Kongresi Panshiptar Amerikan: “Ballkani i Hapur” mund të konsiderohet vetëm pasi Serbia të ketë njohur pavarësinë e Kosovës

Amerika

Kongresi Panshiptar Amerikan: “Ballkani i Hapur” mund të konsiderohet vetëm pasi Serbia të ketë njohur pavarësinë e Kosovës

Më: 19 qershor 2022 Në ora: 20:51
Foto ilustrim

Në një deklaratë të lëshuar pwr medie Bordi i Organizatës, Kongresi Panshiptar Amerikan (KPA) nënvizon mbështetjen e çdo iniciative të mirëfilltë që avancon bashkëpunimin rajonal në Ballkan dhe mbështet vlerat liberale siç janë lëvizja e lirë e mallrave, kapitalit, shërbimeve dhe njerëzve.

Megjithatë, KPA beson fuqimisht se nisma e Ballkanit të Hapur nuk mund të ketë bazë të shëndoshë për aq kohë sa Serbia kundërshton pavarësinë e Kosovës dhe refuzon të pranojë fajin për politikën e vet prej dekadash të represionit dhe krimeve të luftës në Kosovë.

Kryetari i Bordit të KPA-së, Dr. Mani Çelaj shtoi: ”Nisma e Ballkanit të Hapur nuk bazohet në parimin e barazisë së anëtarëve. Kjo nismë nuk e konsideron Kosovën si shtet të pavarur dhe kërkon të vendosë hegjemoni ekonomike të Sërbisë mbi rajonin, të ndërtuar përmes politikave që minojnë stabilitetin afatgjatë dhe demokratizimin e Ballkanit Perëndimor. Ballkani i Hapur ofron një platformë për Rusinë dhe Kinën që të zgjerojnë ndikimin e tyre keqdashës përmes Sërbisë në vendet tjera të rajonit që kanë orientim të fuqishëm pro-perëndimor. Si i tillë, Ballkani i Hapur bie ndesh me përpjekjet e ShBA-së për paqen dhe stabilitetin në rajon.

KPA mirëpret deklaratën e të dërguarit të ShBA-së z. Gabriel Escobar se “çdo iniciativë e integrimit ekonomik duhet të përfshijë të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor si të barabarta”. KPA beson se korniza e vetme për ta arritur këtë integrim ekonomik të barabartë është ajo e Tregut të Përbashkët Rajonal, për të cilën të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor kanë rënë dakord më 2020 në Sofje, e që do të pasohet me një plan ambicioz ekonomik dhe investues prej 30 miliardë eurosh të financuar nga BE-ja dhe që lidhet me perspektivat e anëtarësimit të rajonit në BE.

Prandaj, KPA i bën thirrje kryeministrit të Shqipërisë, z. Edi Rama, që të përqendrojë përpjekjet e tij në mbështetje optimale të sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës dhe interesave afatgjata kombëtare të Shqipërisë duke punuar me liderët e Kosovës për të forcuar partneritetin mbi vlerat e përbashkëta dhe aspiratat e ardhshme për integrim në BE.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat