Luftëtari britanik Tom Aspinall ka vendosur të heqë dorë nga titulli i tij kamion bote në peshën e rëndë në artet marciale mikse (MMA). 33-vjeçari nuk ka zhvilluar duel që nga tetori i vitit 2025, kur mbrojtja e titullit kundër Ciryl Gane përfundoi pa fitues (no contest) për shkak të një goditjeje aksidentale në sy.
Që atëherë (UFC-321), Aspinall u është nënshtruar procedurave të shumta mjekësore për të trajtuar problemet me sytë, por ende nuk është gati të rikthehet në garë. Ndaj dhe vendosi të nxjerrë vakant titullin kampion të këtij Divizioni.
“Komplikacionet e vazhdueshme me sytë bëjnë që të mos marr dot lejen mjekësore për të luftuar për momentin,” tha Aspinall. “Kam kaluar operacione, aksidente dhe infeksione të shumta dhe kam bërë gjithçka që është e mundur për t’u rikthyer në kafaz”.
“E di që ka pasur pyetje lidhur me heshtjen time. Gjithmonë kam ndjekur këshillat e UFC-së dhe jam përqendruar te rikuperimi, ndërsa përpiqeshim ta realizonim këtë rikthim”, tha Aspinall.
Më tej, britaniku tha: “Tani kam marrë vendimin për të hequr dorë nga titulli në peshat e rënda. I kërkova UFC-së të më lejonte të bëja këtë deklaratë, sepse nuk dua të pengoj ecurinë e kategorisë së peshave të rënda”.
“E di se çfarë do të thotë që karriera jote të vihet në pauzë dhe dua që luftëtarët e tjerë të kenë mundësinë të garojnë për titullin.
Kemi bashkëpunuar ngushtë me mjekë dhe specialistë të ndryshëm për të mundësuar rikthimin tim, por, fatkeqësisht, kjo thjesht nuk është e mundur për momentin. Jam jashtëzakonisht i dëshpëruar”, tha Tom Aspinall.