Caktohet vendi ku do të zhvillohet meçi Joshua-Fury

Boksi

Caktohet vendi ku do të zhvillohet meçi Joshua-Fury

Më: 21 prill 2021 Në ora: 09:57
Anthony Joshua dhe Tyson Fury

Meçi i shumëpritur për kampionin e padiskutueshëm të botës mes Anthony Joshua dhe Tyson Fury do të zhvillohet në Arabinë Saudite, njofton Bob Arum, promotori i këtij të fundit.

Bisedimet për luftën për kampionin e padiskutueshëm të botës janë duke u zhvilluar që një vit dhe thuhej se caktimi i vendit ku do të ndesheshin ata ishte pengesa e fundit.

Por javën e kaluar, dy boksierët britanikë ranë në ujdi për vendtakimin e tyre për titullin e kampionit të padiskutueshëm të botës në kategorinë e rëndë.

Në mesin e vendeve të propozuara ishin Katari, Uzbekistani, Rusia, Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe.

Arum, promotori i Fury, konfirmoi të martën mbrëma se lufta do të zhvillohet në Arabinë Saudite, shtetin ku u zhvillua edhe rimeçi mes Joshuas dhe Andy Ruiz Jr në vitin 2019.

Arum ka thënë se qyteti Jeddah pritet të jetë vendi ku do të organizohet “Beteja e Britanisë”, në njërën prej këtyre tri datave, 24 korrik, 31 korrik, ose 7 gusht.

“Ne i kemi tanimë kontratat për vendin e meçit. Kemi bërë hap të madh. Tani vetëm po i rregullojmë dokumentet me sauditët”, tha Arum për Boxing Scene.

Fury rrezikon ta humbasë titullin në WBC, ndërsa Joshua rrezikon t’i humbasë titujt në IBF, WBO dhe WBA në luftën e parë për të gjithë katër titujt e mëdhenj të botës në kategorinë e rëndë.

Kampioni i fundit i padiskutueshëm i botës ishte Lennox Lewis nga Britania e Madhe nga viti 1999 deri më 2000. 

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat