Historia që ka mbetur në mendjen e çdo gjenerate të mesme dhe të vjetër të viteve të 80-ta në Kosovë është ajo e 15 qershorit të vitit 1986, kur klubi i boksit Prishtina u dëmtua rëndë nga gjyqtarët, u sulmua nga publiku në Podgoricë në meçin me Buduçnostin dhe më pas qarqet e ish-Jugosllavisë e përjashtuan kampionin në fuqi nga Liga e Parë ish jugosllave.
Skenari i regjimit serb dhe ish-jugosllav u realizua: Prishtina u përjashtua një javë pa përfunduar kampionati i ish-shtetit artificial.
Pas kësaj, federata e boksit e ish-Jugosllavisë mori vendim të rëndë duke regjistruar fitoren e Buduçnostit me rezultat zyrtar 20:0.
“Në kategorinë e mesme, Makolli ishte superfuqi ndaj Vuksanoviqit. Referët boksierin vendas e lejuan të veprojë si t’ia donte qejfi. Ky, me bërryla e kokë, vetëm shqelmat nuk i përdori; në çdo mënyrë e pengoi Makollin.
Por, në vend që të qortohej dhe të diskualifikohej boksieri vendas, pasoi vërejtja publike për Makollin! Mirëpo, në fund, për çudi, referët përsëri fitues e shpallën Makollin.
Rezultati u barazua 9:9, pasi që Nysret Rexhepi fitoi pa luftë”, kishte shkruar Bulliqi më 16 tetor të vitit 1986.
Fatmir Makolli, legjenda e boksit të Kosovës, ka treguar skenarin e frikshëm të asaj kohe. Boksieri i gjeneratës së artë të viteve ’80 rrëfen çfarë ndodhi në atë ditë të rëndë.
“Shefi i milicisë në Podgoricë, me një dorë ua bënte publikut mos bëni veprime, ndërsa me dorën tjetër u thoshte: goditni, goditni. Kjo ka qenë çudia.
Ka qenë atmosferë e rëndë; ishin përgatitur të gjitha skenarët për të mposhtur Prishtinën me të gjitha mjetet, nga gjyqtarët deri te publiku”, ka rrëfyer Makolli për gazetën kombëtare "Bota sot" lidhur me skandalin e 15 qershorit të vitit 1986 në Podgoricë.
Makolli thotë se atë ditë kishte vendosur me shokët e tij që të mos dorëzoheshin në asnjë rrethanë.
“Ishte meçi im i parafundit, rezultati 9:7. Trajneri Lah Nimani më tha: ‘
Djali im, ti e vendos titullin!’ Iu ktheva: ‘Bacë, mos u bë merak’, ndërsa ai më dha një shuplakë motivuese.
Futem në ring, ndërsa boksieri Vuksanoviq boksonte papastër, me bërryla e shqelma, dhe gjyqtarët e lejonin. Ishte luftë e madhe.
Çelësi i titullit konsiderohesha unë, sepse duhej patjetër të fitoja dhe të gjithë e dinim se Xhevdet Peci do ta mposhte Raziqin.
E mposhta Vuksanoviqin, rezultati u barazua 9:9 dhe, për çudi, publiku më duartrokiti. E panë se i mposhta si boksierin ashtu edhe gjyqtarët.
As shikues e as trajnerë, vetëm Zoti më dha një forcë dhe guxim të madh. I thashë vetes: kam me vdekur në ring pa fituar nuk dal. Nga urrejtja, publiku u kthye në duartrokitje për mua në Podgoricë”, tregon Makolli.
Makolli kujton edhe një meç në Prishtinë.
“Para disa muajve e kisha mposhtur Vuksanoviqin në Prishtinë. Ai në dy rundet e para më hodhi dy herë në nokdaun.
Në rundin e tretë e hodha në nokaut klasik, 30 sekonda para përfundimit të meçit.
Shpërtheu publiku si vullkan në Prishtinë nga gëzimi”, ka nënvizuar Makolli.
Ish-boksieri i Prishtinës tha se ishin të bindur se Peci e kishte fituar luftën e fundit dhe askujt nuk i kishte shkuar mendja se do të dëmtohej rëndë dhe do të diskualifikohej pa asnjë arsye.
“Peci ishte i sigurt për fitore, por u dëmtua rëndë. Ishte skenar nga Federata e Boksit të ish-Jugosllavisë, në bashkëpunim me ekipin Gosha nga Smederevska Pallanka.
Skenar kundër nesh”, tha Makolli.
“Televizionit të Prishtinës iu thye kamera, u sulmuan komentatorët dhe iu morën incizimet nga vendasit.
Xhevdet Peci u mor në mbrojtje nga milicia, sepse sulmohej nga të gjitha anët.
Prapa Xhevdetit qëndronte vazhdimisht Sefedin Braha, ku publiku na gjuante me shishe e gjithçka tjetër.
Riza Fazliu, kryetar i klubit të boksit Prishtina (kontribuues më i madh në histori të klubit), qerpiku nuk i lëvizte dhe iu doli para; po ashtu edhe Lah Nimani, dhe pas tyre isha edhe unë.
Mbeta unë, Rizau dhe Lahu. Publiku m’u drejtua jashtë palestrës në gjuhën malazeze: ‘Fatmir, eja këtu’, ma dhanë dorën dhe më thanë ‘të lumtë’.
Me ne ishte edhe Ibush Çollaku, ish-boksier i Prishtinës në vitet e hershme, si dhe Adem Llausha e Murat Rexha – simpatizues”, ka përfunduar Makolli.