Boksieri shqiptar Ermal Hadribeaj, i njohur ndryshe si “Snajperisti shqiptar”, ka shprehur lumturinë e tij pas triumfit të madh të mbrëmshëm ndaj francezit Bakary Samake, pas një dueli të fortë prej 12 raundesh.
Fitorja e arritur në Oberhausen të Gjermanisë konsiderohet si një nga sukseset më të mëdha në karrierën e Hadribeajt dhe një hap shumë i rëndësishëm drejt ëndrrës për të luftuar për titullin botëror në versionin WBC.
Pas triumfit, “Snajperisti shqiptar” reagoi me një mesazh emocionues në profilin e tij në Facebook, duke theksuar sakrificën, përkushtimin dhe punën e palodhshme që e kanë sjellë deri në këtë pikë.

“Ia dolëm, bëmë histori dhe nuk ndalojmë këtu, titulli botëror së shpejti.
Punë e palodhshme, punë e palodhshme dhe më shumë punë. Kjo është mënyra se si arrin në majë.
Faleminderit trajnerit tim Donato, familjes sime, miqve dhe të gjithë njerëzve që më kanë mbështetur deri këtu. Këto vitet e fundit të sakrificës, punës së palodhur dhe përqendrimit marrin kuptim pas netëve si këto”, ka shkruar Hadribeaj.
Me këtë fitore të madhe, Hadribeaj po afrohet gjithnjë e më shumë drejt mundësisë për të dueluar për një titull botëror.