Ka ndërruar jetë në moshën 51- vjeçare Agron Kabashi.
Klubi bjeshkatar Sharri nga Prizreni shpreh pikëllimin e thellë për ikjen në amshim të bjeshkatarit të dalluar.
“Me dhimbje të thellë njoftojmë se mbrëmë është ndarë nga jeta Agron Kabashi, shoku ynë i maleve dhe anëtar i respektuar i komunitetit tonë.
Agroni ishte bjeshkatar i shkëlqyer, i orientuar, i qetë dhe i fortë, por mbi të gjitha shok i vërtetë. Me të janë realizuar qindra ngjitje në malet tona – në Sharr, Alpe dhe Korab – duke ndarë shtigje të vështira, mot të ashpër, lodhje dhe gëzim, ashtu siç dinë vetëm ata që e njohin malin nga afër.
Në bjeshkë, Agroni ishte njeri i besueshëm, i matur në vendime dhe i sigurt në ecje. Prania e tij sillte qetësi dhe siguri për grupin. Ai ishte nga ata njerëz që nuk flasin shumë, por që e bëjnë rrugën më të lehtë vetëm duke qenë aty.
Largimi i tij lë një zbrazëti të madhe në radhët tona dhe në çdo shteg ku kemi ecur bashkë. Kujtimi për Agron Kabashin do të mbetet pjesë e historisë dhe shpirtit të ShB “Sharri”.
Për detajet e varrimit do të njoftoheni më vonë.
I shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjes, miqve dhe të gjithë bashkudhëtarëve të tij.
U prehtë në paqe.
Malet do ta kujtojnë gjithmonë”, shkruan në SHB Sharri.