Parada ushtarake e Serbisë – shfaqje politike e dështuar e Aleksandar Vuqiçit

Analizë

Parada ushtarake e Serbisë – shfaqje politike e dështuar e Aleksandar Vuqiçit

Hafir Hoxha Nga Hafir Hoxha Më 30 shtator 2025 Në ora: 20:08
Aleksander Vuciq

Parada ushtarake e mbajtur në Beograd më 20 shtator 2025 ishte e planifikuar nga presidenti serb Aleksandar Vuqiç në kulmin e krizës së brendshme politike në Serbi. Me këtë parakalim ushtarak, Vuqiç synoi të tregonte gatishmërinë e ushtrisë për mbrojtjen e rendit të brendshëm dhe të ushtronte frikë ndaj atyre që mendojnë ta rrëzojnë qeverinë e tij me dhunë. Njëkohësisht, ai tentoi t’i tregojë “muskujt” e Serbisë ndaj shteteve fqinje – veçanërisht Kosovës dhe ish-republikave jugosllave.

Megjithatë, momenti i mbajtjes së kësaj parade ishte i papërshtatshëm në rrafshin global të sigurisë. Lufta mes Rusisë dhe Ukrainës, tensionet e vazhdueshme mes Izraelit, Iranit dhe Palestinës, si dhe krizat e tjera ndërkombëtare mbeten prioritet në diplomacinë botërore. Pikërisht për këtë arsye, parada e Vuqiçit nuk arriti të tërheqë vëmendjen ndërkombëtare dhe, sipas shumë vlerësimeve, rezultoi e dështuar – gjë që edhe vetë Vuqiçi e ka kuptuar, prandaj e kaloi nën heshtje, ndryshe nga pritjet e tij të hershme.

Në këtë parakalim nuk u panë liderë të fuqishëm botërorë, nuk morën pjesë presidentë, ministra të mbrojtjes apo shefa të shtabeve ushtarake të shteteve të mëdha. Madje, nuk pati përfaqësim as nga Rusia, Kina, India apo vendet e Bashkimit Evropian. Përjashtim bëri vetëm shefi i ushtrisë së Malit të Zi, ndërsa pjesëmarrja e disa liderëve nga Liga Arabe lidhej më shumë me interesa ekonomike dhe investime në Serbi, e jo me mbështetje politike ose ushtarake.

Edhe aspekti ushtarak i paradës nuk la mbresa. Kapacitetet teknologjike të prezantuara ishin të kufizuara dhe larg fuqisë për të tërhequr vëmendjen serioze ndërkombëtare. Për më tepër, përgatitjet për paradën zgjatën dukshëm më shumë se në vitin 2014, kur Serbia shënoi 70-vjetorin e çlirimit të Beogradit me praninë e presidentit rus Vladimir Putin.

Për këtë situatë foli edhe oficeri në pension i Ushtrisë së Serbisë dhe nënkryetar i partisë “Srbija centar”, Petar Bošković, i cili theksoi se arsyeja e vonesave është mungesa e personelit në ushtri. Sipas tij, në gjashtë vitet e fundit rreth 15.000 pjesëtarë kanë braktisur forcat e armatosura te Serbis .

“Për të realizuar këtë ngjarje dhe për ta kënaqur udhëheqësin, u desh të angazhonin njerëz nga jashtë – nga industria ushtarake, shoferë e të tjerë, si dhe rezervistë. Për stërvitjen e tyre nevojitet shumë më tepër kohë”, tha Bošković për televizionin N1.

Kjo dëshmon se edhe sistemi i mbrojtjes në Serbi po përballet me probleme serioze. Përveç mungesës së efektivit, gjithnjë e më shumë në strukturat komanduese e politike të shtetit po shtohet numri i zyrtarëve me botëkuptim proamerikan dhe properëndimor, ndërkohë që po zbehet ndikimi i atyre prorusë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat