Një i burgosur 29 vjeç vdes në burgun Rikers Island - New York

Amerika

Një i burgosur 29 vjeç vdes në burgun Rikers Island - New York

Nga: Beqir Sina, New York Më: 24 gusht 2025 Në ora: 20:37
Foto ilustrim

NEW YORK — Një i burgosur në burgun  në ishullin "Rikers Island" në Nju Jork,vdiq herët të shtunën(23 gusht 2025), duke shënuar vdekjen e dhjetë të një të burgosuri në burgjet e qytetit të New York-ut për këtë vit.

Zyrtarët e Departamentit të Korrektimit të qytetit konfirmuan vdekjen, duke deklaruar se i burgosuri Ardit Billa, u gjet “i pandjena në qelinë e tij” në Qendrën George R. Vierno rreth orës 12:25 të mëngjesit.

Oficerët e burgut që po kryenin një kontroll rutinë të qelive ofruan ndihmë ndërsa u thirr mbështetja mjekësore, por Billa, vdiq pak para orës 1 të mëngjesit.

Komisionerja e Burgjeve të New Yorkut, Lynelle Maginley-Liddie, premtoi një “rishikim të plotë të rrethanave që çuan në incidentin fatal.” 

Është planifikuar një autopsi për të përcaktuar shkakun e vdekjes, thanë autoritetet njujorkeze të burgjeve.

Shtypi thotë se Billa, 29 vjeç, kishte qenë në Rikers që nga 23 shkurti, sipas faqes së internetit të DOC.

Ai u arrestua fillimisht më 22 janar pasi u akuzua se goditi me thikë një fqinj 52-vjeçar në fytyrë dhe buzë gjatë një sherri brenda ndërtesës së tij të banimit në Liberty Avenue, East New York, Brooklyn.

Viktima e tij u dërgua në një spital të zonës me lëndime të lehta.

Policia gjeti thikën, si dhe një sasi crack-u(drogë), tek ai dhe e arrestoi për sulm dhe posedim të armës. Megjithatë, ai u lirua pa garanci, sipas regjistrave gjyqësorë.

Pasi nuk u paraqit në seancën e tij të parë gjyqësore, u lëshua një urdhër arresti. Ai u ndalua më 23 shkurt dhe u urdhërua të mbahej me një garanci prej 25,000 dollarësh.

Më 5 gusht, një gjyqtar e referoi çështjen e Billës në një "program" gjyqësor alternativ, por ai nuk ishte liruar nga burgu, tregojnë regjistrat gjyqësorë.

Vdekja e Billës e çon numrin e vdekjeve të lidhura me burgjet e qytetit të Nju Jorkut në 10 deri tani këtë vit — tashmë dyfishi i numrit të të burgosurve që vdiqën në objektet e burgjeve të New York City në vitin 2024.

Muajin e kaluar, Edwin Quispe, 33 vjeç, u gjet i pandja në një tualet në Qendrën Eric M. Taylor të Rikers dhe gjithashtu u shpall i vdekur, thanë zyrtarët. Shkaku dhe rrethanat janë ende nën hetim.

Burgu i famshëm në New York, Rikers Island është i detyruar me ligj të mbyllet deri në vitin 2027 dhe të zëvendësohet me burgje më të vogla nëpër qarqe. Por plani i guximshëm është tashmë deri në gjysmë dekade prapa afatit, sepse burgjet e reja nuk do të përfundohen në kohë, tha një komision i emëruar për të shqyrtuar planet në mars.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat