​Kreu i OBSH-së merr edhe një mandat të ri pesëvjeçar

Bota

​Kreu i OBSH-së merr edhe një mandat të ri pesëvjeçar

Më: 24 maj 2022 Në ora: 18:24
Tedros Adhanom Ghebreyesus

Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus, është zgjedhur edhe për një mandat pesëvjeçar.

Ai u zgjodh pas një votimi nga shtetet anëtare të kësaj organizate.

Ministri i Shëndetësisë së Gjermanisë, Karl Lauterbach, tha përmes një postimi në Twitter se Tedros mori 155 nga 160 vota, duke e quajtur këtë “rezultat fantastik”.

Tedros u bë afrikani i parë në krye të OBSH-së kur u zgjodh për mandatin e parë më 2017.

Mandati i tij i parë pesëvjeçar u përcoll me ngjarje të vështira, teksa ai mbikëqyri përgjigjen globale për pandeminë e koronavirusit, por edhe krizat të tilla si skandalin për abuzime seksuale, në të cilin ishte i përfshirë stafi i OBSH-së nga Republika Demokratike e Kongos.

Pavarësisht kritikave të ashpra nga disa shtete, përfshirë Shtetet e Bashkuara kur Donald Trump ishte president, i cili e akuzoi OBSH-në se po e mbronte Kinën gjatë pandemisë, por edhe kritika nga shtetet e tjera për përgjigjen ndaj pandemisë COVID-19, Tedros arriti të marrë mbështetje të gjerë, veçmas nga shtetet e varfra, për të cilat ai bëri fushatë për furnizim me vaksina.

Tedros, 57 vjeç nga Etiopia, së fundmi është përqendruar më shumë në ndikimin që lufta ka në shëndetin e shumë njerëzve, veçmas në Afrikë dhe Ukrainë./REL

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat