Bisedimet sekrete të Erdoganit për zhbllokimin e NATO-s

Analiza

Bisedimet sekrete të Erdoganit për zhbllokimin e NATO-s

Nga: Merxhan Jakupi Më: 29 maj 2022 Në ora: 16:02
Autori Merxhan Jakupi

Pas invazionit ushtarak rus në krye me Putinin dhe elitën politike të Kremlinit mbi shtetin e Ukrainës së pavarur, SHBA dhe BE tashmë kanë ndërmarrë një veprim gjeostrategjik, me një koncept të përbashkët, të harmonizuar, politik dhe ushtarak, për ta ndaluar barbarinë ruse dhe për ta mbrojtur demokracinë perëndimore, përfshirë edhe Ukrainën. Bota perëndimore dhe aleanca veri-atlantike ka dhënë pëlqimin për aderimin në NATO të Finlandës dhe Suedisë, mbase edhe të ndonjë shteti tjetër deri tash neutral, që, eventualisht, do të kërkojë hyrje në këtë aleancë në të ardhmen. Sipas sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, kanë treguar interesim për kyçje edhe Australia, Kanada, Izraeli, Tunizia, Maroku etj.


Sa ka peshë vetoja turke


Pritet që në Samitin e ardhshëm të NATO-s, që do të mbahet në Madrid të Spanjë, më 29-30 qershor të këtij viti, pritet që të bëhen anëtare fuqiplote edhe Finlanda dhe Suedia, kështu që numri i anëtarëve do të rritet në 32 sish. Meqë vendimet për pranimin merren me konsensus të plotë, Turqia e shfrytëzon momentin që të vendos "veto", duke bllokuar hyrjen e këtyre dy shteteve të zhvilluara të Evropës. Por, nuk është i vetmi Erdogani që kundërshton. Edhe presidenti kroat, Zoran Millanoviq, një rusofil i deklaruar, ka thënë se Kroacia është kundër hyrjes së Finlandës dhe Suedisë. Në elitën politike kroate ka edhe përçarje. Presidenti me një rast e ka fyer kryeministrin kroat se nuk di të flasë anglisht, madje edhe kroatishten e flet dobët. Në një debat, analisti politik, Zharko Puhovski, përkundrazi, e kishte fyer presidentin kroat se i përngjet breshkës, që e ka parë kalin duke u mbathur, e, edhe ajo e kishte ngritur këmbën.
* * *
Pas SHBA-së, Turqia është e dyta forcë ushtarake në aleancën e NATO-s. Në periudhën e "luftës së ftohtë", Turqia ishte barriera që mbronte Perëndimin nga Pakti i Varshavës. Ajo kufizohej me 70 për qind të vijës kufitare të shteteve të ish-Bashkimit Sovjetik. Turqia edhe tash është vendi kyç në NATO dhe luan një rol të rëndësishëm në politikën gjeostrategjike. Në Memoaret e tij, Winston Churchill, shkruan se bota perëndimore kishte fat që Turqinë e kishte në NATO. Turqia ishte beden i fortë i Perëndimit, përballë një fuqie bipolare dhe armike e demokracisë. Si do të ishte bota, po qe se Turqia mbetej neutrale apo të hynte në Kampin komunist? Merita për këtë i takon themeluesit të shtetit modern turk, Kemal Ataturkut, ndonëse Churchill ishte adhurues i sulltanit dhe kritik i rreptë i Ataturkut. Në kohën e Luftës së Parë Botërore, Churchill ka qenë Ministër i Luftës dhe ishte takuar disa herë me Ataturkun, i cili ishte një antikomunist i rreptë, sepse ishte frymëzuar nga ideologjia e lozhës çifute në Selanik dhe nga iluminizmi francez. Lenini kishte tentuar që ta përfitojë Ataturkun, duke ia premtuar rikthimin e territoreve të Perandorisë së dikurshme osmane dhe pavarësimin e disa shteteve myslimane. Ataturku ka refuzuar dhe ka deklaruar se Turqia do të bëhet një shtet modern e sekular dhe do t'i mbrojë kufijtë e tashme të republikës.


Fundi i përplasjeve të qytetërimeve në Evropë


Në një panel gjerman, "Poenix Runde", analisti politik Markus Lanz, ekspert për Turqinë dhe Lindjen e Mesme, ka theksuar se pas agresionit të Kremlinit, bota ka ndryshuar. Do të ketë dy pole dhe një Jaltë e re. Ndarja do të jetë mes botës demokratike liberale dhe asaj autoritare e despotike. Për të pasur një Evropë të fortë e koherente, që, së fundmi, është rrezikuar nga Putini, BE duhet të zgjerohet me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe me Turqinë. Me Turqinë dhe Ukrainën, BE-ja do të ishte shumë më e fuqishme. Kjo do të ishte në interes të BE-së, e cila do të bëhej një fuqi globale, që do ta zëvendësonte SHBA-në. Kjo do t'i vinte një baraspeshë edhe aleancës ruso-kineze. Pjesa urbane e Turqisë e sheh ardhmërinë në BE. Ata thonë se nuk do të jetë i përjetshëm pushteti i Erdoganit, që e pengon këtë. Evropa në të ardhmen nuk do të jetë vetëm një "klub" i krishterë. Ajo do të shndërrohet në një bashkim multi-fetar dhe multi-kulturor. Do të jetë një Evropë me tri konfesione: katolike, ortodokse dhe protestante, por ku do të ketë mbi 100 milionë myslimanë. Kjo do të sillte fundin e përplasjeve kulturore e fetare të qytetërimeve, thekson analisti.


Turqia dhe presidenti Tajip Erdogan, pas acarimit të marrëdhënieve me aleatët perëndimorë, si dhe me disa shtete të Lindjes së mesme, po tenton t'i kthejë në normalitet këto marrëdhënie. Me agresionin rus në Ukrainë, Erdogan po përpiqet të ndërmjetësojë për të arritur një paqe të qëndrueshme. Kësisoj reputacioni i tij te perëndimorët ka filluar t'i kthehet. Së fundmi, bllokimi nga Ankaraja e kyçjes së Suedisë dhe Finlandës në NATO, ka forcuar pozitën e tij vetëm brenda Turqisë. Ky vend, vitin e ardhshëm do të mbajë zgjedhje parlamentare dhe presidenciale, në të cilat pritet sërish të fitojë AKP-ja dhe Tajip Erdogani. Viti 2023 është tepër i rëndësishëm për Erdoganin, sepse është 100-vjetori i themelimit të Turqisë moderne e sekulariste nga babai i kombit, Kemal Ataturk. Bllokimi në NATO përkrahet vetëm nga nacionalistët dhe tradicionalistët turk, që kanë disponim anti-perëndimor. Ata e akuzojnë Perëndimin se po mbështet organizatën terroriste PPK dhe Gylenistët. Ankaraja del me qëndrimin se nuk është kundër zgjerimit të NATO-s, por jo edhe me vendet që përkrahin PKK-në. Për zgjidhjen e këtij ngërçi, ka kërkuar nga këto dy shtete ekstradimin e 33 aktivistëve, siç i quan terroristë kurd; mos dhënien azil për ta dhe heqjen e embargos së armëve. Po ashtu, kërkojnë që SHBA të lejojë blerjen e avionëve ushtarakë F-35, si dhe teknologjisë ushtarake. Si përgjigje, Ankaraja bleu nga Moska raketat S-400, që edhe më shumë thelluan krizën me perëndimorët.
* * *
Diplomatë të ndryshëm shtrojnë pyetjen nëse Ankaraja mund ta heq këtë bllokadë dhe të arrihet një konsensus i plotë brenda NATO-s, sepse për këtë aleancë, në këtë moment, është me rëndësi strategjike, kyçja e Suedisë dhe Finlandës, në funksion të mposhtjes së kërcënimeve ruse ndaj interesave të BE-së dhe SHBA-së. Në të kundërtën, Turqia do të futej në një spiralë të krizës dhe të izolimit ndërkombëtar, ndaj së cilës do të aplikoheshin edhe sanksione të rrepta. Kjo bllokadë, siç bëhet e ditur nga pala turke, ka një çmim dhe një pazar në marrëveshje. Mësohet se tashmë kanë filluar disa bisedime sekrete mes Turqisë, në njërën anë, dhe Suedisë e Finlandës, në anën tjetër. Këto bisedime pritet që të japin rezultat para fillimit të Samitit të NATO-s në Madrid, në fund të qershorit të këtij viti.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat