Rrugëtimi i suksesit dhe bamirësia për bashkatdhetarët tanë në SHBA – Flori Lloga

Amerika

Rrugëtimi i suksesit dhe bamirësia për bashkatdhetarët tanë në SHBA – Flori Lloga

Nga: Nazim Salihu, gazetar i IAPP PRESS Më: 17 tetor 2025 Në ora: 13:44
Foto ilustrim

Flori Lloga, këngëtari i mirënjohur nga Livadhia e Strugës, ka një histori jete të veçantë e frymëzuese. Në vitet 1986–1987, gjatë shërbimit të detyrueshëm ushtarak në ish-Jugosllavi, ai përjetoi periudha të vështira dhe plot sfida. Pas shumë përpjekjesh, arriti të emigrojë drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku nisi një jetë të re.

Në fillim, Flori punoi në sektorin e restoranteve, por në shpirt mbeti gjithmonë artist – muzikant me pasion. Me kalimin e viteve, ai u bë një mbështetës i madh i këngëtarëve shqiptarë në Amerikë. Gjatë viteve ’90 deri në 2000, solli shumë artistë me famë, duke kontribuar në zhvillimin e muzikës dhe kulturës shqiptare në diasporë.

Pas hapjes së restorantit “Aldo” në Waterbury, Connecticut, Flori u shqua edhe për veprimtarinë e tij bamirëse. Ai dhuroi ndihma të shumta për komunitetin shqiptar, për organizatat që përkrahnin çështjen kombëtare, si dhe për Kosovën gjatë luftës së vitit 1999. Flori ishte gjithmonë aty ku kishte nevojë për ndihmë e solidaritet.

Falë suksesit të mëparshëm, ai hapi një tjetër biznes të madh dhe modern — restorantin “Bellagio” në Cheshire, Connecticut, një hapësirë e gjerë me disa hektarë tokë, që u bë qendër e mikpritjes shqiptare në SHBA. Në këtë rrugëtim, ai përfshiu edhe fëmijët e tij: djali Kelmendi u shkollua në Akademinë Universitare për Kuzhinieri, ndërsa Korabi u bë një nga koktelistët më të njohur, duke përfaqësuar SHBA-në në gara ndërkombëtare, përfshirë edhe një në Itali.

Pas konsolidimit të biznesit dhe familjes, Flori iu rikthye edhe muzikës, duke bashkëpunuar me artistë të njohur të estradës shqiptare si Besi Kallaku, me këngë që kanë arritur miliona shikime.

Përveç muzikës dhe biznesit, Flori Lloga vazhdon të mbështesë mediat dhe institucionet shqiptare në diasporë, si Shoqata “Vatra”, dhe Rocky Hill Community TV – Noli Show, ku promovohet arti, suksesi dhe kultura e bashkatdhetarëve tanë në SHBA.

Bamirësia e këtij artisti nuk njeh kufij – sa herë që mëson për një rast që ka nevojë për ndihmë, ai është gjithmonë i gatshëm të kontribuojë.

Mirënjohje nga Noli TV – Rocky Hill Community TV

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat