Kosova e lënë pas dore, Trump ndryshoi rregullat e lojës

Analizë

Kosova e lënë pas dore, Trump ndryshoi rregullat e lojës

Nga: Nijazi Halili Më: 29 janar 2026 Në ora: 09:34
Autori Nijazi Halili

Për një periudhë të gjatë pas shpalljes së pavarësisë, Kosova ndjeu se ishte lënë në margjinat e politikës amerikane. Nën administratat Obama dhe, më pas, Biden, vendi ynë u trajtua kryesisht si një zonë stabiliteti, e menaxhueshme dhe pa urgjencë të veçantë strategjike. Në vend që të fuqizohej si shtet i ri dhe i brishtë, Kosova mbeti shpesh në plan të dytë të diplomacisë perëndimore, ndërsa Serbia u promovua si partner strategjik i Perëndimit në Ballkan. Ky perceptim e vendosi Kosovën në një pozitë të pafavorshme politike, ku nevojat e saj për konsolidim shtetëror dhe drejtësi historike nuk morën vëmendjen e duhur.

Kjo qasje nuk ishte e rastësishme. Administrata Obama e shihte Ballkanin përmes prizmit të menaxhimit të krizave dhe ruajtjes së balancës rajonale, jo përmes adresimit të pasojave të luftës apo forcimit të sovranitetit të shteteve të reja. Për Kosovën, kjo u përkthye në izolim diplomatik të heshtur dhe në vendime ndërkombëtare që shpesh nuk pasqyronin realitetin e konfliktit dhe pasojat e tij afatgjata. Në këtë kontekst, stabiliteti u shndërrua në qëllim në vetvete, shpesh në dëm të drejtësisë dhe barazisë ndërkombëtare.

Shembulli më domethënës i kësaj qasjeje ishte krijimi i Gjykatës Speciale për krime të luftës. Formarisht, Gjykatës Speciale u themelua në vitin 2015 nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, përmes ndryshimeve kushtetuese dhe miratimit të ligjit përkatës. Në praktikë, megjithatë, ky vendim ishte rezultat i presionit të fortë ndërkombëtar, kryesisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian. Shtysa kryesore ishte Raporti i Këshillit të Evropës i vitit 2010, i njohur si Raporti i Dick Marty-t, i cili ngriti pretendime për krime të rënda të kryera nga individë të lidhur me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Ky raport e vendosi Kosovën nën presion diplomatik të vazhdueshëm, me kërcënimin e qartë se çështja mund të kalonte në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ku Serbia, Rusia dhe Kina do të kishin ndikim të drejtpërdrejtë politik.

Përballë këtij realiteti, krijimi i Gjykatës Speciale u paraqit si një zgjidhje e ndërmjetme, më mirë një gjykatë “e Kosovës” me seli në Hagë, sesa një tribunal i imponuar nga OKB-ja. Argumentet në favor të saj u ndërtuan mbi nevojën për të trajtuar krimet e luftës të mbetura pa gjykim, garantimin e sigurisë së dëshmitarëve dhe pavarësisë gjyqësore, si dhe parandalimin e përshkallëzimit të tensioneve rajonale. Megjithatë, pasojat politike dhe simbolike për Kosovën ishin të rënda. Gjykata u fokusua ekskluzivisht në krime të pretenduara të shqiptarëve, ndërsa Serbia nuk u përball me një mekanizëm të ngjashëm për krimet e kryera nga strukturat e saj shtetërore gjatë luftës. Kjo krijoi një barazi të rreme mes agresorit dhe viktimës, duke dëmtuar narrativën historike të luftës çlirimtare dhe duke e dobësuar legjitimitetin ndërkombëtar të Kosovës.

Roli i Joe Biden, atëherë nënkryetar i SHBA-së, ishte vendimtar në këtë proces. Ai ndërmjetësoi pranimin e mekanizmit nga institucionet kosovare, duke reflektuar qartë filozofinë e administratës Obama, ku stabiliteti rajonal u vendos mbi drejtësinë dhe sovranitetin lokal. Ky kompromis politik u justifikua si i domosdoshëm për paqen afatshkurtër, por la pasoja të thella në perceptimin e Kosovës si shtet i barabartë në arenën ndërkombëtare.

Me ardhjen e Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, kjo qasje ndryshoi ndjeshëm. Për herë të parë pas shumë vitesh, Kosova u përfshi drejtpërdrejt në logjikën e re strategjike të mbrojtjes dhe sigurisë së Shteteve të Bashkuara. Ajo nuk u trajtua më vetëm si çështje rajonale, por si pjesë e interesave globale të SHBA-së, në një kohë kur rivaliteti me Serbinë si aleate të Rusisë dhe Kinës po thellohej në Ballkanin Perëndimor.

Administrata Trump e trajtoi Kosovën në mënyrë më pragmatike dhe më të drejtpërdrejtë, duke e vendosur atë në tryezën e negociatave si aktor dhe jo si subjekt pasiv. Marrëveshjet ekonomike dhe të sigurisë, përfshirë bashkëpunimin në energji, infrastrukturë dhe investime strategjike, e forcuan rolin e Kosovës në rajon. Prania amerikane u pa gjithnjë e më shumë si element parandalues ndaj zgjerimit të ndikimit rus dhe kinez përmes Serbisë.

Arritja më e madhe e kësaj periudhe ishte përfshirja e Kosovës në dokumentet strategjike të Shteteve të Bashkuara, ku u sanksionua qartë një parim jetik për shtetësinë e saj, nuk ka ndarje dhe nuk ka shkëmbim territoresh mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë. Ky qëndrim përbënte një fitore të madhe politike dhe diplomatike për Kosovën, duke i dhënë fund ideve të rrezikshme për “korrigjim kufijsh”, të cilat do të kishin destabilizuar jo vetëm Kosovën, por gjithë rajonin.

Po aq e rëndësishme ishte edhe fakti se ky dokument strategjik parashihte njohjen reciproke mes Kosovës dhe Serbisë si objektiv final të dialogut, duke e zhvendosur procesin nga një menaxhim i pafund i status quo-së drejt një zgjidhjeje politike përfundimtare. Kjo e afirmoi Kosovën si shtet sovran, të pandashëm dhe të barabartë në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Kontrasti mes dy qasjeve është i qartë, nën Obama dhe Biden, Kosova mbeti pas derës së politikës globale, kurse nën Trump, ajo u vendos në skenë si partner strategjik i SHBA-së në arkitekturën e re të sigurisë ndërkombëtare. Ky realitet nxjerr në pah një të vërtetë thelbësore, Kosova ka nevojë për një strategji afatgjatë dhe të qëndrueshme nga aleatët e saj, që nuk ndryshon sipas cikleve politike në Uashington, por respekton drejtësinë, dinjitetin dhe realitetin historik të saj.

Historia nuk fal, dhe Kosova nuk mund të mbetet më “pas derës” së politikës globale

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat