Boksi përgatitet për një natë magjike në Arabi

Boksi

Boksi përgatitet për një natë magjike në Arabi

Më: 13 prill 2023 Në ora: 15:32
Joshua e Usyk

Boksieri britanik Anthony Joshua deklaroi pak ditë më parë se do të rikthehet në ring në dhjetor të këtij viti.

Një vendim që befasoi të gjithë, por që duket se e ka një kuptim.

Sipas mediave britanike, boksi po përgatitet për një fundvit të zjarrtë.

Në ring, në një mbrëmje magjike, do të ngjiten 4 boksierët më të mirë të dekadës së fundit në peshën e rëndë.

“The ultimate showdown” (përballja përfundimtare) është eventi i madh i boksit që pritet të organizohet në Arabinë Saudite, ku do të vendosë përballë njëri-tjetrit katër boksierë dhe dy duele të mëdha.

Bëhet fjalë për sfidën Anthony Joshua-Deontay Wilder dhe atë mes dy kampionëve të botës në peshën e rëndë: Tyson Fury-Oleksandr Usyk.

“Ka thashetheme për një seri luftimesh në Lindjen e Mesme dhe ato përfshijnë Fury, Usyk, Joshua dhe Wilder”, shkruan “sportboxing”, që më tej shkruan:

“Bëhet fjalë për shuma të mëdha parash që do të vihen në lojë. Joshua do të duelojë me Wilder, ndërsa dy kampionët e botës mes tyre për unifikimin e titujve kampionë. Do të jetë një apo dy mbrëmje të magjishme”.

Për momentin nuk ka asgjë zyrtare, por mbetet një ide e jashtëzakonshme për të mbledhur 4 boksierët më të mirë në një natë magjike.

Gjithsesi, pritet që këtë verë, Fury dhe Usyk, të zhvillojnë edhe nga një sfidë. Për britanikun nuk ka ende ndonjë emër konkret, ndërsa Usyk mund të duelojë ndaj Daniel Dubois.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat