komunalë, duke përmendur edhe një incident mes Muhaxherit dhe një qytetari.

Baliku: Çfarë ka ndodhur në incidentin mes teje dhe një qytetari

“A ka pasur raste në komunë që persona me ndikim në shoqëri me ndikim politik a ka kërcënuar zyrtarë të Pejës. Çfarë ka ndodhur në incidentin mes teje dhe një qytetari. Mos ka pasur ndonjë ndërhyrje”, pyeti ai.

Muhaxheri tha se nuk ka pasur.

Në fund, Baloku e pyeti nëse njihej me ish-kryeprokurorin e Pejës, tashmë të shkarkuar.

Muhaxheri konfirmoi se njihej me të, por tha se kishte pasur përvoja të këqija dhe se ishin ndarë në raporte jo të mira.

Ai tha se po të thirrej nga prokuroria do të shkonte.

Muhaxheri: Po të thirresha nga prokuroria do të shkoja

“Po me të keni përvoja të këqija dhe jemi ndarë keq me të. Veç me më thirrë në prokurori, zakonisht për dallim prej tjerëve unë shkoj aty”, tha Muhaxheri.

Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, i ka cilësuar si politike kërkesat për dorëheqjen e tij nga kjo pozitë, pas vrasjes së Arlinda Zekajt.

Pas intervistimit të tij nga komisioni hetimor, ai tha se me këto kërkesa do të ballafaqohet nëse ato vijnë nga kandidatët për kryetarë të komunës.

Muhaxheri: Kërkesat kur të dalin nga kandidatë për kryetarë komune ballafaqohemi

“Ato kërkesa janë politike, unë nuk merrem, ato kërkesa kur të dalin nga kandidatë për kryetarë komune ballafaqohemi”, tha ai.

Ai tha se nuk është prononcuar për rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt para se të flisnin organet kompetente, duke e cilësuar rastin si tepër tragjik për t’u politizuar.

Muhaxheri: Rasti është tepër tragjik për ta politizuar

“Rasti është tepër tragjik për ta politizuar, për këtë arsye unë dhe stafi im nuk jemi prononcuar para se të prononcohen organet”, tha ai.

Muhaxheri dëshmon për rastin e Arlinda Zekajt, tregon kërkesat e QPS-së për siguri

Nga: Bota sot

Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, ka dëshmuar sot para Komisionit Hetimor të Kuvendit të Kosovës për rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt.

Gjatë pyetjeve të kryetarit të Komisionit, Burim Ramadani, dhe deputetit të LVV-së, Armend Baloku, Muhaxheri ka folur për funksionimin e Drejtorisë për Punë Sociale dhe Qendrës për Punë Sociale (QPS), si dhe për emërimet në këtë institucion.

Ai ka sqaruar se drejtoresha aktuale e QPS-së është ushtruese e detyrës dhe se është emëruar pas pensionimit të drejtoreshës paraprake.

I pyetur për një takim të mundshëm mes drejtoreshës dhe Arlinda Zekajt, Muhaxheri nuk e ka përjashtuar mundësinë, por ka thënë se nuk i di detajet.

Ndërkaq, ai ka bërë të ditur se QPS-ja i kishte kërkuar Komunës vendosjen e një detektori sigurie në hyrje të objektit, nga frika e hyrjes së personave të armatosur, si dhe angazhimin e një personi më të fuqishëm për sigurimin e qendrës.

Nis intervistimi i Gazmend Muhaxherit nga Komisioni Hetimor për rastin e Arlinda Zekajt

Nga: Bota sot

Ka filluar intervistimi i kryetarit të Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, nga Komisioni Hetimor Parlamentar, i cili po heton veprimet dhe mosveprimet institucionale në rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt.

Intervistimi i Muhaxherit vjen pas dëshmisë së drejtoreshës së Qendrës për Punë Sociale (QPS) në Pejë, Shpresa Lukaj, e cila është intervistuar lidhur me trajtimin institucional të rastit.

Gjatë raportimit para Komisionit, Lukaj ka deklaruar se menaxherja e rastit të Arlinda Zekajt ka pasur monitorime të vazhdueshme. Megjithatë, ajo ka pranuar se në dokumentacionin e rastit nuk ka pasur plan individual, ashtu siç kërkohet me ligj.

Lukaj ka thënë se zyrtarët e QPS-së kanë punuar me formularët që kanë pasur në dispozicion, ndërsa ka bërë të ditur se pas të gjeturave të Komisionit do të ndërmerren masa.

Komisioni Hetimor Parlamentar po shqyrton përgjegjësitë institucionale në rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt, si dhe mënyrën e trajtimit të rasteve të dhunës ndaj fëmijëve dhe grave në familje.

Vrasja e Arlinda Zekajt, drejtoresha e QPS-së pyetet: Në krejt këtë periudhë ku qëndronte fëmija, a është marrë dikush me nënën

Nga: Bota Sot

Drejtoresha e Qendrës për Punë Sociale (QPS) në Pejë, Shpresa Lukaj, ka deklaruar para Komisionit Hetimor Parlamentar se menaxherja e rastit të Arlinda Zekajt ka pasur monitorime të vazhdueshme, ndërsa ka pranuar se në dokumentacionin e rastit nuk ka pasur plan individual, siç kërkohet me ligj.

Gjatë intervistimit të saj lidhur me veprimet dhe mosveprimet institucionale në rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt dhe trajtimin e dhunës ndaj fëmijëve dhe grave në familje, Lukaj ka thënë se zyrtarët e QPS-së kanë punuar me formularët që kanë qenë në dispozicion, ndërsa pas të gjeturave do të merren masa.

Lukaj: Këta formularë, kjo formë e punës vetëm ka qenë, kanë punuar edhe zyrtarët në këto forma

“Këta formularë, kjo formë e punës vetëm ka qenë, kanë punuar edhe zyrtarët në këto forma, do të marrim masa tash tek të gjeturat”, tha ajo.

E pyetur nga deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, nëse ishte në dijeni se në rastin konkret nuk kishte pasur plan individual, siç e kërkon ligji, Lukaj u përgjigj:

Lukaj: Ashtu kanë vepruar, ashtu kanë punuar

“Ashtu kanë vepruar ashtu kanë punuar”, tha ajo.

Lukaj tha se asnjëherë nuk ishte takuar drejtpërdrejt me të ndjerën.

Lukaj: Asnjëherë nuk jam takuar drejtpërdrejt me të ndjerën

“Asnjëherë nuk jam takuar drejtpërdrejt me të ndjerën”, tha ajo.

Ndërkaq, lidhur me ankesën e Arlinda Zekajt ndaj zyrtarëve të QPS-së, të cilën e kishte adresuar pas raportimit të dhunës në familje më 10 korrik, Lukaj tha se institucioni kishte pranuar një ankesë për trajtim të njëanshëm të rastit.

Lukaj: Kemi pasur një ankesë për zyrtarin në rastin e raportimit të dhunës

“Kemi pasur një ankesë kur ka qenë me 10 korrik, ankesë për zyrtarin që ka marrë pjesë në rastin e raportimit të dhunës. Sipas saj, ka menduar se i është bërë trajtim i njëanshëm. Ne na është drejtuar, i kemi kthyer përgjigje, e kemi pa të arsyeshme, sepse ka qenë e pabazë”, tha ajo.

Deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, e pyeti nëse ishte njoftuar se nuk kishte pasur monitorim të mjaftueshëm të menaxhimit të lëndës nga personi përgjegjës.

Kica-Xhelili: A ka pasur monitorim të mjaftueshëm të menaxhimit të lëndës

“A jeni njoftuar qe nuk ka pasur monitorim të mjaftueshëm të menaxhimit të lëndës nga personi që ka pasur në menaxhim”, pyeti ajo.

Lukaj tha se ka pasur monitorime të vazhdueshme.

Lukaj: Menaxherja e rastit ka pasur monitorime të vazhdueshme

“Nuk besoj se ka qenë kjo, menaxherja e rastit ka pasur monitorime të vazhdueshme”, tha ajo.

Kica-Xhelili ngriti edhe çështjen e trajtimit të dy përfituesve të rastit, viktimës dhe fëmijës.

Kica- Xhelili: Në krejt këtë periudhë ku qëndronte fëmija, a është marrë dikush me nënën

“Përgjatë periudhës të trajtimit të lëndës, në kuptimin e punës janë dy përfitues viktima dhe fëmija, në krejt këtë periudhë ku qëndron fëmija, a është marrë dikush me nënën dhe nga ajo që po thoni ju se mos nuk ka konsideruar që të bëjë një rivlerësim të rrezikshmërisë”, tha Kica.

Drejtoresha tha se Arlinda Zekaj asnjëherë nuk është paraqitur e rrezikuar.

Lukaj: Arlinda Zekaj asnjëherë nuk është paraqitur e rrezikuar

“Po. Tek ne asnjëherë nuk është paraqitur e rrezikuar. Ajo ka qenë në polici, e kemi monitoruat rastin, e kemi kryer procedurën që na përket neve”, tha ajo.

Deputetja e LDK-së ngriti gjithashtu çështjen e formularit 003, duke thënë se në një nga rubrikat ku kërkohej të deklarohej nëse personi kishte kryer ndonjë vepër penale, nuk kishte përgjigje as me po dhe as me jo.

Kica-Xhelili: Në një formular kur pyeten nëse Jeton Sylaj ka kryer ndonjë vepër penale nuk ka përgjigje: as po, as jo

“Në një formular kur pyeten në qoftë se Jeton Sylaj nëse ka kryer ndonjë vepër penale ka qenë nuk ka përgjigje: as po, as jo, a keni qenë e informuar se një nga formularët kryesorë nuk kanë qenë i plotësuar nga zyrtarët”, tha ajo.

Lukaj u përgjigj shkurt se kjo mund të ketë ndodhur për shkak të formularit.

Lukaj: Ndoshta për shkak të formës

“Ndoshta për shkak të formës”, tha ajo.

Ndërkaq, kryetari i Komisionit, Burim Ramadani, e pyeti nëse kishte pasur ndërhyrje nga jashtë, qoftë nga institucionet, politika apo bizneset, në punën e Qendrës për Punë Sociale lidhur me këtë rast.

Ramadani: A ka pasur ndërhyrje nga jashtë

“A ka pasur ndërhyrje nga jashtë edhe institucioneve, ndërhyrje politike apo biznese”, tha ai.

Drejtoresha e QPS-së u përgjigj shkurt.

Lukaj: Absolutisht jo

“Absolutisht jo”, tha lukaj.

Pas saj do të intervistohet kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat