37- vjetori i picerisë së famshme “Famous Famiglia Pizza” – Historia e suksesit e familjes shqiptare

Amerika

37- vjetori i picerisë së famshme “Famous Famiglia Pizza” – Historia e suksesit e familjes shqiptare

Beqir Sina, New York Nga Beqir Sina, New York Më 8 gusht 2023 Në ora: 19:21
Familja Kolaj – nga Klina – Kosovë në Amerikë

NEW YORK CITY: Një nga familjet më të suksesshme shqiptare në emigracion (SHBA)– familja e vëllezërve Kolaj nga Budislaci – Kosovë, kujton sot 53-vjetorin e ardhjes në Amerikë, dhe 37 - vjetorin e hapjes së picerisë së parë Famous Fmiglia Pizza në New York, duke postuar në rrjetin shoqëror Facebook një mesazh dhe fotografi të rrallë nga ato fotografi që thuhet se flasin më «shumë se njëmijë fjalë», me urimin e bekuar në fund të saj :

«Zoti e bekoftë Amerikën!» dhe «Zoti i bekoftë prindërit tanë!».

Në website-in e kompanisë së famshme “Famous Famiglia Pizza”, pronarët shqiptarë Familja Kolaj nga Klina – Kosovë, kanë thënë se “Kemi mbajtur një premtim për burrin e saj dhe fëmijët e tyre, që do të ketë një mundësi në American Dream, për Mamma Rosa – Nëna Rose, “ prej ditës kur ajo mbërriti në New York City, me vajzën e saj dhe katër djemtë në pranverën e vitit 1970”.

Image
Familja Kolaj nga Klina – Kosovë

Jeta e tyre, nga Klina, Kosovë, emigrimi në kampet e refugjatëve në Itali, dhe ardhja në Amerikë, është një histori interesante, që sot si fëmijët e Mamma Rosa, shkruajnë ata në faqen e internetit të kompanisë “Famous Famiglia Pizza”, “ne fëmijët e saj do të donim për të ndarë historinë tonë me ju …”

Edhe, pse në vitet e para, të emigrimit kanë qenë një “luftë” pra të vështira, si vet jeta e çdo emigranti shqiptarë, Nëna, jonë gjithmonë ka pasur një mënyrë për të kthyer vështirësitë në mundësi të rrënjosjes në vlerat thelbësore, të cilat vijnë me mësimet e jetës tonë prej sajë.

Image
Familja Kolaj nga Klina – Kosovë

Familja Kolaj, tregonë se gjithëçka e mirë, atyre u ka ardhur vetëm përmes punës së tyre

”Nëpërmjet punës dhe përgjegjësisë, kanë shkruarë ata ne kemi mësuar vlerën e disiplinës, punës së përbashkët si familje, dhe angazhimit tonë. Kemi filluar duke punuar më herët në rininë tonë, dhe me kalimin e viteve, kemi fituar shumë përvojë në industrinë e picave në New York City. Derisa, në verën e vitit 1986, ne kemi hapur vetë piceri tonë, të parë Famous Famiglia Pizza, në zemër të qytetit: New York City! “

Image
Beqir Sina dhe Georgia Kolaj

Në vitet që vijuanë, tregojnë ata, pra për 37- vjet ne kemi hapur disa piceri më së shumtën, në të gjithë New York City, duke fituar çmime dhe vlerësime, për ushqimet tona me standardet, dhe, të cilësisë së lartë të shërbimit, për klientët që i kemi nga e gjithë bota. Për këtë arsye, shitoret tona – zinxhir të picerive, Famous Famiglia, shpejt u bënë një lider udhëheqëse në tregun e picave të famshme të New York-ut, duke fituar titullin : “Pizza më e preferuar e Nju Jorkut”.

Kompania Famous Famiglia Pizza, operoi në pronësi dhe franchise nëpër 3 kontinente, me mbi 200 shitore, me një përzierje të ushqimeve të ndryshme, në dyqane të cilat përfshijnë edhe zonat tregatare në disa nga aeroportet kryesore, në SHBA, Japoni, Meksiko, Pekinë, Gjermani, Arabinë Saudite, dhe të tjera, qendrat tregtare, në zonat ka janë kolegjet dhe universitete, parqet kryesore, hotele dhe kazino, stadiumet dhe pallatete e sportit, muzeume, bazat ushtarake, qendra mjekësore, autostrada dhe në piacat në qendër të qyteteve e zonave urbane.

Image
Familja Kolaj

Famous Famiglia Pizza,  nëpërmjet faqes së saj të internetit, për çdo vjet kujtonë se historia Famous Famiglia është një histori suksesi, dhe, një pasion për frymën e sipërmarrjes.

“Ajo, është gjithashtu një nga hallkat e kësaj industrie kulinare, e cila është kthyer në parimet themelore më së shumëtë të industrisë foodservice; duke shërbyer me një produkt me cilësi, të lartë, në mënyrë efikase dhe të kulturuar, si dhe duke krijuar në lokalet e tyre, një mjedis të pastër dhe të këndshëm. Si themeluesit e kompanisë, së famshme Famous Famiglia, ne kemi ardhur gjithnjë duke u rritur punën tonë. Mbasi, Famous Famiglia ka qenë gjithmonë me një vizion të qëndrueshm për ne, që të futim këtë kulturë në të gjithë sistemin zingjir të dyqaneve tona dhe, kështu, Famous Famiglia, është bërë sot një nga markat e picave, më të kërkuara, me një rritje të shpejtë, dhe me një nga shërbimet më të respektuara dhe të admiruara, udhëheqëse – lidere në industrinë e picave në botë”

Andaj – thonë pronarët e Famous Famiglia , të cilët tani janë tre vëllezërit shqiptarët nga Klina – Kosovë( mbasi njëri ka vdekur disa vjet më parë), tani që po festojmë edhe 37- vjetorin e picerisë së parë se: “Ne jemi më të angazhuar për të vazhduar në këtë traditë”.

Njëri prej vëllezërve Kolaj, Gorgio, ka shkruar në çdo përvjetor,  duke kujtuar me nostalgji hapjen e dyqanit të parë Famous Famiglia Pizza në qytetin e New Yorkut, se :” Unë jam shumë mirënjohës që 37- vjet më parë, si sot së bashku vëllezërit e mi kishim “ rrezikuar” duke hyrë në rrugën e biznesit, në mënyrë që të fillojmë atë që thirret “Ëndrrën tonë Amerikane”.

Famous Famiglia Pizza – sot ka ditëlindjen! Jeta nuk paraqet garanci. Falënderoje Perëndinë për çdo të mirë, thotë Gorgio Kolaj, në statusin e tij në Facebook.

Duke vazhduar se :”Sot( 7 Gusht) shënojmë 37 vjetorin e Famous Famiglia, një zinxhir picerie që tre vëllezërit e mi dhe unë e lançuam në NYC, do të shkruante në llogarinë e tij në rrjetin social Facebook, njëri prej vëllezërve Kolaj, showman Georgia Kolaj.. 

“Vendndodhja e parë është ende atje në cep të rrugës 96 dhe Amsterdam Avenue” thotë ai ndërsa vazhdon : “Është e vështirë të shpreh plotësisht ndjenjën e thellë të mirënjohjes që kam ndaj Zotit që e bëri atë në mënyrë që të mund të punoja me vëllezërit e mi, miqtë e mi më të mirë, për gjithë këto vite. Ne i detyrohemi kaq shumë... të gjithë me të vërtetë... Amerikës. Dhe, veçanërisht për burrat dhe gratë që mbrojnë këtë Komb të Madh dhe na lejojnë të korrim bekimet e lirive tona.

Është përulëse të kesh shijuar këtë udhëtim të jashtëzakonshëm me kaq shumë bashkëpunëtorë të mrekullueshëm dhe besnikë; me shumë prej të cilëve jam i afërt sot. Dhe, unë e konsideroj një bekim që ne njohim dhe jemi miq me klientin tonë të parë 37 vjet më parë, Rock Wilk, një mik i vërtetë. Pas më shumë se 200 hapjeve të dyqaneve në 5 kontinente, udhëtimi ishte me të vërtetë një shpërthim i vërtetë. Ne ishim të parët në të gjithë Amerikën , shqiptarët  që hapën restorante në Japoni, Kinë, Meksikë, Afrikë, Ekuador, Emiratet e Bashkuara Arabe, etj.”

Zoti e bekoftë Amerikën që pranoi familjen time në shtëpinë e dytë tonën,  53 vjet më parë dhe që na dha një shancë edhe ne shqiptarve si miliona e milona emigrantëve të realizojmë atë Ëndrrën Amerikane. Falenderues dhe të përulur, për gjithë jetën. Jemi të bekuar! Shkruan Georgia Kolaj 

Jetimë pa babë në rrugët e mërgimit pa asnjë lek në “xhep”, në Amerikê u bën me punë të pasur: Ja si e nisi rrugëtimin e saj familja Kolaj

Njëri prej vëllezërve Kolaj, shou-biznesmeni Giorgio Kolaj, i njohur në komunitet si aktivist dhe veprimtar i dalluar, e ka postuar vitin e kaluar një fotografi të vjetër bardhezi, duke shkruar poshtë saj :«Kjo foto e veçantë është marrë pikërisht 45 vjet më parë, si sot, në kampin e emigrantëve në Frosinone, Itali. Ajo është marrë në momentet e para së familjes time, kur ne u drejtuam për në aeroport, dhe mbërritëm në Amerikë».

Ai kujtonte vitin e kaluar se 7 muaj para asaj fotografie, babai i tij kishte ndërruar jetë, dhe qe varrosur në një fshat italian, pra në Frosinone, duke e lënë pas vetes nënën e tij – Rosa të vejë, me katër djem dhe një vajzë. Gjithashtu, në kujtesën e tij, duket se ka mbetur dhe shtëpia, pikërisht aty ku ai ka lindur në katin e lartë të shtëpisë, që duket prapa krahëve të tyre në sfondin e fotografisë.

Mirëpo, ajo që e ka kthyer në mendjen e tij, nostalgjinë, e njërit prej katër vëllezërve, Giorgios, duket se është kjo foto e veçantë për tërë familjen Kolaj. Për shumë arsye, tregon Giorgio, por mbi të gjitha, sepse është moment kur ne e «gjetëm Amerikën», vendin e ëndrrave të miliona emigrantëve nga kryq e tërthor botës. «Kur ne Kolajt, shkruan ai, e kemi filluar udhëtimin tonë për këtë vend të madh», ngaqë «unë nuk mund ta imagjinoj se çfarë po ndodhte thellë në zemër dhe në mendjen e nënës sime në kohën e kësaj fotografie».

Ky imazh, sipas tij, e tregon atë madhështinë e asaj që ne e quajmë «American Dream». «Ku një jetë tjetër do ta presë njeriun, ashtu siç e priti Nanën time, një grua e huaj, e veje dhe e paarsimuar, me pesë fëmijët e saj, të jetë e mirëpritur me krahë hapur në këtë vend të madh, që u bë shtëpia e dytë e të gjithë shqiptarëve».

Andaj, shkruante Giorgio Kolaj me këtë rast, dua të shpreh atë se ne të gjithë «i jemi përgjithmonë borxh në këtij vend të madh. Një borxh ky që, për mendimin tim, nuk mund të shlyhet, sa të jetë jeta».

Giorgio, duke e postuar atë fotografi, nuk e fsheh dot faktin se ai gjithmonë është i habitur nga nostalgjia dhe madhështia me të cilën personazhet e kanë ilustruar pamjen e saj, me përzierjen e të gjitha elementeve karakteristike të njerëzimit.

Fotografia e afro pesë dekadave  më parë shfaqet «nëpërmjet dobësisë, forcës, nëpërmjet dëshpërimit, respektit, nëpërmjet përulësisë, nderit e krenarisë që ne i jemi përgjithmonë mirënjohës Nënës sime që na solli në këtë vend – mua, motrën dhe vëllezërit e mi, duke na e dhënë privilegjin që të bëhemi amerikanë. Vetëm me anë të hirit të Perëndisë. Zoti e bekoftë Amerikën. Dhe, Zoti i bekoftë nënat!», ka shkruar Giorgio Kolaj.

Familja Kolaj, nga Kosova, me biznese në tri kontinente

Në njërin prej kanaleve televizive më prestigjioze në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, FoxNews, në zonën e Nju-Jorkut, e përreth tij, në programin «FoxBusiness», kanali V, në Mahattan, të ftuar në studion e tij për të promovuar suksesin e emigranteve ne SHBA, kanë qenë kohë më parë tre nga katër vëllezërit Kolaj – Paulini, Gjoni dhe Gjergji, për të rrëfyer «si arritën të bëhen kaq të suksesshëm në Amerikë. Vëllezërit Kolaj – nga Kosova duket «se e kanë gjetur Amerikën».

Si shumë të suksesshëm ata ishin mysafirët e radhës të drejtuesit të këtij emisioni David Assman, gazetar i njohur politik dhe i programeve të biznesit. Tre vëllezërit Kolaj, të cilët mendohet se e kanë kapur ëndrrën amerikane, me biznesin e tyre të famshëm dhe të suksesshëm «Famous Famiglia Pizza», janë bërë shpeshherë protagonistët e faqeve të shtypit amerikan, gazetave dhe revistave më të mëdha amerikane.

Ndonjëherë, edhe anembanë botës, për suksesin e tyre në industrinë e biznesit «pica – restorant»

Industria e këtij lloj biznesi, të quajtur Franchising – «disa restorante të njëjtës firmë», është nga më popullorët dhe model biznesi në SHBA. «Famous Famiglia Pizza», që njihet si biznesi zyrtar i vëllezërve Kolaj, nga Kosova, është fitues i dhjetëra medaljeve dhe titujve nga më prestigjiozët në Amerikë për restorantet. Biznesi i tyre është sponsori i disa filmave të njohur amerikanë, i fushatave elektorale dhe fushatave humanitare.

Biznesmenët e suksesshëm nga Kosova,janë bijtë e një emigranti patriot dhe i ikur nga sundimi sllavo-komunist. Ata tërë jetën e vet ia kanë dedikuar familjes së tyre, në radhë të parë, dhe shqiptarëve. Ata me aftësitë e tyre, ia arritën në SHBA, në vendin e mundësive të mëdha, ta krijojnë «principatën» e tyre të biznesit – me mbi 100 lokale «Famous Famiglia Pizza».

Duke ia ndezur «dritën jeshile» prosperitetit personal e familjar, dhe në fund të kontribuojnë aq shumë duke bërë diçka, atë çfarë edhe mund të bënin ata si biznesmenë për Kosovën e për çështjen shqiptare. Vëllezërit Kolaj kanë hyrë në rrugën e suksesit e tyre, e këtë e kanë arritur dhe vazhdojnë ta realizojnë në tokën e lirisë dhe kampionen e demokracisë në botë – Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Vëllezërit nga Kosova – Kolaj e kanë një biznes të suksesshëm, kryejnë vepra bamirësie dhe janë amerikanë të vërtetë

Gjithashtu duhet cekur se «Famous Famiglia Pizza» ka dhënë një kontribut të veçantë nëpërmjet vëllezërve Kolaj në çështjen e Kosovës, këtu në SHBA. Ata e kanë përkrahur e mbështetur me mjete financiare çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës, dhe shumë veprimtari e aktivitete të tjera të komunitetit shqiptar. Vëllezërit Kolaj i kanë thënë medies shqiptare se duan që suksesi i tyre të jetë afatgjatë, dhe se filozofia e tyre nuk është vetëm të rrisin bizneset, por edhe t}i ndihmojnë të tjerët dhe t’i japin komunitetit shqiptar. Në fakt, ata e kanë bërë traditë tashmë që të ndajnë një pjesë të të ardhurave të tyre, shoqatave bamirëse dhe të ndihmojnë në raste fatkeqësish të mëdha.

Nuk janë shumë të bujshëm dhe thonë se gjëja më e mirë që mund të bëjnë për komunitetin shqiptar është që ta kenë një emër të mirë, duke përhapur kështu një emër të mirë edhe për shqiptarët e tjerë, e t}u tregojnë atyre se si mund të bësh biznes.

Familja Kolaj nga Kosova – Familja Piza në SHBA, pasi bëri disa vjet jetë emigrantësh në Frosinone – Itali, mamaja e tyre Roza dhe pesë fëmijët mbërritën në vendin e ëndrrave, ndoshta duke menduar ta realizojnë njërën prej ëndrrave të tyre, biznesin e suksesshëm në Amerikë. «Këtë biznes e kemi filluar më 1986, që prej 37 vjetësh të shkuara, thotë njeri prej tyre, Georgio, si thirret këtu. Jemi katër vëllezër, thotë ai, dhe së bashku kemi pasur sukses të mirë. Kemi pasur mundësi ta rritim biznesin me punëtorë dhe partnerë të mirë. Sot kemi më shumë se 200 lokale, vetëm në 20 shtete të Amerikës. Nëpër botë, lokalet më të fundit janë hapur në Evropë dhe Azi (Hong-Kong, Kinë, Meksiko dhe Kanada, së fundi edhe në Japoni)».

Duke folur për gazetarët amerikanë Paulin Kolaj, që njihet edhe si president i kompanisë, thotë se, «jemi të kënaqur dhe shpresojmë të hapim edhe më shumë lokale në Amerikë, e nëpër botë»

Ai tregon se kur mendon sesi e kanë filluar aktivitetin, është mirënjohës që kanë arritur kaq shumë: «Ky vend (SHBA) të jep shanse të vërteta për çdo lloj race dhe kombësie. Amerika është vend emigrantësh. Jam i kënaqur se babai ynë ka pasur dëshirë të na sjellë në këtë vend për shans të vërtetë. Babai ynë na ka vdekur kur ishim të vegjël, ishte i ri», ka rrëfyer Paulini, «dhe nuk ka pasur mundësi të vijë këtu, por shyqyr Zotit ne patëm mundësi të bëjmë diçka me jetën tonë dhe për ta respektuar emrin e babait tonë, për ta nderuar nënën tonë, sepse është grua e mirë dhe kjo është një nxitje e madhe».

Vëllezërit Kolaj, Ndoi, Paulini, Gjoni dhe Gjergji, dhe motra e tyre, Zoja, kanë lindur në Budisalc të Kosovës, por ëndrra e të atit, Pashk Kolaj, ishte që të vinin në Amerikë. Ai, së bashku me gruan, Rozën, shkuan në fillim në Itali, ku i ati fatkeqësisht vdiq pa e parë Amerikën. Roza me vështirësi i mbajti fëmijët dhe, më në fund, i solli në Amerikë, në vitin 1970.

Gjon Kolaj thotë se për suksesin e falënderon Zotin dhe të atin, i cili e sakrifikoi jetën e tij që ata ta bënin një jetë më të mirë. «Nëna ime është prova që çdo gjë është e mundur. Kur ajo erdhi këtu ishte në të tridhjetat me pesë fëmijë, nga të cilët më i vogli vetëm disa muajsh. Dhe, kjo tregon se nëse dëshiron diçka me gjithë shpirt, nëse punon me gjithë përpjekjet e tua, mund ta arrish. Dhe, jeta jonë është prova për një gjë të tillë. Dhe, ne duam të arrijmë akoma më shumë».

Gjon Kolaj është i lumtur për suksesin e deritanishëm dhe shpreson që kompania të zgjerohet edhe më shumë: «Jam vërtet i lumtur, sepse ka qenë një rrugë e gjatë për ne që nga Kosova, në një kamp në Itali, të arrijmë më në fund në vendin ku realizohen të gjitha ëndrrat e botës. Pra, ne treguam se jemi kompani e fuqishme dhe vitin tjetër do të zgjerohemi edhe në vende të tjera».

Planet për zgjerim për këtë kompani me qarkullim 35 milionë dollarë në vit përfshijnë dhjetëra pika të mundshme shitjeje në vende nga më të rëndësishmet e qyteteve më të mëdha në Amerikë. Kryesisht nëpër aeroportet ndërkombëtare nga Nju-Jorku e deri në Hong-Kong e në Pekin.

Por, treg tërheqës për ata është Evropa dhe është e natyrshme që, në këtë kuadër të mendojnë për Shqipërinë dhe Kosovën ndoshta në të ardhmen: «Ne e kemi ndërmend të shtrihemi edhe në Evropë, pse jo po të na krijohen mundësitë edhe në Shqipëri, ose në Kosovë, se, fundi i fundit, ne nga Kosova jemi. Një gjë e tillë do na jepte kënaqësi familjare», thonë ata.

Kjo, pra, është historia e suksesit të Paulinit, Gjonit dhe Gjergjit, të njohur si «Vëllezërit Kolaj», që donin ta çonin në vend ëndrrën e babait të tyre. Ata janë katër vëllezër, por tre prej tyre janë më së shumti edhe mysafirët e televizioneve amerikane programeve të biznesit. Dhe, duket se ia kanë arritur qëllimit, ka thënë gazetari i emisionit FoxBuisness, David Asman, teksa i kishte të ftuar vite më parë në emisionin e tij dhe u fliste amerikanëve për familjen shqiptare nga Kosova, pronare të restoranteve «Famous Famiglia Pizza», që ka biznes në shumë shtete të Amerikës, shtetet dhe vendet më të mëdha.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat