Nunes hakmerret ndaj Pena dhe rikthehet kampione e dyfishtë e botës

Boksi

Nunes hakmerret ndaj Pena dhe rikthehet kampione e dyfishtë e botës

Më: 31 korrik 2022 Në ora: 18:13
Nunes hakmerret ndaj Pena dhe rikthehet kampione e dyfishtë e botës

Amanda Nunes ka rimarrë titullin kampion bote në peshën “bantamweight” (pesha deri 62kg) në artet marciale mikse. Në eventin UFC-277 zhvilluar sot, “luanesha” braziliane fitoi me vendim unanim të gjyqtarëve ndaj amerikanes Julianna Pena, sfidë e zhvilluar në Las Vegas.

Të tri gjyqtarët i dhanë me meritë fitoren Nunes (50-45, 50-44, 50-43), që e dominoi duelin në kafaz dhe u hakmorr për humbjen e 8 muajve më parë. Nunes e rrëzoi disa herë në tapet rivalen e saj, pa mundur dot ta fitojë duelin me KO. Gjithsesi, në asnjë moment Nunes nuk e vuri në diskutim fitoren.

Që nga raundi i parë e deri tek i pesti, braziliania ishte superiore në kafaz, duke e goditur fort Pena, që nuk pati asnjë shans të reagojë apo rivalizojë. Madje Pena u gjakos shumë gjatë kësaj sfide, por rezistoi deri në fund.

Goditjet me grushta, shkelma e bërryla të Nunes rikthyen brazilianen e kohëve të arta, që tashmë mban sërish dy tituj kamopionë bote. “Luanesha” mban edhe titullin e peshës “featherweight” (pesha deri 66kg) në këtë sport, duke qenë sërish kampione e dyfishtë e botës.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat