Ministrja gjermane e Mbrojtjes realizon vizitë të papritur në Afganistan

Bota

Ministrja gjermane e Mbrojtjes realizon vizitë të papritur në Afganistan

Më: 26 shkurt 2021 Në ora: 15:06
Ministrja gjermane e Mbrojtjes gjatë vizitës në Afganistan

Ministrja gjermane e Mbrojtjes Annegret Kramp-Karrenbauer ka realizuar një vizitë të papritur në Afganistan, për të treguar përkushtimin ndaj procesit të paqes në këtë vend.

Kramp-Karrenbauer ka arritur më 26 shkurt në qytetin Mazar-e-Sharif në provincën Balkh, ku janë të angazhuara shumica e trupave gjermane.

Gjermania është e gatshme “të vazhdojë mbështetjen për Afganistanin gjatë procesit të paqes”, është cituar të ketë thënë Kramp-Karrenbauer përmes një deklarate.

“Afganistani ka nevojë urgjente për një marrëveshje në mes të grupeve opozitare të shoqërisë”, ka thënë Kramp-Karrenbauer, duke shtuar se qëllimi i Berlinit vazhdon të jetë tërheqja e rregullt e trupave.

Më herët gjatë kësaj jave, Qeveria gjermane ka hartuar dokumentet për qëndrim të trupave të saja në Afganistan edhe vitin e ardhshëm, nëse ka nevojë.

Kabineti i kancelares gjermane Angela Merkel ka miratuar më 24 shkurt një draft-mandat të ri, që u mundëson trupave gjermane të qëndrojnë aty deri më 31 janar.

Mandati aktual për Afganistanin skadon në fund të marsit, derisa administrata e re e presidentit amerikan Joe Biden është duke rishikuar marrëveshjen e vitit 2020 me talibanët, që parasheh largimin e trupave të huaja deri më 1 maj.

Angazhimi i trupave gjermane jashtë shtetit kërkon miratim parlamentar që zakonisht garantohet në baza vjetore.

NATO-ja ka nën 10,000 trupa në Afganistan, që kanë detyra të trajnimit dhe këshillimit të forcave të sigurisë afgane./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat