Hysa mbërrin në Duseldorf për sfidën me Kabayelin

Boksi

Hysa mbërrin në Duseldorf për sfidën me Kabayelin

Më: 25 nëntor 2026 Në ora: 11:37
Nelson Hysa dhe Agit Kabayel

Nelson Hysa ka një vizion. Ai dëshiron të rrëzojë nga froni Agit Kabayel, të fitojë titullin botëror të peshave të rënda në versionin WBC dhe më pas të përballet me boksierin e tij të preferuar, Tyson Fury.

Hysa, i pamposhtur në 25 ndeshje profesionale, sfidon Kabayel këtë të shtunë për kampionatin botëror të peshave të rënda WBC në Duseldorf. Boksieri shqiptar i ka arritur 23 nga këto fitore me nokaut dhe synon të shkaktojë një surprizë ndaj gjermanit.

I njohur për goditjet e tij të fuqishme, Hysa u shpreh në një intervistë për “Sky Sports”: “Nokauti ka qenë pjesë e imja që nga dita e parë kur nisa boksin. Për këtë duel kundër Kabayel po përgatitem të zhvilloj sa më shumë raunde cilësore, sepse e di që kundërshtari është një boksier shumë i mirë, i fortë dhe serioz”.

“Por, ne kemi një plan dhe po përpiqemi të japim më të mirën tonë. Kemi strategjinë tonë për të fituar ndeshjen dhe besoj se do ta mbyllim atë para raundit të 12-të. Duhet ta rris përqindjen e fitoreve me nokaut“, shtoi boksieri shqiptar.

Me dorëzimin e titujve nga ana e Oleksandr Usyk, në këtë kategori kanë dalë kampionë të rinj, por Hysa nuk e konsideron Kabayel si më të mirin mes mbajtësve aktualë të titujve në peshat e rënda.

“Për mua, nga ata që zotërojnë titujt, i pari është Filip Hrgovic, pastaj vjen Daniel Dubois, ndërsa një vend të veçantë zë Tyson Fury”, tha Hysa.

Më tej, ai shtoi: “Hrgovic do të ecë shumë mirë, sepse është boksier i zoti. Ai mposhti boksierin më të mirë në kategorinë e peshave të rënda, Moses Itauma. Nuk dua të ndeshem me Moses, është djalë i mirë. Ai do të bëhet boksieri më i mirë në botë në peshat e rënda. Në fakt, ai është tashmë më i miri, por i duhet ende pak kohë“.

Fury do të përballet me Anthony Joshua për titullin ‘super’ të peshave të rënda në versionin WBA, më 11 dhjetor. Hysa parashikon fitoren e Fury dhe shpreson shumë që, nëse del fitimtar nga ndeshja e tij, të ketë mundësinë të përballet me të në një duel për unifikimin e titujve.

“Kush nuk dëshiron të ndeshet me Tyson Fury, ai është një legjendë. Numri 1 në peshën e rëndë. Ai është boksieri im i preferuar, numri 1. E dua, më pëlqen gjithçka që bën. Stili i tij, gjithçka”, deklaroi Hysa.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat