​Kurti takoi drejtuesit e Shoqatës humanitare “Peja” që vepron në Nju Jork

Amerika

​Kurti takoi drejtuesit e Shoqatës humanitare “Peja” që vepron në Nju Jork

Më: 19 korrik 2022 Në ora: 17:25
Foto nga takimi

Kryeministri Albin Kurti priti sot në takim drejtuesit e Shoqatës humanitare “Peja”, me seli në Nju Jork, Rejmond Zekën kryetar, Blerim Koçanin, sekretar, Nevzat Bakraqin, anëtar i kryesisë dhe Reshat Kelmendin, arkëtar.

Kurti me këtë rast i falënderoi ata për vizitën dhe kontributin që kanë dhënë mërgimtarët në kohën e luftës dhe pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. 

“Mërgata jonë është pjesë integrale e fuqishme e planit tonë për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik”, theksoi ai dhe shtoi se vëmendja e veçantë për mërgatën është reflektuar edhe në Programin e Qeverisë.

Drejtuesit e Shoqatës humanitare “Peja” njoftuan kryeministrin Kurti për veprimtarinë e shoqatës, e cila është themeluar në shtator 1998, si nevojë e situatës së atëhershme politike e ekonomike në Kosovë. 

Ata thanë se shoqata ka ruajtur karakterin humanitar që nga themelimi dhe iu ka përgjigjur kërkesave dhe nevojave të shtetit dhe kombit, duke ndihmuar shtresat e varfra në Kosovë e më gjerë dhe personat me probleme shëndetësore.

Ndryshe, viteve të fundit shoqata “Peja” ndihmon edhe sportin dhe kulturën në Kosovë dhe krahas humanizmit bashkëpunon me shoqata të tjera shqiptare që veprojnë në SHBA, për ruajtjen e gjuhës, traditës dhe kulturës shqiptare, thuhet në komunikatë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat