Boksieri britanik Lawrence Okolie ka dështuar në një test antidoping para meçit të planifikuar për të shtunën kundër francezit Tony Yoka.
Okolie, i renditur numër 1 nga WBC në kategorinë e rëndë, pritej të udhëtonte drejt Parisit për t’u përballur me yllin vendas Yoka, por u raportua se ai rezultoi pozitiv në një test të kryer nga Voluntary Anti-Doping Association (VADA), shkruan mes të tjera “Sports.yahoo”.
Okolie reagoi me një deklaratë publike: “Para se dikush të mendojë më të keqen, pas dëmtimit të bicepsit vitin e kaluar, gjatë këtij kampi pësova edhe një dëmtim në bërryl në të njëjtin krah.
Mora një trajtim për të dhe tani jemi këtu.
Shpresoj që arsyeja të mbizotërojë.
Do të bashkëpunoj plotësisht me të gjitha autoritetet përkatëse dhe jam i bindur se hetimi do të pastrojë emrin tim. Nuk do të bëj komente të tjera për momentin”.
Promotorii kësaj ngjarje konfirmoi se përballja mes Okolies dhe Yokës është anuluar.
Ky skandal mund të ndikojë rëndë në planet e tij për titull bote, pasi pritej që kampioni aktual Oleksandr Usyk të hiqte dorë nga titulli WBC në peshën e rëndë, çka do t’i hapte rrugë një përballjeje mes Okolies dhe kampionit të përkohshëm Agit Kabayel.
Megjithatë, pas rezultatit pozitiv në testin antidoping, shpresat e Okolies për titull bote në kategorinë e rëndë mund të shtyhen për një kohë të pacaktuar.