Telenovela për zhvillimin e një dueli mes Michael Chandler dhe Conor McGregor duket se nuk ka fund. Një përballje që duhej të ishte zhvilluar dy vite më parë, por që është shtyrë për arsye të ndryshme.
Por orët e fundit ka një lajm të ri që vjen nga vetë Michael Chandler, që duket se shpall datën e re për duelin ndaj “The Notorius”. Veterani i peshave të lehta të UFC-së kohët e fundit bëri postime të njëpasnjëshme në rrjetet sociale që shkruanin “Conor!!!” dhe “1/24/26”.
Vetëm Chandler e di me siguri se cili ka qenë synimi i këtyre dy postimeve, por nuk ka dyshim se ai po paralajmëron për një ndeshje të mundshme me Conor McGregor.
Gjithsesi, deri në janarin e vitit të ardhshëm ka ende kohë për të zbuluar nëse ajo datë është e saktë.
McGregor, tashmë 37 vjeç, nuk ka garuar që kur theu këmbën kundër Dustin Poirier në verën e vitit 2021. Në vitet që pasuan, ai hyri në luftë me USADA-n, humbi një padi civile dhe theu gishtin e vogël të këmbës ndërsa stërvitej për rikthimin e tij në UFC ndaj Chandler.
Sa i përket 39-vjeçarit Chandler, ai më në fund u lodh duke pritur për ndeshjen me McGregor dhe u rikthye në aksion në fund të vitit 2024, ku u mposht menjëherë nga Charles Oliveira (UFC 309) dhe Paddy Pimblett (UFC 314) në ndeshje të njëpasnjëshme.