Të dashur miq,
Ju falënderojmë për pjesëmarrjen në festimin e ditëlindjes së legjendave të veprimtarisë lobuese në Washington, Joe DioGuardi dhe Shirley Cloyes DioGuardi.
Kjo ishte hera e parë që komuniteti ynë i madh, në një mënyrë të bashkuar, bëri diçka për Joe-n dhe Shirley-n, pas 40 vitesh pune të tyre të palodhur dhe historike për çështjen shqiptare në Amerikë.
Për këtë ngjarje të rëndësishme, ftuam shumë udhëheqës të komunitetit, të cilët gjatë katër dekadave kanë punuar me Joe, Shirley dhe Ligën Qytetare Shqiptaro-Amerikane. Ftuam themeluesit, ish-anëtarët e bordit dhe anëtarët e rinj të bordit. Ftuam gjithashtu udhëheqës të shumë organizatave shqiptaro-amerikane të vjetra dhe të reja.
Jemi shumë të lumtur me përgjigjen e ngrohtë, edhe nga ata që nuk mundën të merrnin pjesë. Pjesëmarrja e Kryeministrit të Kosovës, z. Albin Kurti, e bëri këtë ngjarje edhe më të rëndësishme dhe të veçantë. Respekti dhe madje dashuria për Joe, Shirley, Kryeministrin Kurti dhe për njëri-tjetrin ishte mbresëlënëse.
U përpoqëm me gjithë forcën tonë t’ju mirëpresim dhe t’ju akomodojmë secilin prej jush në mënyrën më të mirë të mundshme, sepse e dimë që të gjithë e meritonit vëmendjen më të madhe. Shpresojmë të kuptoni se kur organizohen ngjarje të mëdha dhe komplekse, mund të ndodhin gabime – veçanërisht kur janë si kjo, në momentin e fundit. Duam t’ju sigurojmë se, nëse ndodhën, ato ishin të paqëllimshme dhe shpresojmë në mirëkuptimin tuaj.
Në fund të fundit, shpresojmë që të gjithë ta kuptojnë se kjo ishte dita e Joe-t dhe Shirley-t dhe e askujt tjetër. Ne ia dolëm mbanë së bashku, ata ishin jashtëzakonisht të lumtur, gjë që besoj se na bën të gjithëve shumë të lumtur.
Faleminderit edhe një herë,
Agim Aliçkaj
Drejtor Ekzekutiv, LQSHA