Java Kombëtare e Kombeve të robëruara, Re, Papa Gjon Pali i II dhe Komiteti Shqipëria e Lirë në SHBA

Amerika

Java Kombëtare e Kombeve të robëruara, Re, Papa Gjon Pali i II dhe Komiteti Shqipëria e Lirë në SHBA

Nga: Beqir Sina Më: 16 korrik 2025 Në ora: 17:12
Foto ilustrim

WASHINGTON D.C.: Të hënën, më 14 korrik, Fondacioni Përkujtimor i Viktimave të Komunizmit udhëhoqi aktivitetet për të shënuar Javën Kombëtare të Kombeve të Robëruara, në përmbushje të rezolutës së Kongresit të vitit 1959 të miratuar gjatë administratës Eisenhower për të treguar solidaritetin amerikan me kombet e nënshtruara nga komunizmi. 

Aktivitetet për të shënuar Javën Kombëtare të Kombeve të Robëruara nisën me projekt rezolutat e Kongresit . Ku anëtarët e Kongresit bepartizan kan propozuar dy/tre projekt rezoluta ndërsa kongresist e senator përfshirë dhe sekretarin e shtetit Marco Rubio mbajtën fjalime në Capitol Hill,  për të nderuar këtë javë dhe për të kritikuar shkeljet e të drejtave të njeriut në vende që ende udhëhiqen nga rregjime komuniste.

Samiti i Kombeve të Robëruara i këtij viti i mbajtur të hënën (14 korrik) në muzeun e Viktimave të Komunizmit në Washington mblodhi së bashku udhëheqës të lartë, ekspertë ndërkombëtarë dhe disidentë për të diskutuar trashëgiminë vdekjeprurëse dhe, për fat të keq, të qëndrueshme të komunizmit, dhe mësimet e nxjerra për brezat e tanishëm dhe të ardhshëm të luftëtarëve të lirisë, u tha në kë aktivitet.

Eventi u hap me një bisedë  midis Ambasadores Paula J. Dobriansky, Ph.D., Administratore e VOC, Zëvendëskryetare e Qendrës Scowcroft për Strategji dhe Siguri të Këshillit Atlantik, dhe Bashkëpunëtore e Lartë në Qendrën Belfer për Shkencë dhe Çështje Ndërkombëtare të Universitetit të Harvardit, dhe Dr. Eric Patterson, President dhe Drejtor Ekzekutiv i VOC. Ky diskutim u pasua më tej nga një panel folësish disidentë nga të pesë kombet e mbetura të robëruara: Kina, Kuba, Laosi, Koreja e Veriut dhe Vietnami. 

Në ndërkohë që folësit e Samitit të Kombeve të Robëruara 2025 ishin:

Vi Kha Hoang, Themelues, Viet Toon; Drejtor i Shkollës së Gjuhës Vietnameze Thang Long

Elfidar Iltebir, President i Shoqatës Amerikane Ujgure Eunsook Jang, Bursant Fulbright, i arratisur nga DPRK dhe Kandidat për Master në Universitetin Brandeis Bounleaung Kern Kataviravong, Zëvendëspresident i Unionit për Kombin Lao- Rosa María Payá, Themeluese e Cuba Decide dhe Komisionere e Zgjedhur e Komisionit Ndër-Amerikan për të Drejtat e Njeriut.

Bashkë-sponsorizues të eventit ishin Cuba Decide, Fondacioni i Forumit të Mbrojtjes, Koalicioni i Lirisë së Koresë së Veriut, Shoqata Amerikane Ujgure, Unioni për Kombin Lao/CERLA dhe Fondacioni Viet-Amerikan dhe një aktiviste shqiptare në Washington.

Në këtë samit për të shënuar Javën Kombëtare e Kombeve të Robëruara, mori pjesë dhe aktivistja e dalluar në Uashington  Merita McCormack (Bajraktari nga vajzëria) e cila dërgoi dhe video e fotografi nga ky aktivitet i mbajtur në Muzeun e Viktimave të Komunizmit.

Në këtë samit të mbajtur në muzeun e Viktimave të Komunizmit një vend i veçantë zuri figura e Papa Gjon Pali II (Karol Wojtyła), i njohur për qëndrimin e tij të fortë antikomunist. 

Atit të shenjët që luajti një rol të rëndësishëm në mbështetjen e lirisë dhe të drejtave të njeriut në Europën Juglindore gjatë periudhës komuniste, përfshirë Shqipërinë dhe Kosovën. 

Mesazhet e tij ishin shpesh të fokusuara te denoncimi i shtypjes, promovimi i paqes dhe nxitja e solidaritetit dhe lirisë fetare. 

Për ne shqiptarët të paharrura do të mbeten dy mesazhet e Atit të Shenjët ai për Shqipërin komuniste dhe ai për Kosovën e robëruar nga sllavo komunistët.

Mesazhi për Shqipërinë nga Otranto (5 tetor 1980), gjatë një vizite në Otranto, Itali, Papa Gjon Pali II dërgoi një mesazh të fuqishëm dashurie dhe mbështetjeje për popullin shqiptar, i cili vuante nën diktaturën komuniste të Enver Hoxhës. 

Ai tha: “Sot nuk mund të mos e hedh vështrimin përtej detit, ku Kisha heroike në Shqipëri tronditet thellë nga persekutimi i gjatë, por edhe pasurohet nga dëshmia e martirëve të saj: ipeshkvij, meshtarë, rregulltarë, rregulltare, besimtarë e qytetarë të thjeshtë.” 

Ai dënoi persekutimin e besimtarëve dhe qytetarëve të pafajshëm, duke shprehur solidaritet me “grigjën e vogël të martirizuar të katolikëve” nën regjimin ateist. 

Kjo deklaratë e cila sensibilizoi botën për gjendjen e rëndë të shqiptarëve dhe tërboi rregjimin enverian në Shqipëri, ndërkohë u cilësua si një zë i rrallë që i drejtohej Shqipërisë në atë kohë.

Ish- Presidenti dhe ish-Kryeministri Berisha e ka cilësuar figurën e Papa Gjon Palit II  gjatë një ceremonie së hapjes së ekspozitës që shënonte 33 vjetorin e pontifikimit të Papa Gjon Palit të II-të,  se Papa Vojtila se ai është një nga miqtë më të mëdhenj të shqiptarëve në tërë historinë e kombit shqiptar. 

Mesazhi i tij për popullin polak dhe jo vetëm, por për të gjithë popujt e tjerë; “Mos kini frikë” do të mbetet thirrje e përjetshme për liri, për të gjithë popujt që vuajnë nga regjimet shtypëse, citohet të ketë thënë  Berisha.

“Për shqiptarët, Papa Gjon Pali i II-të është një miqtë më të mëdhenj më të çmmuar në tërë historinë. Në takimin tonë të parë në vitin 91, në selinë e shenjtë do të më rrëfente se ai lutej çdo ditë për Shqipërinë. Askush asokohe nuk kishte ndjekur më me vemendje me përkushtim tragjedinë e madhe të shqiptarëve nën regjimin e Enver Hoxhës” ka thënë Berisha.

Vizita e tij një ditore në Shqipëri, ka qenë unike, ka shtuar më tej Berisha duke thënë se ndjenjat e tij miqësore ndaj Shqipërisë do t’i dëshmonte duke zgjedhur Shqipërinë për vizitën e tij në Ballkan.

Mesazhi për Kosovën dhe paqen (1998-1999) nga Papa Gjon Pali II ishte ai që tregoi se Vaticani u angazhua vazhdimisht për paqen në Kosovë gjatë kohës së raprezaljve e krimeve serbe mbi popullin shqiptar të Kosovës,  dhe luftës shqiptaro-serbe. 

Më 7 qershor 1998, ai i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare për të kërkuar zgjidhje paqësore për krizën në Kosovë, duke thënë: “Jo larg nesh, në Kosovë, opsionet e dhunshme, shtypja, ikja e popullsive nuk mund të mos e shqetësojnë bashkësinë ndërkombëtare, me bindjen se kërkimi i rrugëzgjidhjeve paqësore, të vendosura në tryezën e bisedimeve, kërkojnë durim e guxim.” 

Në mesazhin e tij Urbi et Orbi për Pashkët e vitit 1999, gjatë luftës në Kosovë, ai u lut për paqe, duke u shprehur: “I lutem Zotit të ringjallur t’i japë dhuratën e paqes, së pari tokës së martirizuar të Kosovës, ku lot e gjak vazhdojnë të përzihen në një skenar dramatik urrejtjeje dhe dhune.” 

Ai nxiti solidaritetin ndërkombëtar për të ndihmuar refugjatët dhe të zhvendosurit nga Kosova, duke kritikuar dhunën dhe duke promovuar vëllazërinë, dhe priti për her të parë një udhëheqës shqiptar në takime të veçantë presidentin e Kosovës Dr Ibrahim Rugova, disa herë në Vatikan në vitin 1990.

Java Kombëtare e Kombeve të Robëruara (Captive Nations Week) :

Ajo shënohet çdo vit në SHBA, zakonisht në javën e tretë të korrikut, bazuar në Rezolutën e vitit 1959 nga Kongresi i SHBA-së (Public Law 86-90). Kjo javë synon të rrisë ndërgjegjësimin për kombet që vuajnë nën regjime totalitare ose komuniste dhe të promovojë lirinë dhe demokracinë.

Java Kombëtare e Kombeve të Robëruara zakonisht mbyllet me deklaratën zyrtare të Presidentit i SHBA-së, që zakonisht lëshon një deklaratë që rikonfirmon angazhimin për të mbështetur lirinë e kombeve të shtypura. 

Në mandatin e parë presidenti Trump , si dhe presidenti Biden në mandatin e tij - kanë lëshuar deklarata që dënojnë shtypjen në vende si Kuba, Venezuela, Kina dhe Rusia.

Ndërsa në disa qytete me komunitete të mëdha të diasporës si ukrainas, kubanë, ose kinezë, organizohen marshime, ekspozita, ose shfaqje filmash dokumentarë për të sensibilizuar publikun.

Java e Kombeve të Robëruara i referohet një iniciative të promovuar nga Asambleja e Kombeve Europiane të Robëruara (ACEN), e themeluar më 20 shtator 1954, me qendër në Nju Jork dhe zyra në Bonn, Londër dhe Paris. 

Kjo organizatë, e financuar nga buxheti i qeverisë amerikane përmes Komitetit “Europa e Lirë”, përfaqësonte nëntë vende të Evropës Lindore dhe Qendrore nën ndikimin sovjetik pas Luftës së Dytë Botërore, përfshirë Shqipërinë, Bullgarinë, Çekosllovakinë, Estoninë, Hungarinë, Letoninë, Lituaninë, Poloninë dhe Rumaninë. Qëllimi i saj kryesor ishte çlirimi i këtyre vendeve nga diktatura komuniste me mjete paqësore, duke informuar opinionin publik për gjendjen pas “perdes së hekurt” dhe duke siguruar mbështetjen e institucioneve qeveritare dhe joqeveritare.

Gjatë ekzistencës së saj, ACEN organizonte çdo vit Javën e Kombeve të Robëruara, e caktuar me dekret presidencial në SHBA për javën e tretë të korrikut. Kjo javë shërbente për të informuar anëtarët e Kongresit Amerikan dhe publikun e gjerë mbi shkeljet e të drejtave të njeriut në vendet komuniste, përfshirë persekutimin e fesë, të drejtat e grave dhe çështje të gjenocidit. 

Materialet e ACEN shpërndaheshin në shkolla, universitete dhe institucione të tjera në SHBA dhe globalisht, në anglisht dhe gjuhë të tjera.

Për Shqipërinë, përfaqësimi në ACEN bëhej përmes Komitetit “Shqipëria e Lirë”, pasardhës i dy komiteteve kombëtare të formuara që nga viti 1949. 

Në vitin 1964, Vasil Gërmenji, anëtar i këtij komiteti, u zgjodh kryetar i ACEN, një ngjarje që u prit me entuziazëm nga komuniteti shqiptaro-amerikan, siç raportohej nga gazeta “Shqiptari i Lirë”. 

Po ashtu, Tajar Zavalani, një publicist dhe përkthyes shqiptar, luajti një rol të rëndësishëm si delegat i Komitetit Shqiptar në degën e ACEN në Londër, duke qenë kryetar i saj në vitin e fundit të jetës së tij (1966). Ai mbajti konferenca dhe botoi materiale për të informuar mbi gjendjen e Shqipërisë nën komunizëm, përfshirë përkthimin e veprave të At Gjergj Fishtës në anglisht.

Komiteti Kombëtar “Shqipëria e Lirë” - “Free Albania” National Committee", u themelua në vitin 1949 me qendër fillimisht në Romë dhe më pas në Paris, me qëllim organizimin e mërgatës shqiptare dhe bashkëpunimin me fuqitë perëndimore për të përmbysur regjimin komunist të Enver Hoxhës në Shqipëri. 

Ky komitet u mbështet nga CIA dhe ishte pjesë e Komitetit Kombëtar për një Europë të Lirë. 

Aktivitetet e tij përfshinin botimin e revistës dyjavore “Shqipëria” në gjuhën shqipe, organizimin e takimeve politike, konferencave dhe seminareve, si dhe përpjekjet për ndërkombëtarizimin e çështjes shqiptare, veçanërisht të Kosovës. Komiteti u zhvendos në Nju Jork dhe vazhdoi veprimtarinë deri në vitin 1992, kur komunizmi në Shqipëri ra.

Xhaferr Deva (1904–1978) dhe Prof. Dr. Rexhep Krasniqi (1906–1999) ishin dy figura kyçe të këtij komiteti dhe veprimtarë të shquar antikomunistë të mërgatës shqiptare.

 Komiteti “Shqipëria e Lirë” ishte një nga nëntë përfaqësimet kombëtare të Kuvendit të Kombeve Evropiane të Robëruara (ACEN), i cili lidhej drejtpërdrejt me Javën Kombëtare të Kombeve të Robëruara, të shpallur nga SHBA-ja për të denoncuar shtypjen në vendet komuniste. 

Deva dhe Krasniqi, përmes komitetit, luajtën një rol të rëndësishëm në sensibilizimin e çështjes shqiptare dhe asaj të Kosovës në arenën ndërkombëtare, duke organizuar ngjarje dhe publikime që përkonin me qëllimet e kësaj jave. 

Profesor Krasniqi së bashku me intelektualin e shquar  Tahir Kolgjini ishin ata që për her të parë pas Luftës së Dytë Botërore me ardhjen e sllavo-komunistve në pushtet, e  ngritën çështjen e shpërnguljeve të shqiptarëve nga Kosova në Turqi në vitin 1957, duke u takuar me autoritetet amerikane në Stamboll dhe Uashington.

Sipas dokumentave të publikuara nga studiuesi Idriz Lamaj në Nju Jork, thuhet se Deva dhe Krasniqi ishin bashkëpunëtorë të ngushtë që nga Lufta e Dytë Botërore dhe mërgimi, duke punuar për çlirimin e Shqipërisë dhe Kosovës nga komunizmi përmes Komitetit “Shqipëria e Lirë”. 

"Aktivitetet e tyre, përfshirë botimet, lobimin dhe organizimin e diasporës, ishin në harmoni me frymën e Javës Kombëtare të Kombeve të Robëruara, duke e bërë komitetin një zë të fuqishëm për çështjen shqiptare në SHBA dhe më gjerë.."

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat