Jake Paul thyen hundën një javë para duelit me Anthony Joshua

Boksi

Jake Paul thyen hundën një javë para duelit me Anthony Joshua

Më: 11 dhjetor 2025 Në ora: 16:52
Jake Paul

Jake Paul, YouTuber-i i kthyer në boksier, po hyn në ndeshjen e tij më të madhe të karrierës kundër Anthony Joshua me një dëmtim serioz.

Në mes të një përgatitjeje të lodhshme, Paul ka pësuar një hundë të thyer. Lajmi vjen vetëm një javë para ndeshjes së planifikuar për 19 dhjetor dhe mund të ndikojë ndjeshëm në performancën e tij në ring, shkruan Bloody Elbow.

Paul zbuloi dëmtimin gjatë një interviste me Pat McAfee. Kur u pyet për hundën e tij të fryrë, Paul nuk hezitoi të pranonte se kishte pësuar dëmtime.

"Po bëhet më e fryrë, vëllai. Nuk do të gënjej. Gjatë stërvitjeve me boksierë të peshave të rënda, hunda ime lëvizi disa milimetra," tha ai, raporton KosovaPress.

Paul përmendi një nga partnerët e tij si fajtorin kryesor - Frank Sanchez. “Kështu që unë patjetër që kam diçka të vogël aty. Po, vëlla, është keq. Shikoje këtë", tha Paul.

Pavarësisht dëmtimit, Paul mbetet i sigurt në planin e tij të lojës. Strategjia e tij është ta çojë Anthony Joshuan në raundet e mëvonshme dhe pastaj ta përfundojë me një nokaut.

"Nuk mendoj se ai mund të më nokautojë, pasi që nuk do të jetë në gjendje t'i rreshtojë grushtet e tij siç duhet për të dhënë një grusht të fortë," tha Paul.

Megjithatë, një hundë e thyer është problem serioz për çdo boksier. Vështirësia në frymëmarrje përmes hundës do ta detyrojë Paul të luftojë me gojën hapur, gjë që mund të ndikojë ndjeshëm në qëndrueshmërinë e tij dhe ta bëjë më të prekshëm ndaj grushteve në mjekër. Shkalla e vërtetë e ndikimit të këtij dëmtimi do të shihet vetëm kur Paul dhe Joshua të hyjnë në ring.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat