Gazetari nga Shqipëria, Marin Mema, u takua me shqiptarët në New York

Amerika

Gazetari nga Shqipëria, Marin Mema, u takua me shqiptarët në New York

Nga: Beqir Sina - New York City Më: 22 prill 2022 Në ora: 19:57
Marin Mema

 Nën organizmin e degës “Shqipëria Tjetër” për SHBA , në cilësinë e një organizate që ka për qëllim ruajtjen, promovimin, e arsimit, historise, kulturës dhe traditave shqiptare, në qendrën kulturore “Illiria” në Bronx-New York, u mbajt një takim promovues me gazetarin e njohur nga Tirana, Marin Mema.

Këtë takim e mirëpriti edhe e moderojë në këtë qendër ish këshilltari Mark Gjonaj, Kryetar i Këshillit Kombëtar të Diasporës, zoti Mark Gjonaj.

Ndërsa e përshëndeti Behlul S. Gashi, Drejtues i Organizatës “Shqipëria Tjetër” për Shtetet e Bashkuara dhe nënkryetar organizatës me qendër në Shqipëri.

Image
Mark Gjonaj

Dhjetra shqiptare, aktivist dhe lider të komunitetit, përfaqësues të shoqatave dhe organizatave, gazetar, biznesmen, student nga shkollat amerikane, morën pjesë dhe u përfshin në një diskutim gjithë përfshirës për çështjen kombëtare.

Veç Memës, në fjalën e tij drejtuesi i fondacionit “Shqipëria Tjetër” për SHBA - të Behlul Gashi theksoi se ky është vetëm fillimi i një pune të gjatë që synon një bashkim më të madh të të gjitha shoqatave shqiptare. 

Sipas Gashit kjo është e domosdoshme dhe do t’i japë një tjetër frymëmarrje çështjes kombëtare dhe të gjitha problematikave që shqetësojnë shqiptarët. 

Takimi u hap nga ish anëtari i këshillit bashkiak të qytetit të New York Mark Gjonaj i cili i mëshoi faktit se shqiptarët sot më shumë se kurrë duhet të punojnë bashkë. 

Image
Pamje nga takimi

Ndëkohë, sipas organizatorëve të “Shqipëria Tjetër” aktivitete të tilla do të shtrihen kudo jo vetëm në SHBA, por gjithkund ku jetojnë dhe punojnë shqiptarët.

Mark Gjonaj, duke hapur takimin me Marin Memën, tha se ai është një gazetar me reputacion në Shqipëri, i cili është përfshirë dhe ka punuar pa u lodhur për çështje kritike për popullin shqiptar: “Raportet dhe gazetaria e tij përfshijnë korrupsionin qeveritar, shkeljet e të drejtave të njeriut, Çamërinë dhe çështjet me të cilat përballen shqiptarët në Mal të Zi, Maqedoni dhe Luginën e Preshevës.” Ai është një avokat i fortë dhe një zë i rëndësishëm për komunitetin tonë, tha zoti Gjonaj.

Duke folur me zotin Behlul Gashi, Drejtues i Organizatës “Shqipëria Tjetër” për Shtetet e Bashkuara dhe nënkryetar organizatës me qendër në Shqipëri, rreth takimeve të gazetarit Mema në SHBA, gjatë këtyre ditëve, ai tha se këto takime realizohen duke parë rolin e kontributin e madh të shqiptarëve të amerikës, për çështjen tonë mabrëkombëtare.

 “Mërgata, roli dhe rëndësia e saj, organizimi, bashkëpunimi dhe koordinimi i mëtejshtëm, vota e diasporës, ishin vetem disa ndër temat e diskutuara në një takim të madh që gazetari Marin Mema”, tha Gashi.

Ndërsa, ai shpjegoi se takimi i zhvilluar në New York, Qendrën Kulturore “Illiria” në Bronx, takimin ku morën pjesë përfaqësues të organizatave të shumta që funksionojnë në zonën e Tri-Shteshit,, intelektualë e aktivistë të njohur, është përqëndruar në problematikat që shqetësojnë komunitetin e shqiptarëve. 

Gazetari Mema, në këtë takim ka shprehur domosdoshmërinë që mërgatës t’i garantohet e drejta e votës, e cila deri më sot ka mbetur e trajtuar thjesht në parim dhe asnjëherë seriozisht nga autoritetet shtetërore. 

Nga krahu tjetër ai theksoi se ka ardhur koha që mërgata të koordinojë aktivitetin duke krijuar një lidhje e bashkëpunim të qëndrueshëm mes organizatave e shoqatave shqiptare që funksionojnë në të gjithë botën. 

Gazetari Marin Mema vlerësoi dhe falenderoi diasporën për të gjithë kontributin, mbështetjen dhe ndihmën e jashtëzakonshme që kanë dhënë e japin për trojet shqiptare. Veç të tjerash ai prezantoi edhe punën e bërë nga fondacioni “Shqipëria Tjetër” i drejtuar prej tij dhe projektet e shumta të realizuara dhe ato që synohen për të ardhmen. 

Mema e vuri theksin tek fakti që takime të tilla, janë larg organizimeve me sfond politik, që synojnë faktorizimin e individëve të caktuar. Ato i shërbejnë thjesht dhe vetëm krijimit të një bashkimi njerëzish që ambicien e vetme kanë respektin dhe dinjitetin ndaj kombit si dhe lartësimin e vlerave kombëtare, kudo në botë. 

Takimi u kthye më pas në një bashkëbisedim të gjatë mes drejtuesit të organizatës “Shqipëria Tjetër” me bazë në Tiranë, Marin Mema, me pjesëmarrësit që ka zgjatur për mëse 3 orë me pyetje nga pjesëmarrësit dhe përgjigjet të shumta nga Marin Mema.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat