Nazif Gashi, legjenda e boksit të Kosovës, sot ka ndërruar jetë dhe u varros me nderime të larta në lagjen Arbëria në Prishtinë.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha se Kosova sot humbi një sportist të madh.
“Kosova humbi sot jo vetëm një sportist të madh, por një prej figurave që e ndërtoi boksin tonë modern mbi disiplinë, karakter dhe përkushtim.
Lajmi për ndarjen nga jeta të Nazif Gashit na ka pikëlluar të gjithëve.
Nazif Gashi, i lindur në Mramor të Prishtinës, ishte pjesë e brezit që i dha emër Klubit të Boksit “Prishtina” dhe që e bëri atë simbol suksesi në vitet e 70-ta dhe 80-ta.
Për një dekadë të tërë ai ishte i pandashëm nga ekipi, pjesë e çdo përballjeje dhe garancë e forcës së skuadrës.
Në ring, ai nuk përfaqësonte vetëm klubin, po të gjithë vendin dhe një ëndërr të tërë kolektive për t’u dëshmuar.
Fitoret e tij në turne të rëndësishme dhe duelet me kampionë të mëdhenj e vendosën Nazif Gashin në qendër të sportit vendor. Jashtë ringut ai ishte po aq i rëndësishëm, si selektor i përfaqësueses sonë, si trajner dhe si edukator i brezave që i mësoi se suksesi ndërtohet çdo ditë, me punë dhe me modesti.
Ndarja e tij nga jeta na e kujton se sporti ynë është formësuar nga figura të tilla që punuan shumë, kërkuan pak për vete dhe lanë pas një trashëgimi që nuk shuhet.
Ngushëllime të sinqerta familjes Gashi, komunitetit të boksit dhe të gjithë dashamirëve të sportit.
Kujtimi për Nazif Gashin do të mbetet i përhershëm, ashtu si edhe puna e veprimtaria e tij”, shpreh ngushëllime kryeministri Kurti.