Dështojnë dy rezolutat në Kuvend, nuk kalojnë ato për shëndetësinë dhe energjinë

Aktuale

Dështojnë dy rezolutat në Kuvend, nuk kalojnë ato për shëndetësinë dhe energjinë

Nga: Bota sot Më: 26 nëntor 2026 Në ora: 07:48 Përditësuar në ora: 17:20 më 26.11.2026
Kuvendi i Kosovës

​Kurti zbulon afatin kur Kosova pritet të prodhojë municionin e parë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se deri në fund të dhjetorit të vitit 2026 pritet të përfundojë pjesa prodhuese e fabrikës së municionit në Gjakovë dhe të realizohet prodhimi i parë testues. Ndërsa laboratorët, depot dhe objektet e tjera të kompleksit parashihet të përfundojnë gjatë vitit 2027.

Këto deklarata Kurti i bëri në seancën e Kuvendit të Kosovës, në përgjigje të pyetjes së deputetes së Partisw Demokratike tw Kosovws, Besa Kabashi-Ramaj, e cila kërkoi sqarime për financimin, detyrimet financiare dhe afatet e funksionalizimit të fabrikës.

Kurti tha se kompleksi industrial për prodhimin e municioneve në Gjakovë është projekt strategjik për vendin dhe për rritjen e kapaciteteve mbrojtëse.

Sipas tij, prodhimi vendor do të forcojë qëndrueshmërinë e Kosovës në furnizimin me municione për ushtrinë, policinë dhe institucionet e tjera të sigurisë, duke ulur varësinë nga prodhuesit e huaj.

Kurti: Fabrika e municionit në Gjakovë projekt strategjik për rritjen e kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës

“Ndër prioritet kyçe të Qeverisë së Republikës së Kosovës për fushën e mbrojtjes është edhe zhvillimi i industrisë së mbrojtës dhe krijimi i kapaciteteve vendore-prodhuese. Lufta e fundit e pas agresionit rus në Ukrainë ka treguar që mund ta kesh paranë e botes, por, kur të nevojitet më së shumti municioni nuk e blen dot sepse nuk ta shet askush. Edhe në ketë mandat do të përqendrohemi për zhvillimin e kësaj industrie. Në këtë kuadër, Kompleksi industrial për prodhimin e municioneve në Gjakovë është projekt strategjik për vendin dhe për rritjen e kapaciteteve tona mbrojtëse. Prodhimi vendor do të forcojë vet qëndrueshmërinë e Kosovës me furnizimin me municione për ushtrinë, policinë, dhe institucionet e tjera të sigurisë. Në kushtet e mungesave në nivel global të shkaktuara nga luftërat dhe kërkesa e shtuar, ky kapacitet do të rrisë sigurinë e furnizimit dhe do të ulë varësinë tonë nga prodhuesit e huaj. Ju e dini që ne kemi blerë shumë municion dhe armatim, por, ato nuk janë prodhimi ynë, dhe ne dëshirojmë që kjo të ndryshojë në vitet në vijim”, ka thënë Kurti.

Ai bëri të ditur se para nënshkrimit të kontratës janë realizuar dy studime të fizibilitetit nga dy kompani të vendeve anëtare të NATO-s.

Sa i përket ndarjes prej një milion eurosh në projektbuxhetin e vitit 2027 për projektin “Rrethoja e sigurisë, parku industrial i mbrojtjes”, Kurti sqaroi se kjo shumë i referohet rrethojës së zonës së përgjithshme industriale, e cila përfshin 144 hektarë.

Kurti: Kontrata për fabrikën e municionit në Gjakovë është paguar plotësisht, prodhimi testues nis deri në fund të vitit 2026

“Për këtë projekt është lidhur kontratë e klasifikuar me kompaninë shtetërore turke MKE, pagesa e kontratës është realizuar plotësisht, dhe nuk ka detyrime të papaguara financiare ndaj MKE-së. Për nënshkrime të kontratës janë realizuar dy studime të fiizbilitetit nga dy kompani, vende anëtare të NATO-s. Sa u përket ndarjeve buxhetore, projekti dhe ndarja prej 1 milion eurosh për rrethojnë e sigurisë, parku industrial i mbrojtës, i referohet rrethojës së zonës së përgjithshme industriale e cila përfshin 144 hektarë. Kjo është ndarje e veçantë nga ndërtimi dhe funksionalizmi i kompleksit të prodhimit të municioneve, kompleksi shtetëror do të ketë murin e vet rrethues i cili do të ndërtohet po ashtu nga MKE-ja. Deri në fund të dhjetorit 2026 parashihet të përfundojë pjesa prodhuese e fabrikës dhe të realizohet prodhimi i parë testues i municioneve. Laboratorët, depot dhe objektet e tjera të kompleksit parashihen të përfundojnë gjatë vitit 2027. Ministria e Mbrojtës tashmë e ka rekrutuar stafin që do të punojë në fabrike, para fillimit të prodhimit testues punonjësit do të ndjekin trajnimin specialistik në Turqi. Në fazën fillestare ata janë angazhuar përmes një projekti trevjeçar në të cilin janë planifikuar pagat dhe shpenzimet përkatëse”, theksoi Kurti.

Ndërkaq, deputetja Besa Kabashi-Ramaj kërkoi të dijë se në cilin program, nënprogram dhe projekt buxhetor është paraparë financimi i fabrikës për vitin 2027, me çfarë kodi dhe me çfarë shume konkrete.

Ajo po ashtu kërkoi informacione për vlerën e përgjithshme të detyrimeve financiare që rrjedhin nga marrëveshja me kompaninë turke, shumën e paguar deri më tani dhe afatin aktual të funksionalizimit të fabrikës.

Kabashi-Ramaj kërkon sqarime për financimin dhe detyrimet financiare të fabrikës së municionit në Gjakovë

“Qeveria ka njoftuar marrëveshjen me kompaninë shtetërore turke MGE siç ke premtuar edhe gjatë fjalimit tënd për ndërtimin dhe funksionalizimin e fabrikës së municionit duke paralajmëruar fillimin e prodhimit në vitin 2026 . Megjithatë, në projektbuxhetin për 2027 në tabelën 32 faqja 172 figuron projekti me kod 212252 i emërtuar rrethoja e sigurisë, parku industrial i mbrojtjes dhe kemi vetëm ketë me një ndarje prej 1 milion eurosh në kategorinë e projekteve kapitale, nëse nuk identifikohet veçmas financimi për ndërtimin, pajisjen dhe funksionalizmin e fabrikës. Në cilën program, nënprogram dhe projekt buxhetor, më cilin kod, dhe me çfarë shume konkrete është paraparë financimi i fabrikës së municionit në Gjakovë për vitin 2027, sa është vlera e përgjithshme e detyrimeve financiare që rrjedhin nga marrëveshja me MKE-në, sa mjete janë paguar deri më tani. Cili është afati aktual për funakionalizimin e fabrikës”, ka thënë Kabashi-Ramaj.

Në fund, Kurti tha se nuk është e dobishme që emrat e kompanive dhe shtetet prej nga vijnë ato të bëhen publike, pasi sipas tij, kjo mund t'u mundësojë kundërshtarëve dhe armiqve të Kosovës t'u qasen atyre.

Kurti: Nuk është e dobishme të publikohen emrat e kompanive që po bashkëpunojnë me Kosovën në industrinë e mbrojtjes

“Nuk mendoj se është e dobishme të tregohet se cilat janë kompanitë, nga cilat shtete publikisht, që pastaj kundërshtarët e armiqtë e Republikës së Kosovës të ju qasen atyre. Është gabim”, deklaroi Kurti.

​Rrahmani përballet me Kurtin për edukimin seksual në shkolla

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Eman Rrahmani, gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës ka ngritur sot çështjen e përfshirjes së temave për orientimet seksuale në shkolla, duke kërkuar nga kryeministri Albin Kurti të sqarojë arsyet e promovimit të këtyre temave në sistemin arsimor.

Rrahmani fillimisht kërkoi që të respektohet Rregullorja e Kuvendit dhe e drejta e deputetëve për të bërë pyetje dhe për të diskutuar çështje që lidhen me dokumentet dhe angazhimet e trajtuara në Kuvend, raporton KosovaPress.

Duke iu drejtuar kryeministrit Kurti, ai rikujtoi se në paraqitjen e punës katërvjeçare të Qeverisë, ndër të arriturat në arsim ishte përmendur edhe përfshirja e mësimit për orientimet seksuale në shkolla.

Rrahmani- Kurtit: Njeriu mund të zgjedhë gjininë dhe të martohet me kë të dëshirojë

“Ju e konsideroni arritje kryesore, në fakt, në arsim që fëmijëve t'u paraqiten si vlerë civilizuese ideja se njeriu mund të zgjedhë gjininë dhe të martohet me kë të dëshirojë, përfshirë me një person të së njëjtës gjini. Kryeministër, përse ua ofroni këtë fëmijëve të këtij vendi?”, pyeti Rrahmani.

Në përgjigjen e tij, kryeministri Albin Kurti tha se për çështjen e doracakut për të cilin ishte zhvilluar debat publik, ai kishte dhënë sqarime edhe më herët, duke iu referuar një video-adresimi të publikuar më 17 nëntor 2024.

Kurti: Është gjithmonë mirë të flitet për arsimin dhe të drejtat e njeriut

“Është gjithmonë mirë të flitet për arsimin dhe të drejtat e njeriut, dy fusha që kërkojnë jo vetëm vëmendje, por mbi të gjitha një kuptim të thellë dhe të saktë të dokumenteve dhe standardeve”, deklaroi Kurti.

Ai shtoi se nuk kishte diçka të re për të shtuar lidhur me këtë çështje, duke iu referuar sqarimeve të dhëna më parë.

Ndërkaq, duke iu përgjigjur pjesës për arritjet në arsim gjatë mandatit të tij, Kurti përmendi arsimin publik pa pagesë në nivelin bachelor dhe master, bursat për studentët, mbështetjen për vajzat në fushat STEM, si dhe investimet në edukimin e hershëm dhe gjithëpërfshirës.

Kurti: Mbi 173 mijë studentë në bachelor e master janë liruar nga pagesat

“Arsimin publik pa pagesë, për herë të parë mbi 173 mijë studentë në nivelin bachelor dhe master janë liruar nga pagesat”, tha Kurti.

Ai gjithashtu bëri të ditur se gjatë mandatit të Qeverisë së tij janë ndarë 18 mijë bursa, në vlerë prej 20 milionë eurosh, duke theksuar se një pjesë e konsiderueshme e tyre kanë qenë të dedikuara për vajzat dhe gratë në shkencë, teknologji, inxhinieri dhe matematikë.

Kurti përmendi edhe rritjen e numrit të fëmijëve në çerdhe për 33 për qind, shtimin e asistentëve për fëmijët me nevoja të veçanta dhe mbështetjen financiare për familjet.

“Në mandatin Kurti 2 janë ndarë 18 mijë bursa, 20 milionë euro dhe rreth 40 për qind e bursave janë pikërisht për STEM, dhe aty 90 për qind janë për gra dhe për vajza”, deklaroi kryeministri.

Në fund, ai theksoi se për herë të parë pas luftës, fëmijët dhe nënat lehona përfitojnë shtesa të rregullta financiare nga shteti.

Deputeti Rrahmani, ka vazhduar diskutimin me kryeministrin Albin Kurti lidhur me edukimin seksual në shkolla dhe trajnimin e mësimdhënësve për këtë çështje.

Rrahmani ka pretenduar se mbi dy mijë mësimdhënës janë trajnuar për edukimin seksual dhe ka kërkuar sqarime nga Kurti lidhur me përmbajtjen e këtyre trajnimeve.

Rrahmani ia përmend Kurtit paradat e LGBT-së

“Kryeministër, në paradat në të cilat keni marrë pjesë, sa herë keni dalë, njëra ndër diskutimet tuaja ka qenë pikërisht edhe kjo që po e flas unë. Domethënë, ku i informoni se tash e tutje fëmijët do të mësojnë për këto orientime seksuale. Folët edhe për çështjen e doracakut për edukimin seksual, i cili ka qenë i dedikuar për mësimdhënësit e Republikës. Në atë periudhë mbi dy mijë mësimdhënës janë trajnuar dhe në atë trajnim është shpjeguar që ata duhet t'i tregojnë edhe përvojat e tyre seksuale te fëmijët”, deklaroi Rrahmani.

Në përgjigjen e tij, kryeministri Kurti tha se të arriturat në arsim janë të paraqitura në përmbledhjen e publikuar një ditë më parë, ndërsa kritikoi Rrahmanin për rikthimin e vazhdueshëm te e njëjta temë.

Kurti-Rrahmanit: Seksi, gjinia, orientimi seksual provoni t'i mbani mend diku tjetër

“Edhe një herë, deputeti Rrahmani, të arriturat për arsim i gjeni në faqet 20 dhe 21 të kësaj përmbledhjeje, të cilën e kam publikuar dje. Këtu ka shumë gjëra, por unë po e kuptoj dhe po e ritheksoj që nuk e mirëkuptoj që ju e risillni edhe një variant tjetër të së njëjtës temë, gjithmonë seksi, gjinia, orientimi seksual, provoni ndoshta t'i mbani mend diku tjetër, se mbase ndihmon”, u përgjigj Kurti.

​Përplasjet në Kuvend për shkarkimin e 4 anëtarëve të KPMSHCK-së, opozita akuzon për prapavijë politike

Kuvendi i Kosovës është duke shqyrtuar rekomandimin e Komisionit për Administratë Publike, Digjitalizim, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal për shkarkimin e katër anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMSHCK).

Kryetari i këtij komisioni, Albert Kinolli, ka prezantuar rekomandimin për shkarkimin e Malsore Gashi-Bajraktarit, Eshref Shabanit, Ardita Haxhnikaj-Demit dhe Arben Mehmetit.

Gjatë debatit parlamentar, deputetët e opozitës kanë kundërshtuar këtë rekomandim, duke e cilësuar si iniciativë me prapavijë politike, ndërsa deputetet e Lëvizjes Vetëvendosje kanë akuzuar ligjshmërinë e vendimmarrjes së këtij këshilli.

Deputeti i PDK-së, Fadil Demaku, ka thënë se anëtarët e këtij institucioni kanë kryer detyrat e tyre dhe se iniciativa për shkarkimin e tyre ka për qëllim zëvendësimin me anëtarë të rinj.

Demaku: Iniciativa për shkarkimin e katër anëtarëve të KPMSHCK-së ka prapavijë politike

“Për 2 vite, qeveria e Kosovës, me kryeministrin Albin Kurti, ka qëndruar në detyrë, ka marrë vendime tepër të mëdha të cilat kanë peshë të jashtëzakonshme për vendin dhe për qytetarët. Dhe ka pasur një vendim të Gjykatës Supreme se kanë bërë shkelje, sepse kanë mbajtur njëkohësisht 2 pozita. Dhe arsyetimi nga partia në pushtet ka qenë se ne s'kemi mund të lëmë vendin në vakum. Te rasti i këtyre anëtarëve, që krejt çështja është a kanë pasur kuorum, a s'kanë pasur kuorum. Por ajo çka është më e rëndësishmja është. Ata gjatë gjithë kohës punën e tyre e kanë kryer për atë që janë, kanë shqyrtuar gjithë ato ankesa të shërbyesve civilë të Kosovës. Mua më bën shumë të dyshoj që kjo iniciativë ka krejt bazë politike, qëllimi ka qenë që t'i zëvendësojnë këta anëtarë të mbetur me anëtarë të rinj”, tha Demaku.

Ndërkaq, deputeti i LVV-së, Fitim Haziri, ka vënë në pikëpyetje ligjshmërinë e vendimeve të kolegjeve të këtij këshilli, duke kërkuar sqarime nëse ato janë formuar në përputhje me ligjin.

Haziri: Doli edhe anëtari i këtij këshilli, tha që jam krenar që i takoj Partisë Demokratike të Kosovës

“A jeni në dijeni, se për cilin këshill jemi duke folur? Është ky këshill që ju ditë e natë keni mbajtur edhe nëpër komisione, edhe nëpër emisione televizive, keni kritikuar qeverinë Kurti se po paguan paga për punëtorë serbë të cilët nuk vijojnë punën, ndërsa është ky këshill, që ku e ke vendimin e këtij këshilli, që ky këshill e ka obliguar ministrinë, që krejt ata punëtorë që kanë qenë nëpër institucionet e Republikës së Kosovës dhe s'kanë vijuar asnjë ditë pune, kanë marrë paga pa shkuar në punë, e ka obliguar qeverinë me i kthy në punë. Jemi duke folur për një këshill që me 16 tetor 2024 ka mbajtur mbledhje, ku ka pas kurum dhe nuk ka vendosur për kolegje...Po fol për pavarësinë e këtij këshilli, por me të vërtetë ky këshill ka qenë në koordinim të vazhdueshëm me juve. Saqë doli edhe anëtari i këtij këshilli, tha që jam krenar që i takoj Partisë Demokratike të Kosovës”, tha ai.

Derisa, deputeti nga Lidhja Demokratike e Kosovws, Armend Zemaj, ka thwnw se raporti është mbështetur në vlerësime të deputetëve të LVV-së dhe se pyetjet e ngritura ndaj anëtarëve të këshillit kanë pasur më shumë karakter politik sesa ligjor e funksional.

Zemaj: Raporti për shkarkimin e anëtarëve të KPMSHCK-së ka prapavijë politike

“Do të duhej të ishte e sinqertë nga kryetari i komisionit që të theksonte papajtueshmërinë me këtë raport të deputetëve që janë anëtarë të këtij komisioni. Unë e kam pasur mundësinë që për herë të parë të jem pjesë e këtij komisioni... Dhe më vonë është kuptuar që deputetët e lëvizjes Vetëvendosje kanë dilema sa i përket funksionit të tyre ose përgjegjësive funksionale që i kanë në raport me vendimmarrjen si anëtarë të këtij këshilli. Ashtu siç është theksuar, ata janë ngarkuar me disa pyetje të cilat për mendimin tim, pa dashur me u kufizu në interpretimet ligjore, më shumë politike e kam thënë që janë shumë pyetje të cilat e ngarkojnë me qëllime politike sesa ligjore dhe funksionale, edhe kjo ka rezultuar tash me këtë raport. Ajo çka duhet theksuar është se kjo shkelje, e cila është konstatuar, është konstatuar vetëm nga deputetët e lëvizjes Vetëvendosje dhe kryetari i komisionit”, tha Zemaj.

Gjatë fjalimit të tij, deputeti nga Aleanca, Besnik Tahiri, ka vendosur në foltore një skemë të vizatuar në letër, në formë trekëndëshi, për të ilustruar raportin ndërmjet Qeverisë së Kosovës, Kuvendit dhe Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.

Duke iu referuar skemës, Tahiri ka shpjeguar kompetencat e këtyre institucioneve, ndwrsa ka kundërshtuar shkarkimin e katër anëtarëve të Këshillit.

Tahiri: Po shkarkohen katër anëtarë të Këshillit, të cilëve u kanë mbetur edhe disa muaj mandat

“Në qoftë se e shihni poshtë trekëndëshin, në këtë anë e keni një institucion, një organizatë të madhe buxhetore, që e ka emrin Qeveria e Kosovës, e cila është përgjegjëse për rekrutimin e shërbyesve civil, por në të njëjtën kohë, në kuadër të vendimmarrjes në kabinetin e qeverisë, po ashtu në emërimin dhe përzgjedhjen e anëtarëve të agjencive të ndryshme ekzekutive, ndërsa në anën tjetër jemi ne, Parlamenti i Kosovës, i cili ekskluzivisht e ka të drejtën për të zgjedhur kryesisht zyrtarë të lartë publikë që janë në institucionet e pavarura të Republikës së Kosovës, në institucion i tillë është edhe ky institucion, i cili, me sa di unë, rregullohet me nenin 101, paragrafin 2 të Kushtetutës, dhe po ashtu agjenci të tjera të cilat rregullohen me nenin 142. Tani, siç e shihni në majë të kësaj, është gjykata. Respektivisht, Këshilli i Pavarur. Ajo që po bëjmë sot është, po e bëjmë një shkarkim të 4 anëtarëve të cilëve ju kalon mandati edhe për disa muaj”, tha ai.

Deputeti i LVV-së, Egzon Azemi, ka kundërshtuar qëndrimet e opozitës, duke akuzuar KPMSHCK-në se ka marrë vendime në dëm të interesit të qytetarëve. Ai ka përmendur rastin e një zyrtareje të Ministrisë, e cila, sipas tij, ishte rikthyer në punë nga ky këshill, ndonëse kishte vepruar gabimisht në trajtimin e një ankese që lidhej me një kompani të naftës.

Azemi: KPMSHCK-ja e riktheu në punë zyrtaren që mbrojti kompaninë e naftës në vend të qytetarëve

“E bëri gjithë këtë shfaqjeje në emër të moskapjes, por, a e dini se çka është KPMSHCK-ja. A e dini kë e ka kthyer në punë, një zyrtare e ministrisë është zënë me dokument, sepse, e ka dërguar vet një email gabimisht, që në vend me mbrojt qytetarin që është dëmtuar nga kompanitë e naftës, e ka dërguar gabimisht ankesën që vet zyrtarja e ministrisë e ka dërguar duke e mbrojt kompaninë e naftës, gabimisht e ka dërguar emailin në institucion. KPMSHCK-ja e ka rikthyer në punë, ne vend me mbrojt interesin e qytetarëve e ka mbrojt zyrtaren që nuk i mbron qytetarët. Mandej, vini ankoheni që po rriten çmimet e naftës, nuk po ka kontrolle, pra, ka pas kontrolle, është gjobitur një kompani e naftës, zyrtarja në këtë rast që është po ashtu e afërt me Aleancën...E keni friken dhe dhimbjen sepse po e dini se po ç ‘kapen këto institucione ”, tha Azemi.

​Kuvendi zgjodhi anëtarët e rinj të Bordit të RTK-së, këta janë emrat

Kuvendi i Kosovës ka zgjedhur dy anëtarë të rinj të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, ndërsa procesi për plotësimin e dy pozitave të rezervuara për përfaqësuesit e komunitetit shqiptar do të nisë nga e para, me shpalljen e një thirrjeje të re publike.

Kuvendi i Kosovës ka zgjedhur Ana Kostiçin anëtare të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës nga komuniteti serb me mandat dyvjeçar dhe Aldin Shabanin nga komunitetet e tjera joshumicë me mandat dyvjeçar.

Gjatë seancës, kryetarja e Kuvendit bëri të ditur emrat e kandidatëve të propozuar për anëtarë të bordit të RTK-së nga radhët e komuniteteve joshumicë.

Sipas raportit të Komisionit Zgjedhor, në votim morën pjesë 96 deputetë.

Ana Kostiç mori 52 vota, ndërsa kandidatja tjetër, Tamara Jorgiq, mori 30 vota. Në garën për përfaqësuesin nga komunitetet e tjera joshumicë, Aldin Shabani mori 70 vota, ndërsa Zylejha Mustafa mori 16 vota.

Për këtë proces, kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu tha se kuvendi votoi për Komisionin Zgjedhor.

Haxhiu- Kuvendi votoi komisionin ad hoc. Komisionin zgjedhor

“Me 72 vota. 73 vota për, asnjë kundër, asnjë abstenim. Konstatoj se Kuvendi votoi komisionin ad hoc. Komisionin zgjedhor” tha Haxhiu.

Rezultatet e votimit i bëri të ditura deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Egzon Azemi.

“Gjithsej kanë votuar 96 deputetë, ndërsa të pavlefshme janë 9 fletëvotime. Ana Kostiç, nga komuniteti serb, ka fituar 52 vota, ndërsa Tamara 13 vota. Ndërkohë, kandidatja e propozuar nga komunitetet joshumicë, Zyleha Ustaibo Mecihan, ka fituar 16 vota, ndërsa Aldin Shabani ka marrë 10 vota”, tha Azemi.

Ndërkohë, për dy ulëset e komunitetit shqiptar në Bordin e RTK-së do të përsëritet shpallja, ndërsa mandati i anëtarëve u përcaktua me short. 

Përplasje mes Nagavcit dhe Musliut për zgjedhjen e anëtarëve të Bordit të RTK-së

Në Kuvendin e Kosovës është duke u shqyrtuar pika për zgjedhjen e dy anëtarëve nga komuniteti shqiptar, një anëtari nga komuniteti serb dhe një anëtari nga komunitetet joshumicë në Bordin e Radiotelevizionit të Kosovës (RTK).

Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci, gjatë prezantimit të raportit ka bërë të ditur se procesi i intervistimit nuk ka prodhuar kandidatë të propozuar për votim, për shkak të mosparaqitjes së tyre në intervista.

Nagavci- Nuk kemi arritur të kemi kandidatë që plotësojnë kriteret

“Gjatë intervistave që janë zhvilluar, nuk kemi arritur të kemi kandidatë që plotësojnë kriteret për t’u prezantuar këtu në seancë. Do të vazhdojmë me propozimet vetëm për anëtarët nga komunitetet joshumicë, jo shqiptarë dhe jo serbë”, deklaroi Nagavci.

Ndërkaq, deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, tha se problemi nuk qëndron te mos përmbushja e kritereve, por te tërheqja e kandidatëve nga procesi i konkurrimit.

Musliu- Janë tërhequr të gjithë nga gara dhe nuk është paraqitur asnjëri prej tyre në intervistim

“Nuk është që nuk i kanë plotësuar kriteret, por janë tërhequr të gjithë nga gara dhe nuk është paraqitur asnjëri prej tyre në intervistim. Kjo çështje duhet të na shqetësojë të gjithëve. Ne duhet të krijojmë kushte dhe të inkurajojmë profesionistët dhe njerëzit që mund të kontribuojnë në këtë fushë, që të mos frikësohen dhe procedurat të vazhdojnë pa ndikime politike”, tha Musliu.

Ajo kërkoi gjithashtu që raporti të pasqyrojë në mënyrë të saktë rrjedhën e procesit, duke theksuar se asnjëri nga kandidatët që kishin aplikuar nuk ishte paraqitur në intervistë.

Në replikën e saj, Arbërie Nagavci sqaroi se gjashtë kandidatë i kishin plotësuar kriteret për të kaluar në fazën e intervistimit, por vetëm njëri kishte njoftuar se nuk mund të merrte pjesë për shkak se ndodhej jashtë vendit, ndërsa pesë të tjerët nuk ishin paraqitur fare.

Nagavci- Nuk kemi propozime për seancë

“Është e vërtetë që kanë qenë gjashtë kandidatë që i kanë plotësuar kriteret për të qenë pjesë e intervistave. Njëri është lajmëruar se nuk mund të vijë pasi ishte jashtë vendit, ndërkaq pesë kandidatët e tjerë nuk kanë marrë pjesë fare në intervistë. Andaj nuk kemi propozime për seancë dhe besoj se do të rishpallet konkursi”, deklaroi Nagavci.

Tri nisma qytetare në Kuvend, komisionet parlamentare do t`i hartojnë projektligjet

Tri nisma legjislative të qytetarëve do të trajtohen nga komisionet parlamentare funksionale, të cilat do të marrin përsipër hartimin e projektligjeve përkatëse.

Propozimi është paraqitur nga Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, dhe ka marrë mbështetjen e përfaqësuesve të grupeve parlamentare.

Nismat përfshijnë rishikimin e kufijve administrativë të komunave, hartimin e një ligji për parandalimin e vetëvrasjes, si dhe mundësinë e pensionimit të vullnetshëm të parakohshëm për mësimdhënësit nga mosha 55 deri në 64 vjeç, në arsimin parauniversitar.

Kjo e fundit parasheh edhe plotësim-ndryshimin e legjislacionit për arsimin parauniversitar.

Gjatë prezantimit të propozimit, Haxhiu ka rikujtuar se legjislacioni për nismat qytetare përcakton përgjegjësinë e Kuvendit për hartimin e projektligjeve, kur qytetarët paraqesin kërkesa të tilla.

Ajo ka kërkuar që puna të zhvillohet përmes komisioneve që tashmë funksionojnë në Kuvend, pa krijuar trupa të veçantë për këtë proces.

Kuvendi nuk miraton dy rezoluta për shëndetësinë dhe energjinë

Kuvendi i Kosovës ka vazhduar punimet me shqyrtimin e pikave të mbetura të rendit të ditës, por deputetët nuk kanë arritur të miratojnë dy rezoluta që lidhen me çështje të rëndësishme, atë të mungesës së barnave për pacientët me kancer dhe gjendjen në sektorin e energjisë elektrike.

Në vazhdimin e seancës së Kuvendit të Kosovës nuk ka kaluar rezoluta e propozuar pas interpelancës së ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, e cila ishte thirrur pas vdekjes së një pacienteje me kancer, së cilës i kishte munguar njëri nga barnat e nevojshme për terapinë e saj.

Po ashtu, deputetët nuk kanë miratuar as rezolutën që buronte nga mocioni përmbajtjesor lidhur me gjendjen në planifikimin, çmimin dhe furnizimin me energji elektrike.

Për rezolutën e parë kanë votuar vetëm 27 deputetë, ndërkohë kundër kanë votuar 49. 

Ndërkohë për të dytën 27 deputetë kanë votuar për dhe 51 kanë qenë kundër. 

Nagavci: Nuk kemi kandidatë për anëtar në Bordin e RTK-së

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka njoftuar se procesi i intervistimit për anëtarët e Bordit të Radio Televizionit të Kosovës (RTK) nuk ka rezultuar me kandidatë që mund të propozohen në Kuvend.

Ajo ka thënë se janë zhvilluar intervistat për kandidatët nga komuniteti shqiptar, komuniteti joshumicë jo-serb dhe komuniteti shumicë serb, por për disa pozita nuk është arritur të sigurohet kandidaturë që plotëson kushtet për t'u proceduar në seancë.

Ajo ka bërë me dije se procesi do të vazhdojë me propozimin e nga dy kandidatëve për pozitat që u takojnë komuniteteve joshumicë jo-shqiptare dhe komunitetit shumicë serb, ndërsa Kuvendi do të votojë për një anëtar për secilën pozitë.

"Dy anëtarë nga komuniteti shqiptar, një anëtar nga komuniteti joshumicë jo serb dhe një anëtar nga komuniteti shumicë serb kanë zhvilluar intervistimet, vlen të përmendet se gjatë intervistave që janë zhvilluar nuk kemi arritur të kemi kandidatë që plotësojnë kriteret për t’u prezantuar në seancë, do të vazhdojmë me propozimet vetëm për anëtarët nga komuniteti joshumicë jo shqiptar dhe jo shumicë jo serb, gjithsej nga dy propozime për të dy rastet për një anëtar që do të votohet", ka deklaruar Nagavci.

Kuvendi shqyrton pikat e mbetura nga seancat e kaluara

uvendi i Kosovës ka vazhduar punimet e seancave të papërfunduara të 12, 13 dhe 19 nëntorit, ku në mesin e çështjeve kryesore janë votimi i rezolutës për mungesën e barnave onkologjike dhe ajo për gjendjen në sektorin e energjisë elektrike.

Gjatë vazhdimit të punimeve, deputetët pritet të votojnë propozim-rezolutën pas interpelancës me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, lidhur me rastin e pacientes me kancer të gjirit, e cila kishte mbetur katër muaj pa terapi, si dhe mungesën e barnave për pacientët onkologjikë.

Një tjetër pikë me rëndësi në rendin e ditës është votimi i propozim-rezolutës për gjendjen në planifikimin, çmimin dhe furnizimin me energji elektrike në Kosovë.

Përveç këtyre dy çështjeve, Kuvendi do të trajtojë edhe disa pika të tjera që kanë mbetur pa u përfunduar nga seanca e 19 nëntorit.

Në mesin e tyre janë procedimi i nismave legjislative të qytetarëve, emërimi i anëtarëve të Këshillit Kombëtar të Shkencës dhe zgjedhja e katër anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, dy nga komuniteti shqiptar, një nga komuniteti serb dhe një nga komunitetet jo shumicë.

Po ashtu, në rend dite është edhe rekomandimi për shkarkimin e katër anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.

Deputetët pritet të shqyrtojnë edhe propozimin e Grupit Parlamentar të LDK-së për zëvendësimin e një anëtari në Komisionin Parlamentar Hetimor për veprimet dhe mosveprimet institucionale lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt dhe trajtimin e dhunës ndaj fëmijëve dhe grave në familje.

Pas përfundimit të pikave të mbetura, Kuvendi ka të planifikuar edhe mbajtjen e seancës së rregullt, e cila është caktuar për në orën 13:00.

Kuvendi mblidhet sot në dy seanca plenare, në rend dite rezolutat për shëndetësinë dhe energjinë elektrike

Kuvendi i Kosovës pritet të mbajë sot, më 26 nëntor, dy seanca plenare. Seanca e parë, e cila është vazhdim i punimeve të papërfunduara nga seancat e kaluara, do të nisë në orën 10:00, ndërsa seanca e rregullt është caktuar për në orën 13:00.

Në seancën e parë pritet të shqyrtohen çështjet e mbetura nga seancat e 12, 13 dhe 19 nëntorit.

Ndër pikat kryesore të rendit të ditës është votimi i propozim-rezolutës pas interpelancës me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, lidhur me vdekjen e pacientes me kancer të gjirit, e cila kishte mbetur katër muaj pa marrë terapi, si dhe mungesën e barnave onkologjike.

Po ashtu, deputetët pritet të votojnë propozim-rezolutën për gjendjen në planifikimin, çmimin dhe furnizimin me energji elektrike në Kosovë.

Në këtë seancë do të shqyrtohet edhe procedimi i nismave legjislative të qytetarëve për hartimin e projektligjeve nga Kuvendi, si dhe emërimi i anëtarëve të Këshillit Kombëtar të Shkencës.

Një tjetër pikë e rendit të ditës është zgjedhja e katër anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës (RTK), dy nga komuniteti shqiptar, një nga komuniteti serb dhe një nga komunitetet joshumicë.

Gjithashtu, deputetët do të shqyrtojnë rekomandimin e Komisionit për Administratë Publike për shkarkimin e katër anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.

Në rend dite është përfshirë edhe propozimi i Grupit Parlamentar të LDK-së për zëvendësimin e një anëtari të këtij grupi në Komisionin Parlamentar Hetimor, i cili po trajton veprimet dhe mosveprimet institucionale lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt dhe trajtimin e dhunës ndaj fëmijëve dhe grave në familje.

Ndërkaq, seanca e rregullt e orës 13:00 do të nisë me miratimin e procesverbalit nga seanca e kaluar, deklarimet jashtë rendit të ditës dhe parashtrimin e pyetjeve parlamentare.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat