Rusia mbështet eksportimin e drithit ukrainas, por kërkon heqjen e sanksioneve

Bota

Rusia mbështet eksportimin e drithit ukrainas, por kërkon heqjen e sanksioneve

Më: 8 qershor 2022 Në ora: 19:15
Ministri i jashtëm turk mirëpriti në Ankara homologun e tij rus

Rusia dhe Turqia shprehën të mërkurën mbështetjen për krijimin e një korridori të sigurtë detar në Detin e Zi, në mënyrë që Ukraina të eksportojë drithrat drejt tregjeve globale, ndërsa po përshkallëzohet kriza botërore e ushqimeve. Një ministër turk u shpreh se kjo duhet të shoqërohet edhe me lehtësimin e sanksioneve të vendosura ndaj Rusisë pasi agresionit në Ukrainë.

Ministri i Jashtëm turk Mevlut Cavusoglu priti në Ankara homologun e tij rus Sergey Lavrov për bisedime të përqëndruara tek një propozim i OKB-së për lirimin e porteve të Ukrainës në Detin e Zi dhe lejimin e transportimit të rreth 22 milionë tonë drithëra që mbeten të magazinuara atje.

Ukraina është një ndër eksportuesit më të mëdhenj të botës për grurin, misrin dhe vajin e lulediellit, por lufta dhe bllokada ruse ndaj porteve të saj kanë ndalur pjesën më të madhe të transportit, duke vendosur kështu në rrezik furnizimin me ushqime të shumë vendeve në zhvillim. Shumë prej këtyre porteve janë tashmë edhe zona të minuara.

Qeveria e Ukrainës nuk u përfaqësua në takimin e Ankarasë, por ka shprehur shqetësimin se ndërkohë që do të bënte përpjekje për të hequr minat nga portet e saj për të lehtësuar eksportet e drithit, kjo do t'i jepte Rusisë mundësinë që të sulmonte bregdetin e saj jugor.

Ministri rus Lavrov premtoi se Rusia nuk do të "abuzojë" me avantazhin e saj detar nëse portet e Ukrainës do të pastroheshin nga minat dhe se "do të merrte të gjitha masat e nevojshme që anijet të largoheshin lirisht".

Si Rusia, ashtu edhe Turqia, do të përfitonin nga plani për eksportet. I njëjti korridor do t'i lejonte edhe Rusisë të eksportojë ushqime dhe plehra kimike. Turqia do të lehtësojë dhe do të mbrojë transportin e drithit në Detin e Zi, thanë zyrtarët turq.

"Si Turqi, ne e shohim këtë plan të arsyeshëm dhe të realizueshëm", tha zoti Cavusoglu gjatë një konference të përbashkët për shtyp me zotin Lavrov.

Ai shtoi se për realizimin e kësaj skeme do të duhej negocim ndërmjet Moskës dhe Kievit.

Ministri turk gjithashtu mbështeti lehtësimin e sanksioneve perëndimore ndaj Rusisë të vendosura për shkak të sulmit të saj në Ukrainë, nëse Rusia bëhet pjesë e planit të OKB-së, duke thënë se kjo i dukej "vërtet legjitime".

"Nëse të gjithë botës i nevojiten produktet që do të eksportohen nga Ukraina dhe Federata Ruse, atëherë duhet të përcaktohet mënyra", tha ai, duke shtuar se shpreson që "përgatitjet teknike" të bëheshin "sa më shpejt të jetë e mundur".

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy dhe Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan diskutuan për krijimin e një korridori të sigurt detar javën e kaluar, tha të martën Ministria e Jashtme e Ukrainës. Ajo bëri thirrje gjithashtu për garanci sigurie, të tilla si furnizimi me armë për t'u mbrojtur kundër kërcënimeve detare dhe pjesëmarrja e forcave detare të vendeve të treta.

Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha të martën se ushtria ruse do të duhet të kontrollojë anijet tregtare që marrin grurin për t'u siguruar se ato nuk transportojnë armë. Ai shtoi se pasi të ngarkohen me grurë, Rusia do të ndihmojë në shoqërimin e anijeve në ujërat ndërkombëtare.

Ministri turk i Mbrojtjes Hulusi Akar tha të martën se detajet teknike ishin ende duke u përpunuar.

“Përpjekjet tona po vazhdojnë në lidhje me planifikimin teknik për çështje të tilla si mënyra se si do të veprohet, si do të pastrohen minat, kush do ta bëjë këtë, si do të vendoset korridori dhe kush do t'i shoqërojë (anijet)”, tha zoti Akar.

Duke folur për mundësinë e rifillimit të bisedimeve të paqes midis Kievit dhe Moskës, zoti Cavusoglu tha se Turqia ishte "shumë më optimiste".

Turqia organizoi bisedimet e mëparshme midis zyrtarëve rusë dhe ukrainas në muajin mars, por që atëherë është bërë pak përparim.

“Shohim një atmosferë optimiste drejt rikthimit në tryezën e negociatave”, tha zoti Cavusoglu, duke cituar komentet e fundit nga Presidenti Zelenskyy. Ai përsëriti ofertën e Ankarasë për të mbikëqyrur një takim midis Presidentit ukrainas Zelenskyy dhe Presidentit rus Vladimir Putin.

Zoti Lavrov tha se Rusia ishte e gatshme të zhvillonte bisedime të mëtejshme, por akuzoi Presidentin Zelenskyy se "ndryshoi qëndrimin e tij gjatë gjithë kohës" mbi kushtet për një takim në nivel udhëheqësish.

Zoti Lavrov mbërriti në Turqi disa ditë pasi u njoftua se vendet anëtare të NATO-s, Bullgaria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi refuzuan të lejonin avionin e tij të kalonte nëpër hapësirën e tyre ajrore për të mbërritur në Serbi. Avioni i zotit Lavrov mundi të udhëtojë drejtpërdrejt për në Turqi, duke kaluar mbi Detin e Zi.

Diskutimet e zotit Lavrov në kryeqytetin turk u përqëndruan gjithashtu në planet e Turqisë për të nisur një ofensivë të re ndërkufitare në veri të Sirisë kundër milicisë kurde siriane që Ankaraja e konsideron si një rrezik për sigurinë. Turqisë i nevojitet miratimi i Moskës për të vazhduar praninë e saj në Sirinë veriore, pavarësisht se dy palët mbështesin anë të kundërta në luftën civile të Sirisë. Në vitin 2020, 37 ushtarë turq u vranë në sulmet ajrore të mbështetura nga Rusia kundër rebelëve në provincën e fundit të kontrolluar nga rebelët në Siri, Idlib.

“Turqia ka nevojë vërtet për bekimin e Rusisë në mënyrë që të jetë në gjendje ta vazhdojë këtë operacion (në Siri.) Prandaj mendoj se ata me të vërtetë do të përpiqen që ta marrin këtë lloj lëshimi nga pala ruse”, tha Merve Tahiroglu, koordinatore e programit për Turqinë në Projektin për Demokracinë në Lindjen e Mesme.

Takimi me Ministrin rus Lavrov erdhi pasi Turqia – një vend anëtar i NATO-s – ka shprehur kundërshtim të fortë ndaj kërkesave të paraqitura rishtazi nga Suedia dhe Finlanda për t'u anëtarësuar në aleancë. Moska e ka kundërshtuar gjithashtu kandidaturën e vendeve nordike, gjë që sipas analistëve mund të luajë një rol në diskutimet në lidhje me Sirinë.

Turqia ka ruajtur lidhjet e saj të ngushta si me Ukrainën ashtu edhe me Rusinë. Ajo ka kritikuar sulmin e Rusisë në Ukrainë, por nuk i është bashkuar sanksioneve ndërkombëtare kundër Rusisë./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat