LIVE: Çfarë po ndodhë? Putin përgatitet për më të keqen; BE merr vendimin drastik

Bota

LIVE: Çfarë po ndodhë? Putin përgatitet për më të keqen; BE merr vendimin drastik

Nga: Bota sot Më: 8 dhjetor 2022 Në ora: 06:19 Përditësuar në ora: 19:59 më 08.12.2022
Pamje nga lufta në Ukrainë

​BE nuk pranon pasaportat ruse të lëshuara në Ukrainë dhe Gjeorgji

Këshilli i BE-së vendosi sot të mos pranojë pasaportat ruse të lëshuara në Ukrainë dhe Gjeorgji.

Kjo do të thotë se dokumentet ruse të udhëtimit të lëshuara për personat që banojnë në rajonet nën pushtimin rus në Ukrainë ose territoret e shkëputura në Gjeorgji nuk do të pranohen si dokumente të vlefshme udhëtimi për marrjen e vizës ose kalimin e kufijve të zonës Shengen.

Dokumentet ruse të udhëtimit të lëshuara në këto rajone nuk njihen tashmë ose janë në proces të mosnjohjes në vendet anëtare të BE-së.

Qëllimi i kësaj veçorie është të krijojë një qasje të përbashkët, të sigurojë funksionimin e duhur të kufijve të jashtëm dhe politikës së përbashkët të vizave dhe të mbrojë sigurinë e vendeve anëtare të BE-së, njoftoi Këshilli i BE-së.

Vit Rakusan, ministri i Brendshëm i Republikës Çeke, tha se vendimi i sotëm i Këshillit është një tjetër dëshmi e mbështetjes së fortë për Ukrainën.

“Është provë se ne kurrë nuk do ta njohim aneksimin e paligjshëm të territorit të saj nga Rusia dhe ne përsërisim se është e drejta e Ukrainës për të çliruar dhe rifituar kontrollin e plotë mbi të gjitha territoret e pushtuara”, tha Rakusan.

Vendimi është gjithashtu një përgjigje ndaj agresionit ushtarak të Rusisë kundër Ukrainës dhe praktikës ruse të lëshimit të pasaportave ndërkombëtare ruse për banorët e rajoneve të pushtuara, si dhe vendimit të njëanshëm të Rusisë për të njohur pavarësinë e territoreve gjeorgjiane të Abkhazisë dhe Osetisë së Jugut në vitin 2008.

Që nga marsi i vitit 2014, Rusia ka lëshuar pasaporta ndërkombëtare ruse për banorët e Krimesë. Kjo praktikë u shtri në rajonet e Donetsk dhe Lugansk në prill 2019, dhe më pas në rajonet e pushtuara të Kherson dhe Zaporozhzhia në korrik 2022.

“Lëshimi sistematik i pasaportave ruse në rajonet e pushtuara paraqet një shkelje të mëtejshme të së drejtës ndërkombëtare dhe integritetit territorial, sovranitetit dhe pavarësisë së Ukrainës”, thotë BE.

Pamje të rënda/ Piloti hero i Ukrainës ndan foton e frikshme nga luftimet me rusët

Ukraina po përballet gjithmonë e më shumë me vështirësi në luftën me Rusinë, për shkak edhe të armëve me të cilat ushtria e Vladimir Putin po furnizohet nga Irani.

Së fundmi, një prej pilotëve që përballet çdo ditë me dronët “vetëvrasës” të Iranit, ka ndarë një imazh nga pasojat e kësaj përballjeje.

Majori Vadym Voroshylov, luftoi me pesë dronë vetëvrasës të prodhuar nga Irani dhe dy raketa përpara se një shpërthim ta linte atë me një plagë të keqe në kokë.

Shpërthimi i dronit i shkaktoi gjithashtu dëme në avionin e tij luftarak, një MiG, duke e lënë Vadymin e plagosur të detyruan të tërhiqej në vend të sigurt, por jo pa bërë një foto, ku shfaqej fitimtar, edhe pse i gjakosur në gjithë fytyrën.

Voroshylovi  mori famë pas një beteje heroike në tetor, raporton MailOnline, për të cilën fitoi dhe çmimin e lavdëruar të Heroit të Ukrainës, Urdhrin e Yllit të Artë nga Presidenti Volodymyr Zelenskyy një muaj më vonë.

“Vladimir Putin po lufton për jetën e tij”/ Ish-zyrtari rus: Mund të përballet me grusht shteti

Vladimir Putin po lufton “për jetën e tij” gjatë konfliktit me Ukrainën dhe mund të përballet me një grusht shteti nëse mposhtet, ka thënë një diplomat veteran rus që dha dorëheqjen për shkak të luftës.

Boris Bondarev, i cili u largua nga misioni i Rusisë në OKB në maj, tha se elitat e Putinit ‘mund ta detyrojnë atë të flejë dhe të mos zgjohet kurrë’ nëse pushtimi i tij dështon përfundimisht.

Duke folur për Daily Mail, ai tha se përpjekja për të negociuar një fund të luftës me Kremlinin është e pakuptimtë, sepse do të lexohet si një ‘shenjë dobësie’ dhe vetëm do ta bindë Rusinë të luftojë më fort.

“Ju e provokoni Putinin me të gjitha bisedat për të,” tha ai. “Në një moment do të vijë koha kur Putini do të përdorë diçka si armë bërthamore vetëm për të treguar se është serioz për to."

BE nuk ndalet, merr vendimin drastik ndaj Rusisë, ja lajmi i mirë që ka për Ukrainën

Vendet e Bashkimit Evropian do të shtojnë dy miliardë euro të tjera në një fond që është përdorur për të paguar për mbështetjen ushtarake për Ukrainën.

Ministrat e Jashtëm të bllokut do të vendosin të plotësojnë Mjetin Evropian të Paqes (EPF) në një takim në Bruksel të hënën, shtuan diplomatët.

Shtetet e BE-së kanë shfrytëzuar fondin për të blerë armë dhe pajisje ushtarake për Kievin, por ai është varfëruar kryesisht nga gati nëntë muaj luftë në Ukrainë.

Në nëntor, shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, u bëri thirrje vendeve anëtare të mbushin tenxheren deri në fund të vitit, raporton skynews.

Ai tha se BE-ja dhe vendet e saj anëtare i kanë ofruar Ukrainës deri më tani armë dhe pajisje ushtarake me vlerë 5.7 miliardë euro.

Ndryshe, Rusia ka nisur pushtimin e pajustifikueshëm të shtetit të Ukrainës më 24 shkurt duke shkaktuar viktima dhe dëme materiale.

Çfarë po ndodh në Rusi? Putin përgatitet për më të keqen

Një sërë vendstrehimesh për bomba bërthamore po përgatiten në Moskë pasi rusët kanë raportohet se i tremben ‘boshllëqeve të mëdha’ në mbrojtjen e tyre ajrore.

Një ekspert ushtarak nga Rusia ka pranuar se Ukraina ka zbuluar hapësira boshe në mbrojtjen e tyre që mund ta lënë qytetin të papërgatitur për çdo sulm.

Pretendohet se strehimoret me bomba janë duke u përgatitur mes frikës se kryeqyteti rus do të goditet, ndërsa kërcënimi ka shkaktuar alarm në mesin e mbështetësve të luftës së Kremlinit.

Inspektimet janë duke u zhvilluar për strehimoret e mundshme në qytet, raportuan iStories dhe revista Moskvich.

Ukraina ka bombarduar tre fusha ajrore ruse këtë javë, dy prej të cilave janë thellë brenda vendit.

Zyrtari ukrainas liston taktikat e mundshme të Kremlinit për dimër

Shefi i zyrës presidenciale të Ukrainës, Mikhail Podolyak, shkruan në Twitter për atë që ai mendon se Rusia mund të bëjë këtë dimër, përcjell Bota sot.

Ai shkroi: “Treshja klasike e Putinit, ose bastet e Kremlinit për këtë dimër:

1. Sulmet e energjisë gjenocidale për të lënë miliona pa energji elektrike dhe për të shkaktuar një vërshim refugjatësh.

2. Një fushatë informuese për nevojën për një armëpushim për t'i dhënë fund vuajtjeve.

3. Frikësimi bërthamor në rast humbjeje”.

Viktor Bout mbërrin në Moskë

Ali Hashem i Al Jazeera, duke raportuar nga Moska, thotë se i burgosuri i liruar, Viktor Bout, ka mbërritur në Rusi, përcjell Bota sot.

“[Bout] është një personalitet shumë misterioz. Siç dihet, ai u arrestua në vitin 2008 në Tajlandë nga një forcë e përbashkët amerikano-tajlandeze dhe u ekstradua në SHBA, ku u dënua me 25 vjet për planifikimin e spiunazhit kundër qytetarëve dhe zyrtarëve amerikanë.

“Sipas asaj që ne mblodhëm, emri i tij lidhej me disa marrëveshje armësh nga Afrika në Azi, nga Kongo në Liberi në Sierra Leone, duke arritur në Afganistan dhe Liban, kështu që ka shumë për të,” tha Hashem.

Ai shtoi se zyrtarët rusë në Telegram po festojnë lirimin e Bout, me një që e përshkruan atë si një "person të mrekullueshëm".

Putin thotë se nuk do të ndalojë së sulmuari infrastrukturën energjetike ukrainase

Vladimir Putin thotë se do të vazhdojë të nisë sulmet ndaj infrastrukturës elektrike të Ukrainës.

Presidenti rus është zotuar të vazhdojë të sulmojë sistemet energjetike të Ukrainës, pavarësisht kritikave globale për sulmet që kanë lënë miliona njerëz pa energji elektrike dhe ujë në fillim të dimrit.

“Ka shumë zhurmë për goditjet tona në infrastrukturën energjetike të një vendi fqinj. Po, ne e bëjmë atë. Por kush e filloi?”, tha Putin duke shtuar se kritikat “nuk do të ndërhynin në misionet tona luftarake”, raporton theguardian.

Ai i paraqiti sulmet si një përgjigje ndaj një shpërthimi në urën e Moskës ndaj Krimesë së aneksuar dhe sulmeve të tjera, duke akuzuar Kievin për hedhjen në erë të linjave të energjisë nga termocentrali bërthamor Kursk dhe për mos furnizimin me ujë të Donetskut në Ukrainën lindore.

“Mos furnizimi me ujë për një qytet me më shumë se një milion banorë është një akt gjenocidi”, tha Putin.

Rusia është përballur me pretendime se sulmet e saj ndaj sistemeve energjetike dhe infrastrukturës së Ukrainës përbëjnë krime lufte.

Klitschko: Kievi kërcënohet nga një apokalips si në filmat e Hollivudit

Kryetari i Kievit, Vitali Klitschko gjatë një bisede për Sky News, ka thënë se në kryeqytetin ukrainas po i pret apokalipsi nëse vazhdojnë sulmet ruse.

Ai tha se nuk është koha për evakuim të plotë të popullsisë, por paralajmëroi se skenari më i keq i mundshëm nuk është edhe aq larg.

“Kiev ka mbetur pa energji elektrike, ujë dhe ngrohje. Ka mundësi që të na godasë apokalipsi, ashtu si në filmat e Hollivudit. Do të jetë e pamundur të jetosh në këto temperatura”, theksoi Klitschko, njëherit ish-kampion i botës në boks.

“Çfarë mund t’ju them? Ne ende po luftojmë dhe bëjmë çmos që të mos ndodhë një skenar i tillë”, shtoi ai.

Por problemi më i madh është se për momentin Kievi nuk ka mjaft strehimore me ngrohje.

“Kemi përgatitur rreth 500 strehimore me ngrohje, por në një qytet me 3.6 milionë banorë kjo nuk është asgjë. Për fat të keq, nëse furnizimi me energji elektrike vazhdon të jetë problematik, do të detyrohemi të kullojmë ujin nga ndërtesat. Në këto temperatura ka mundësi të ketë çarje të gypave dhe furnizimi i plotë do të kërcënohej me ujë”, paralajmëroi kryebashkiaku i Kievit.

Klitschko kërkoi nga qytetarët që të përgatisin gjërat më elementare për një evakuim të mundshëm.

“Përgatisni ushqimin, ujin, dokumentet dhe rrobat e trasha në rast se menjëherë detyroheni të largoheni nga qytet”, theksoi Klitschko.

Skuadra sekrete ukrainase që po ngjall terror në kampin e Putinit

ë sulm apo mbrojtje, misionet e tyre mbeten aq shumë sekrete saqë duken si misterioze. Sulmet e forcave speciale ukrainase, që po kryhen gjithnjë e më në thellësi të territorit rus, së fudmi, deri 200 kilometra afër Moskës, janë një nga kapitujt më të diskutuar të konfliktit aktual.

Duke u nisur që nga shkalla hierarkike: A i jep urdhrat për sulme të tilla presidenca e Zelensky, apo në Kiev ndodhen qendra komandimi autonome? Sepse nuk ka asnjë dyshim se këto operacione kanë një peshë politike të madhe, dhe synojnë të godasin zemrën e pushtetit të Vladimir Putin.

Dhe duke krijuar në të njëjtën kohë edhe disa fërkime me Shtëpinë e Bardhë. Para së gjithash, duhet theksuar se suksesi më i madh i komandove ukrainase daton që në orët e para të pushtimit rus: kryeqyteti ishte i pambrojtur përballë kolonave të tankeve ruse, dhe ishin këta njerëz që nxituan t’i bllokojnë.

Ishin sërish këto komando që dërrmuan trupat ruse në aeroportin e Hostomel; që përmbytën fushat; që organizuan pritat e suksesshme në rrugët e Bucha-s dhe Irpinit. Dhe ishin ata që e ngadalësuan marshimin triumfal të ushtrisë së Moskës duke lejuar mobilizimin e ushtrisë ukrainase.

Në videot e atyre orëve dramatike vihej re prania e instruktorëve britanikë, të cilët i kanë trajnuar repartet e sulmeve që nga viti 2014. Pas humbjeve fillestare në Donbass, gjeneralët në Kiev vendosën që të përqendrohen më shumë tek cilësia e trupave.

Ata krijuan 2 regjimente të forcave speciale dhe një seri njësish edhe më të përzgjedhura. Dy prej tyre besohet se kryejnë operacionet top-sekret: njësia e 10-të e Drejtorisë Qendrore të Inteligjencës dhe Ekipi Alfa që varet nga Shërbimi i Inteligjencës së Jashtme.

Organizatori i tyre është Kyrylo Budanov, gjenerali 36-vjeçar të cilin spiunët rusë tentuan ta vrisnin në vitin 2019. Hedhja në kundërsulm ishte diçka sa e guximshme aq edhe e përsosur. Kur Kievi ishte ende nën rrethim, 2 helikopterë fluturuan përtej kufirit. Ata arritën në qytetin rus Belgorodit, shkatërruan një depozitë me benzinë dhe u larguan me shpejtësi.

Aksioni i dytë, ishte më i bujshëm por dhe më enigmatik: vrasja në gusht e vajzës së Aleksandër Dugin, ideologut të imperializmit modern rus. Autorët kanë treguar se mund të veprojnë të pa shqetësuar në periferi të Moskës. Ata i mashtruan të gjitha rrjetet e Kremlinit dhe vepruan pa dijeninë e Shtëpisë së Bardhë.

Aftësia e infiltrimit dhe e planifikimit u përsërit me kamionin-bombë që shpërtheu në urën e Krimesë në ditën e lindjes së Putinit. Spiunët ukrainas kanë gjithashtu në dispozicion të tyre inxhinierë që krijojnë armë me porosi për sulmet e tyre, pak a shumë si Mister Q i James Bond.

Ata kanë konceptuar dhe ndërtuar dronët ujorë të përdorur për të sulmuar portin e Sevastopolit dhe për të shkuar më në lindje të Krimesë, deri në cisternat e naftës në Novorossiysk. Të njëjtën teknikë duket se kanë arritur të përdorin për të ridizenjuar dronin sovjetik Tu-141 Strizh: një mrekulli e viteve 1970, shumë i shpejtë dhe që mund të përshkojë një distancë prej mbi 1000 km.

Ata e modifikuan duke futur në të një ngarkesë shpërthyese, një sistem udhëzues GPS dhe një bllokues të sofistikuar të radarëve. Mbrëmjen e së dielës këto armë goditën bazat më të rëndësishme ruse, ato të bombarduesve bërthamorë që përdoren edhe për të sulmuar qytetet ukrainase.

Në bazën Engels buzë lumit Vollga, u shkatërruan plotësisht 2 avionë Tu-95 me 4 motorë. Një cisternë u shkatërrua në Dyagilevo. Shpërthimi shkatërroi një avion Tu-22 Backfire, bashkë me raketat tashmë të ngarkuara nën krahë për të sulmuar Kievin.

Në këtë rast, sipas “New York Times”, operacioni u ndihmua nga komandot në terren që dhanë koordinatat e sakta. Mendjet shumë të rafinuara që i drejtojnë operacionet, kanë zgjedhur objektiva ushtarake me një vlerë simbolike të lartë. Dhe ata ia dolën të zbehin efektin propagandistik të vizitës së Putinit në urën e Krimesë, që synoi të tregonte shpejtësinë e riparimeve pas sulmit të tetorit.

A ishin paralajmëruar ata për lëvizjet e Carit? Sesa informacion i dërgon NATO shërbimeve sekrete në Kiev kjo nuk është e qartë. Uashingtoni ka deklaruar gjithmonë në publik se bashkëpunimi është i kufizuar në dhënien e informacioneve të dobishme për mbrojtjen. Megjithatë, agjentët 007 të Londrës duken shumë më të lidhur me kolegët e tyre ukrainas. Nuk është rastësi që 2 muaj më parë, avionët luftarakë rusë lëshuan një raketë në një aeroplan spiun britanik mbi Detin e Zi. Ishte një e shtënë paralajmëruese, që rrezikoi të shkaktonte një përshkallëzim të situatës.

Kjo është edhe frika kryesore e Shtëpisë së Bardhë: sulmet e ukrainasve në territorin rus po nxisin akuzat e “skifterëve” në Kremlin, dhe mund ta shtyjnë Putinin të ndërmarrë veprime edhe më brutale. Është hija i Apokalipsit bërthamor, i përmendur shpesh nga Joe Biden. Admirali James Stavridis, ish-komandat i forcave të NATO-s, foli së fundi për një “pikë kthese të rrezikshme”.

Ndërkohë në rrjetet sociale të ekstremistëve rusë ka qarkulluar një mesazh i qartë: “Sulmi mbi bazat e bombarduesve tanë bërthamorë, e justifikon përdorimin e bombave atomike”. Masat paraprake të SHBA-së synonin modifikimin e sistemeve Himars të dhuruara Kievit, për të parandaluar përdorimin e raketave me rreze të gjatë. Ukrainasit e anashkaluan këtë kufizim duke prodhuar armën e tyre. Dhe pardje në orët e para të mëngjesit ata sulmuan dy herë të tjera në territorin rus.

“Nga këndvështrimi i tyre, kanë shumë pak për të humbur. Rusia është tashmë në luftë të plotë dhe Kremlini nuk ka karta të tjera për të luajtur, përveç armëve bërthamore”- tha Stavridis. Por si do të reagojë Putin nëse sulmet e befta të ukrainasve e shkatërrojnë besueshmërinë e tij si një udhëheqës i fortë?

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat