Karriera interesante e Selatin Gashit, sportist në dy sporte!

Boksi

Karriera interesante e Selatin Gashit, sportist në dy sporte!

Nga: Kemajl Goca Më: 31 maj 2022 Në ora: 19:02
Selatin Gashi e Milena Koleva

Selatin Gashi sot jeton në Gjermani. Edhe sot me kërshëri e përcjell sportin e Kosovës dhe disa herë edhe kritikon, nuk pajtohet me disa gjëra por edhe ka fjalë miradije për ata që punojnë me profesionalizëm e shënojnë suksese në arenën ndërkombëtare! 

I njohur si “Culi”, ka pasur një karrierë interesante si boksier në kategorinë bantam por edhe si futbollist.
Në vitet e 70-ta angazhua në dy sporte!

Gashi kur kujton vitet e 70-ta, paksa e tradhtojnë emocionet, ndihet krenar që ka stërvitur me plejadën e famshme të Prishtinës në boks dhe pastaj kishte shtegtuar në KB Rijeka. 

Image

Selatin Gashi gjatë një meçi me Mërgim Shalën 

Sot numëron 61 vjet dhe çdo suksesit të Kosovës i gëzohet pamasë.

“Karrierën si boksier e kam filluar në vitin 1971, ku kam ushtruar të trajneri tani i ndjeri Shyqeri Luca.

Në vitin 1973 fillova me Futboll në klubin e Flamurtarit, ku luajta nga pionieri e deri tek juniori, pastaj në vitin 1977 kalova në Rudnik të Kizhnices. Në këtë ekip vazhdova 1 vit, pastaj prapë ju ktheva boksit. Atëherë isha në shoqëri me Sami Buzollin, të ndjerin Abedin Ejupin, Latif Demollin dhe Naser Bajramin.

Bisedonim për boks dhe një ditë me takuan me Shefki Bogujevcin dhe biseduam për me ushtruar. 

Fillova të ushtroje ku ai shpejt zbuloje talentin tim dhe në vitin 1979 i propozojë të ndjerit Lah Nimani të me merr në përgatitje me ekipin i cili kishte fituar 4 tituj të ish Jugosllavisë.

Konkurrenca ishte shumë e fortë, ku ishin në kategorinë bantam Zoran Dediq, Haki Peci dhe Sami Buzolli”, tregon Gashi për gazetën kombëtare “Bota sot”.

Në një moment vjen një telefonatë nga Rijeka e Kroacisë dhe ndryshon gjithçka për “Culin”.  

Një ditë Klubi i boksit Rijeka kishte telefonuar në Prishtinë, ku kërkonin një boksier të kategorisë bantam për të shkuar në një turne 10 ditorë në Poloni.

Lah Nimani e kontaktojë Sami Buzollin, që e dinte se ne ishim shokë, papërtesë shkova, se unë kisha nevojë për meçe.

Pastaj Udhëheqesia e Rijekës filluan me bisedu me mua për të kaluar në Rijekë dhe e pranova ofertën duke menduar se pas 1 viti do të kthehem në Prishtinë Për fat të keq me qitën në harrese dhe pastaj u zhgënjeva. Bëra aventura në Çaçak, Banjallukë e Kikindë.

Në vitin 1990 e lëshova Kosovën, shkova ne Norvegji ku u aktivizova si trajner, të punojë në qytetin Tronheim. Pastaj shkova në Suedi aty u tubuam disa shqiptarë dhe me morën për ushtrime, por ato ishin vetëm për shëndetin tonë.

Në vitin 1993 u ktheva ne Kosovë por në kufi më morën pasaportën, ku prita 5 muaji deri sa gjeta lidhje për ta marrën tjetrën.

Me 1994 erdha ne Gjermani ku edhe jetoj”, kujton Gashi një pjesë të sfidave.

Edhe tani është aktiv me boks, si trajner dhe ndihet krenar për boksiere që ka udhëheq, Milena Koleva, e cila para pak kohe boksoj para 20 mijë shikuesve. 

“Në Gjermani fillova të merrem me boks në një klub e pastaj e hapa shkollën e boksit në qytetin ku jetoja deri në vitin 2007 e në vitin 2011 erdha në Berlin, e hapa shkollën e boksit prapë dhe mblodha shumë shqiptarë në klub.

Ajo ishte me kontratë, kështu që u detyrova të shkojë në një klub tek një turk ku aty ma mundësojë një shqiptarë nga Maqedonia të punojë. Në vitin 2018 me ftojë menaxheri i boksit profesional Artan Verbica dhe me pyeti a kam dëshirë të jem në kënd të një boksieri nga Bosnja.

Unë pranova, pastaj pandemia, virusi korona e bëri të veten, 2 vite nuk isha fare aktiv derisa me ftojë prapë Verbica që ta udhëhoqi një boksiere nga Bullgaria në Pragë të Çekisë.

Verbica nuk mund t’i thoja jo dhe pranova por befasia që me priti në salle as në ëndërr se kam parë të udhëheqi një boksiere para më së 20 mijë shikuesve, ku isha shumë i emocionuar”, përfundon Gashi, duke u futur në histori si trajner shqiptar, që ka drejtuar një boksiere para një numri rekord shikuesish.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat