YONKERS, NY: Më 28 shtator 2025, në sallën e banketeve të Royal Regency Hotel, komuniteti shqiptaro-amerikan festoi 35-vjetorin e Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, ditëlindjen e 85-të të ish-kongresmenit me origjinë shqiptare, Joseph J. DioGuardi, dhe të 75-tën të bashkëshortes dhe bashkëpunëtores së tij, Shirley Cloyes DioGuardi.
Rreth 500 të pranishëm, përfshirë përfaqësues të Ligës nga Teksasi, Çikago, Wisconsin, Detroiti, Bostoni, Virginia, Uashingtoni, Florida, Karolina e Veriut, Kalifornia, Ohio, Kolorado, Nju Xhersi, Pensilvania dhe Konektikati, nderuan çiftin për kontributin e tyre të palodhur për çështjen kombëtare shqiptare, si dhe rolin historik të diasporës në mbështetje të kauzës shqiptare për dekada.
Mbrëmjen festive e moderoi Lindita Shala, e bija e njërit prej veteranëve të Ligës, Hafiz Shala.
Merita Halili, e shoqëruar nga Raif Hyseni në fizarmonikë, interpretoi himnet kombëtare të SHBA-së, Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës, duke krijuar një atmosferë solemne.
Ngjarjen e nderoi me pjesëmarrjen e tij Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi, dhe Ambasadori Blerim Reka.
DioGuardët dhe Çështja Shqiptare në Instancat më të Larta Amerikane
Dokumentari “Një jetë kushtuar lirisë” hapi festën, duke sjellë historinë dhe veprimtarinë e Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane dhe rolin kyç të DioGuardëve në lobimin për të drejtat e shqiptarëve, veçanërisht gjatë regjimit gjenocidal të Sllobodan Millosheviçit.
Agim Aliçkaj, Drejtor Ekzekutiv i Ligës, mbajti fjalën përshëndetëse, në cilësinë e mikpritësit. Ai, Behlul Gashi dhe Ismer Mjeku vlerësuan ndihmesën e pakursyer të çiftit DioGuardi për Shqipërinë, Kosovën dhe trojet etnike shqiptare për më shumë se 35 vjet.
Në fjalën e tij kryesore, Kryeministri Kurti lartësoi përkushtimin, vizionin dhe lidershipin e DioGuardëve në mbrojtje të interesave shqiptare.
Ai theksoi rolin e tyre jetik në lobimin te Presidentët amerikanë Bill Clinton dhe George W. Bush për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës në 2008.
Kurti përmendi sakrificat e vëllezërve Bytyqi dhe kontributin e Batalionit “Atlantiku”, duke i cilësuar DioGuardët si “heronj të gjallë të kombit shqiptar”.
"Çdo shqiptaro-amerikan, pavarësisht pikëpamjeve politike, pranon se Joe DioGuardi hapi dyert e politikës amerikane për shqiptarët në një kohë vendimtare për Kosovën, kur pak ishin të gatshëm të dëgjonin për vuajtjet në ish-Jugosllavi. Së bashku me Shirley, ata lobuan te Presidenti Clinton për të ndaluar gjenocidin në Kosovë, duke parandaluar përsëritjen e Bosnjës, mbrojtën UÇK-në si ushtri çlirimtare me kauzë të drejtë, bindën administratën Bush për pavarësinë e Kosovës dhe vazhdojnë të punojnë në Uashington për drejtësi dhe paqe".
Mbrëmja shënoi ditëlindjen e 85-të të Joe dhe të 75-tën e Shirley, si një shembull frymëzues i asaj se çfarë dy amerikanë, të udhëhequr nga ndërgjegjja dhe miqësia, mund të bëjnë për një popull që lufton për liri.
“Gëzuar! Qofshi të bekuar me shëndet dhe gëzim!” – u uruan ata.
Në një gjest simbolik, Kurti i dhuroi Joe DioGuardit një helmetë ilire të punuar në filigran dhe një libër për Skënderbeun, ndërsa Shirley-t një punim filigrani të gastronomisë tradicionale kosovare.
Joe foli me emocione, duke falënderuar shqiptarët dhe prezantuar librin e tij të ri për veprimtarinë e Ligës. Shirley falënderoi bashkëpunëtorët, duke theksuar rëndësinë e unitetit të diasporës për avancimin e çështjes shqiptare.
Personalitete të veçanta si Christopher Hyland vlerësuan punën e DioGuardëve në Senat dhe Kongres, ndërsa Edward Cox, kryetar i republikanëve konservatorë të Nju Jorkut, theksoi integritetin dhe pasionin e Joe-t.
Elmi Berisha, Kryetari i Federatës PanShqiptare “Vatra”, u shpreh se emrat e DioGuardëve janë në zemrën e çdo shqiptari, duke i quajtur “patriotë të shkëlqyer dhe qenie njerëzore të mrekullueshme”.
Vlerësime erdhën edhe nga Vedat Gashi, David Tubiolo, kandidati për kongresist Diamant Hysenaj, Marko Kepi nga “Rrënjët Shqiptare”, aktivisti Marash Nucullaj dhe Kryetari i Degës së AACL-së në Michigan.
Kjo mbrëmje festive pasqyroi unitetin dhe krenarinë e komunitetit shqiptaro-amerikan, duke nderuar përkushtimin e palëkundur të Joe dhe Shirley DioGuardi. Kontributi i tyre për lirinë dhe drejtësinë e kombit shqiptar mbetet një frymëzim i fuqishëm dhe një trashëgimi e pashlyeshme për brezat e ardhshëm.
Fjalimi i plotë i Agim Aliçkaj
I dashur Joe dhe Shirley,
Shkëlqesia Juaj Kryeministër Albin Kurti, dhe të gjithë liderët nga jeta politike, diplomatike dhe civile – mirë se erdhët!
Të ftuar të nderuar dhe familja ime, në veçanti nipi im Ari.
Faleminderit që jeni bashkuar me ne për të festuar ditëlindjet e miqve dhe udhëheqësve tanë të dashur, Joe DioGuardi dhe Shirley Cloyes DioGuardi.
Është një privilegj i madh për mua të qëndroj sot para jush, jo vetëm për të nderuar Joe si President i Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, dhe Shirley si Këshilltare për Çështjet e Ballkanit, por mbi të gjitha për t’i nderuar ata si miq të dashur dhe bashkëluftëtarë të përhershëm në misionin tonë të përbashkët për të mbrojtur të drejtat kombëtare dhe njerëzore të popullit shqiptar.
Trashëgimia e tyre është e shkruar në jetën që kanë jetuar, me zë të lartë dhe me guxim, me nder, forcë dhe përkushtim të palëkundur. Vepra e tyre ka frymëzuar breza shqiptarësh, si këtu në Shtetet e Bashkuara, ashtu edhe në të gjitha trojet shqiptare.
Ajo që e bën udhëtimin e Joe-s edhe më të jashtëzakonshëm është trashëgimia e tij. Joe lindi dhe u rrit në Bronx, New York. Babai i tij i ndjerë, që emigroi në Amerikë në vitin 1929, ishte shqiptar, arbëresh, i lindur në Greci afër Napolit, në Itali. Kjo prejardhje krenare arbëresho-shqiptaro-amerikane e bën Joe-n jo vetëm mik të çështjes shqiptare, por edhe figurë vendimtare mes vetë shqiptarëve, një urë e gjallë midis historisë sonë, diasporës dhe së ardhmes sonë.
Joe ishte gjithashtu anëtari i parë i Kongresit Amerikan që solli çështjen e të drejtave të shqiptarëve në Ballkan në vëmendjen e Uashingtonit, duke sponsorizuar Rezolutën historike të Kongresit në vitin 1986. Ai hapi dyert në Uashington për Kosovën dhe popullin shqiptar.
Në vitin 1994 iu bashkua Shirley Cloyes DioGuardi, një botuese shumë e njohur, e cila i solli më shumë cilësi dhe forcë Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane.
Në një kohë kur zëri ynë ishte i heshtur, Joe dhe Shirley e ngritën për ne. Me shkëlqim, guxim dhe miqësi, të ndihmuar nga Bordi i përkushtuar i AACL, ata e prezantuan kauzën e pavarësisë së Kosovës në Kongresin Amerikan dhe punuan pareshtur për ta çuar përpara deri sa u arrit Pavarësia e Kosovës.
Dua të përmend vetëm dy deklarata historike nga Joe dhe Shirley. Kur Joe u etiketua si lobist nga kongresmenja serbe Helen Delic Bently, ai u përgjigj: “Unë nuk jam lobist, unë jam shqiptar etnik, unë jam shqiptar etnik.” Ndërsa Shirley, në seancën dëgjimore të marsit 1999, sfidoi ambasadorin Gelbard, i cili po e portretizonte UÇK-në si organizatë terroriste, dhe i tha hapur: “Nëse Ushtria Çlirimtare e Kosovës është terroriste, atëherë terroriste jam edhe unë, dhe kështu janë mbi 500,000 shqiptarë-amerikanë në Amerikë.”
Për këtë, dhe për shumë më tepër, ne shqiptarët do të mbetemi gjithmonë mirënjohës për Joe dhe Shirley. Ata na kanë treguar se patriotizmi i vërtetë i kapërcen kufijtë dhe se drejtësia mund të triumfojë vetëm kur njerëzit e mirë qëndrojnë së bashku.
Dhe sonte, nuk është vetëm për historinë – është për t’i festuar ata si njerëz. Joe dhe Shirley nuk janë vetëm kampionë të drejtësisë, por edhe shpirtra të mirë, bujarë dhe miq të vërtetë që meritojnë të nderohen me dashuri, siç po bëjmë këtu sot.
Kam pasur privilegjin të punoj me Joe, Shirley dhe Bordin tonë për 35 vjet.
Prandaj, në emër të të gjithëve që janë këtu: Joe dhe Shirley, gëzuar ditëlindjen! Qofshi të bekuar me shëndet, gëzim dhe sukses të vazhdueshëm, të rrethuar me dashuri, miqësi dhe mirënjohjen e të gjithë atyre jetëve që keni prekur.
Tani, kam nderin e madh t’ju prezantoj dikë shumë të veçantë që të gjithë e njohin, sidomos armiku ynë, Serbia fashiste. Ai është një udhëheqës i mençur, i fortë, i pakorruptueshëm dhe i palëkundur.
Kryeministri i Kosovës, Shkëlqesia e Tij Albin Kurti.
Agim Aliçkaj
Drejtor Ekzekutiv i LQSHA