​Ujku filmohet duke përdorur mjet për kapjen e gaforreve

Bota

​Ujku filmohet duke përdorur mjet për kapjen e gaforreve

Më: 25 nëntor 2025 Në ora: 19:58
Foto ilustrim

Në bregdetin e Kolumbisë britanike, një ujk u filmua në një akt të pabesueshëm: ai përdori një litar për të nxjerrë një kurth për gaforre nga oqeani për të marrë karremin.

Kjo është një sjellje e paprecedentë që mund të përfaqësojë përdorimin e parë të dokumentuar të mjeteve nga ujqërit, shkruan CNN, përcjell KosovaPress.

Kurthet u vendosën nga komuniteti indigjen Heiltsuk si pjesë e një programi të menaxhimit mjedisor që synon luftimin e gaforres së gjelbër evropiane pushtuese që po shkatërron ekosistemet lokale.

"Kurthet filluan të rezultojnë të dëmtuara dhe shenjat sugjeronin një ari ose një ujk", tha Kyle Artelle, një profesor asistent pranë Universitetit Shtetëror të Nju Jorkut dhe bashkautor i një studimi të ri mbi zbulimin.

“Kjo kishte kuptim për kurthe në ujëra të cekëta, ku kafshët mund t’u afroheshin lehtësisht. Por disa ishin në ujëra të thella, të paarritshme edhe në zbaticë. Supozimi ishte se nuk mund të ishte një ari ose një ujk, sepse ata nuk zhyten. Pyetja ishte, kush ishte përgjegjës?”

Për të zgjidhur misterin, studiuesit vendosën kamera të aktivizuara nga lëvizja, duke pritur të kapnin një vidër ose një fokë, por në vend të kësaj ata gjetën ujkun.

“Ne u mahnitëm. Nuk e prisnim këtë. Njerëzit që janë mjaft me fat për të kaluar kohë me ujqër e dinë se ata janë jashtëzakonisht të zgjuar, kështu që fakti që ata janë të aftë për gjëra inteligjente nuk është për t'u habitur. Por kjo sjellje nuk është parë kurrë më parë,” tha Artelle.

Aftësia e ujkut për të zhvilluar këtë sjellje mund të lidhet me kushtet në territorin Heiltsuk, ku ujqërit nuk gjuhen shumë, por studiuesit ende nuk e dinë se sa ujqër e kanë mësuar këtë sjellje.

Që kur Jane Goodall dokumentoi për herë të parë përdorimin e mjeteve te shimpanzetë në vitet 1970, shkencëtarët kanë regjistruar këtë sjellje të sofistikuar te specie të tjera, duke përfshirë delfinët, elefantët, zogjtë dhe insektet. Studimi i ri hap derën për mundësinë që ujqërit të mund të shtohen në listën në rritje.

Marc Bekoff, një studiues për sjelljen e kafshëve pranë Universitetit të Kolorados, thotë se hulumtimet e ardhshme do t'u përgjigjen pyetjeve nëse ujqërit e tjerë mësojnë të përdorin litarë dhe nëse kjo sjellje transmetohet brenda kësaj popullate.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat