LIVE: Përshkallëzohet konflikti, sulmet amerikane ndaj Iranit vazhdojnë! Trump lëshon kërcënimin e radhës

Bota

LIVE: Përshkallëzohet konflikti, sulmet amerikane ndaj Iranit vazhdojnë! Trump lëshon kërcënimin e radhës

Nga: Bota sot Më: 13 korrik 2026 Në ora: 09:00 Përditësuar në ora: 23:17 më 20.07.2026
Donald Trump

Propozohet armëpushim 10-ditor në luftën ShBA-Iran

Ndërmjetësuesit mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit kanë propozuar një armëpushimi 10-ditor që do të ulte tensionet mes palëve si dhe formë përpjekje për të nxitur një rikthim në negociata

Nuk ishte menjëherë e qartë se sa i avancuar është propozimi, por, sipas CNN ndërprerja e dhunës do të përfshinte edhe heqjen e kufizimeve në Ngushticën e Hormuzit.

Irani ka qëlluar anijet tregtare që përpiqen të kalojnë nëpër këtë rrugë ujore, ndërsa Trump ka rivendosur një bllokadë detare në portet iraniane.

Shtëpia e Bardhë nuk tha se do të pranonte një ndalim të armiqësive, por pranoi se diplomacia po vazhdonte.

“Tani për tani, Presidenti Trump është i përqendruar që Irani të paguajë për shkeljet e Memorandumit të Mirëkuptimit dhe aktet e vazhdueshme të terrorizmit në Ngushticën e Hormuzit”, tha një zyrtar amerikan.

Përmbledhje e ngjarjeve të fundit

Nga: M.H.

Ja të rejat më të fundit

• Konflikt në përshkallëzim: Presidenti Donald Trump tha se Irani u godit "shumë rëndë" pasi SHBA-të përfunduan natën e nëntë të sulmeve dhe shpërthimeve u raportuan në të gjithë Iranin herët të hënën sipas orës lokale. Viktimat ushtarake dhe sulmet e zgjeruara në ditët e fundit kanë thelluar frikën e një lufte më të gjerë.

• Trupa amerikane të vrarë: SHBA-të kanë raportuar vdekjen e një tjetër anëtari të shërbimit amerikan, i cili u vra në Irakun verior gjatë shpërthimit të kontrolluar të një droni iranian të rrëzuar. Komanda Qendrore e SHBA-së tha gjithashtu se ka gjetur mbetje të paidentifikuara në Jordani, ku një sulm i veçantë iranian la dy trupa amerikane të vdekur dhe një të zhdukur në veprim, shkruan CNN, përcjell "Bota sot".

• Sulmi në Hormuz: Autoriteti detar britanik raportoi se një anije është në flakë dhe është në lundrim pranë brigjeve të Omanit pasi u godit nga një predhë e panjohur. Irani pretendoi se dy tankerë "jo në përputhje me rregullat" u "ndaluan", raportuan mediat shtetërore. Aleatët rajonalë të SHBA-së raportuan gjithashtu një valë sulmesh dje.

Tensionet në Lindjen e Mesme rikthejnë rritjen e çmimeve të naftës

Çmimet e naftës kanë kaluar mbi 90 dollarë për fuçi për herë të parë në më shumë se një muaj, pas përshkallëzimit të konfliktit mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit.

Nafta Brent, standardi global i çmimeve të naftës, arriti nivelin më të lartë që nga 11 qershori, ndërsa më pas u stabilizua rreth 88.94 dollarë për fuçi, me një rritje prej rreth 1 për qind.

Ndërkohë, nafta amerikane West Texas Intermediate (WTI) u rrit me më pak se 1 për qind, duke u tregtuar rreth 82.26 dollarë për fuçi, shkruan CNN.

Rritja e çmimeve vjen pas sulmeve të njëpasnjëshme amerikane ndaj Iranit dhe shqetësimeve për zgjerimin e konfliktit në Lindjen e Mesme.

Sipas autoriteteve detare britanike, një ekuipazh është detyruar të braktisë një anije të goditur pranë Ngushticës së Hormuzit.

Nafta Brent është rritur afro 16 për qind gjatë javës së kaluar, rritja më e madhe javore që nga prilli, ndërsa çmimet evropiane të gazit natyror kanë arritur nivelin më të lartë që nga marsi.

Analistët paralajmërojnë se përshkallëzimi i situatës mund të sjellë rritje të mëtejshme të çmimeve të energjisë, inflacionit dhe normave të interesit, për shkak të rreziqeve në një nga zonat më të rëndësishme për furnizimin global me naftë.

Goditet një anije pranë brigjeve të Omanit, përfshihet nga flakët

Autoriteti detar i Mbretërisë së Bashkuar, UKMTO njoftoi të hënën se një anije është në flakë dhe aktualisht është duke lundruar në brigjet e Omanit, pasi u godit nga një predhë e panjohur.

“Ekuipazhi e braktisi anijen në mënyrë të sigurt dhe është shpëtuar nga një rimorkiator. Zjarri nuk është shuar ende”, tha UKMTO. Nuk është raportuar asnjë ndikim në mjedis.

Më parë, UKMTO tha se kishte marrë një raport se anija ishte në flakë tetë milje detare në veriperëndim të Kumzarit, Oman, pranë Ngushticës së Hormuzit.

Garda Revolucionare e Iranit pretendoi se dy anije cisternë që nuk përmbushin rregullat u ndaluan, raportoi media shtetërore IRNA.

Kërcënimi i Iranit e kalon Ngushticën e Hormuzit

Shtetet e Gjirit po kërkojnë rrugë për të anashkaluar Ngushticën e Hormuzit, por Irani ka lënë të kuptohet se edhe rrugët alternative mund të bëhen shpejt shënjestra.

Eksportet e naftës dhe gazit nga Gjiri Persik po përballen sërish me pengesa, ndërsa konflikti mes SHBA-së dhe Iranit po ashpërsohet.  Kontrolli i Ngushticës së Hormuzit është vendimtar për të dyja palët.

Guntram Wolff është studiues i lartë në qendrën kërkimore Bruegel dhe profesor ekonomie në Universitetin e Lirë të Brukselit. Sipas tij, gjatë muajve të fundit Irani ka treguar se mund ta kontrollojë Ngushticën, ose të paktën ta pengojë.

«Disa muaj fushatash bombardimi nuk kanë  prishur aftësinë e Iranit për ta kontrolluar  Ngushticën e Hormuzit», tha Wolff. Kështu, SHBA-së i mbetet sfida për të gjetur mënyrën si ta marrë epërsinë.

Këtë javë, trafiku në Ngushticë u ndal sërish pothuajse plotësisht, pasi Irani sulmoi disa tankerë dhe lëshoi dronë e raketa drejt objekteve ushtarake në Bahrein, Kuvajt dhe Jordani.

SHBA-ja kreu goditje të tjera ndaj Iranit dhe rivendosi bllokadën detare të porteve të tij. Ajo hoqi gjithashtu përjashtimin nga sanksionet që i lejonte Iranit ta shiste hapur naftën, një burim i rëndësishëm parash për vendin.

Fluksi i naftës dhe gazit nëpër Hormuz para luftës

Para se lufta të fillonte më 28 shkurt, Ngushtica e Hormuzit ishte një rrugë ujore ndërkombëtare pa taksa. Sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (International Energy Agency), ajo përbënte portën kryesore për rreth 20% të gazit natyror të lëngshëm (LNG) në botë.

Përveç kësaj, rreth 20% e naftës në botë transportohej nga Gjiri Persik nëpër këtë rrugë ujore drejt Detit Arabik e më tej, ku pjesa më e madhe shkonte për në Azi.

Gjatë viteve të fundit, kjo ka nënkuptuar mesatarisht rreth 20 milionë fuçi në ditë, sipas Administratës Amerikane të Informacionit mbi Energjinë (EIA).

Fluksi nëpër Ngushticën e Hormuzit ra në rreth 14,6 milionë fuçi në ditë gjatë tremujorit të parë dhe ka rënë ndjeshëm që kur konflikti u përshkallëzua.

Marrëveshja paraprake e armëpushimit mes SHBA-së dhe Iranit, e nënshkruar më 17 qershor, solli njëfarë lehtësimi për transportin detar, por nuk është më në fuqi. Në javët e fundit, forcat amerikane kanë goditur qindra objektiva ushtarake iraniane.

Analistët paralajmërojnë se sulme të tjera ndaj Iranit mund të nxisin hakmarrje kundër infrastrukturës së naftës dhe gazit në Gjirin Persik, duke përfshirë rafineritë, portet dhe tubacionet. Kështu, lufta do të bëhej e kushtueshme për të gjithë rajonin dhe do të shkaktonte mungesa nafte.

Përparimi i kufizuar i arritur pas armëpushimit të qershorit tashmë është zhbërë në praktikë, paralajmëroi kompania greke e menaxhimit të rrezikut detar MARISKS pas përshkallëzimit në rajon. Gjasat për një përshkallëzim të mëtejshëm mbeten shumë të larta.

Rëndësia e tubacioneve të naftës dhe gazit

Në fillim të luftës, disa raportime thoshin se Irani po kërkonte 2 milionë dollarë (1,7 milionë euro) për çdo anije që përdorte këtë rrugë ujore. Kohët e fundit, ai ka kërkuar që anijet të kalojnë nëpër një rrugë veriore, brenda ujërave iraniane.

Njëkohësisht, Marina amerikane po shoqëron anijet nëpër një rrugë jugore, pranë brigjeve të Omanit, në anën tjetër të Ngushticës.

Aktualisht, Irani, Iraku, Kuvajti, Katari dhe Bahreini varen nga Ngushtica e Hormuzit për të përcjellë pjesën më të madhe të eksporteve të tyre të naftës.

Megjithëse transporti detar mbetet mënyra më e lirë për të lëvizur naftën, anijet kanë mbetur peng i një lufte tërheqjeje për kontrollin e Ngushticës, prandaj prodhuesit e naftës dhe gazit po kërkojnë alternativa.

Disa prej tyre, si Arabia Saudite, me tubacionin Lindje-Perëndim (Petroline), dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, me tubacionin e naftës bruto të Abu Dabit, kanë tashmë rrugë eksporti që e shmangin Ngushticën. Megjithatë, këto tubacione mund të përcjellin jo më shumë se 8,8 milionë fuçi naftë në ditë, sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë.

Rrugë të reja, rreziqe të reja për eksportuesit e naftës në Gji

Ngaqë tubacionet ekzistuese nuk mund të zëvendësojnë vëllimet e zakonshme të Hormuzit, zgjerimi me kapacitete të reja mbetet ndër të vetmet opsione. Por projekte të tilla kërkojnë vite pune dhe miliarda dollarë. Dhe nëse këto tubacione përfundojnë në Detin e Kuq, edhe ato mund të mos jenë më të sigurta, teksa konflikti shtrihet përtej Ngushticës së Hormuzit.

Tubacioni Lindje-Perëndim i Arabisë Saudite lidh Abkaikun, në bregun lindor të Gjirit, me portin e Janbuas, në Detin e Kuq.

Por për të arritur në Detin Arabik dhe në tregjet aziatike, cisternat që nisen nga Janbua duhet të kalojnë nëpër Ngushticën e Bab el-Mandebit, një tjetër rrugë ujore e ngushtë. Aty mund të sulmojnëHutët e Jemenit , të mbështetur nga Irani.

Përveçse do t'u shkaktonte probleme këtyre anijeve, kjo mund të hapte një front të dytë të luftës. Anije të tjera me destinacion Kanalin e Suezit do të detyroheshin të bënin një rrugë të gjatë përreth majës jugore të Afrikës.

Megjithatë, Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA), që mund t'i shmangin edhe Ngushticën e Hormuzit edhe Detin e Kuq, po investojnë edhe më shumë në alternativa. Sipas disa raportimeve, ato duan të zgjerojnë infrastrukturën ekzistuese dhe të ndërtojnë një port e terminal kontejnerësh të ri në bregun lindor.

Disa tubacione të tjera në Irak, Jordani, Kuvajt dhe Turqi janë ose në funksionim ose në zhvillim. Kapaciteti i tyre mbetet megjithatë modest dhe nuk mund të kompensojë një ndërprerje të madhe në Ngushticën e Hormuzit.

Për Iranin duket se bëhet fjalë për gjithçka ose asgjë

MARISKS iu referua tubacionit Lindje-Perëndim të Arabisë Saudite dhe tubacionit të naftës bruto të Abu Dabit të EBA-së. Sipas kompanisë, kërcënimi i drejtpërdrejtë i Iranit ndaj infrastrukturës alternative të eksportit të naftës në Gji është ndoshta zhvillimi më i rëndësishëm i situatës aktuale.

«Mesazhi i Iranit është po aq i qartë: ose eksportojnë të gjithë prodhuesit rajonalë të energjisë, ose askush.»

Pavarësisht se çfarë do të ndodhë më tej, Irani ka treguar se është gati ta rrisë koston ekonomike të çdo sulmi ndaj vendit të tij. Ai po e bën këtë duke kërcënuar furnizimet globale me energji, qoftë përmes bllokadës së rrugëve ujore të rëndësishme, qoftë duke goditur, si hakmarrje, infrastrukturën tjetër të naftës dhe gazit në Gjirin Persik./DW

SHBA-ja godet Iranin për natën e nëntë radhazi për të “nderuar” amerikanët e rënë

Komanda Qendrore e Shteteve të Bashkuara (CENTCOM) tha se ka sulmuar Iranin për të nëntën natë radhazi, me synimin për t’i dobësuar aftësitë e Teheranit për të goditur anijet në Ngushticën e Hormuzit.

Presidenti amerikan, Donald Trump, tha se sulmet u kryen në nderim të amerikanëve të vrarë gjatë operacioneve të ditëve të fundit.

“Edhe sonte i goditëm shumë rëndë dhe këtë e bëmë në nderim të - me gjasë - tre patriotëve të mëdhenj”, u tha Trump gazetarëve.

Ai tha se i vjen shumë keq për ushtarët amerikanë që humbën jetën, duke shtuar se ata ranë duke luftuar që “Irani të mos ketë armë bërthamore”.

Ai i bëri këto komente gjatë kthimit në Uashington, pasi ndoqi finalen e Kupës së Botës në Nju Xhersi.

CENTCOM njoftoi, ndërkohë, se forcat amerikane “nisën një valë të re sulmesh ndaj Iranit për të nëntën natë radhazi”.

Sipas komandës amerikane, sulmet synojnë të dobësojnë kapacitetet ushtarake të Iranit që përdoren për të sulmuar anije tregtare dhe marinarë civilë, që kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit.

CENTCOM raportoi më herët për viktimat e para në radhët e forcave amerikane që nga përshkallëzimi i luftës me Iranin në mujain mars.

Sipas njoftimit, dy ushtarë amerikanë u vranë më 17 korrik, ndërsa i treti u raportua i zhdukur gjatë mbrojtjes kundër një sulmi iranian me raketa dhe dronë, në një lokacion të pazbuluar në Jordani.

Më vonë, ushtria amerikane tha se në vendngjarje u gjetën mbetje mortore të paidentifikuara, duke rritur gjasat që edhe ushtari i tretë të ketë humbur jetën.

Më 19 korrik, CENTCOM tha se një tjetër ushtar amerikan është vrarë në Irak si pasojë e shpërthimit të municionit nga një dron i rrëzuar iranian.

Një ushtar tjetër u plagos lehtë dhe vazhdon të marrë trajtim mjekësor.

Irani, në anën tjetër, vazhdoi sulmet e tij, duke goditur disa prej aleatëve arabë të Shteteve të Bashkuara në Gjirin Persik, në shenjë hakmarrjeje për sulmet ajrore amerikane.

Ushtria izraelite i tha agjencisë AFP se forcat izraelite dhe ato jordaneze kapën një raketë iraniane, e cila kishte në shënjestër qytetin jordanez të Akabës.

Ushtria e Jordanisë tha se ka rrëzuar “tri raketa iraniane që synonin territorin e mbretërisë”, por nuk tregoi se cilat zona ishin shënjestruar.

Kuvajti, po ashtu, njoftoi se Irani ka goditur një central për prodhimin e energjisë dhe furnizimin me ujë, duke shkaktuar zjarr.

Ky ishte sulmi i tretë brenda tri ditësh ndaj një objekti të tillë në Kuvajt.

Autoritetet thanë një ditë më parë se ishte goditur edhe një objekt i naftës.

Trump u kërkon republikanëve të përfshijnë Iranin në projektligjin e sanksioneve ndaj Rusisë

Nga: A.Sh

Donald Trump, përmes një postimi të shkurtër në rrjetin e tij social Truth Social, u ka kërkuar anëtarëve të partisë së tij që të përfshijnë Iranin në një projektligj për sanksione që aktualisht fokusohet te Rusia.

Projektligji për sanksionet ndaj Rusisë ishte ideuar nga ish-senatori Lindsey Graham, para vdekjes së tij së fundmi.

Synimi i tij ishte që të vendoste sanksione të detyrueshme ndaj Moskës dhe të zgjeronte mundësinë e qeverisë amerikane për të ndëshkuar vendet që blinin naftë ruse.

Shtëpia e Bardhë më herët ka deklaruar se fushëveprimi i këtij projektligji mund të zgjerohej për të përfshirë edhe Iranin ose aleatin e tij, Hezbollahun – një ide të cilën Trump tani duket se e mbështet.

Teherani ka bërë përpjekje të mëdha për heqjen e sanksioneve ndaj tij, ndërsa ekonomia iraniane vazhdon të përballet me probleme të rënda.

Situata u përkeqësua aq shumë në fillim të vitit, sa mijëra qytetarë dolën në rrugë për të protestuar. Protestat u shtypën dhunshëm nga qeveria iraniane, me raportime për mijëra të vrarë.

Irani ka qëlluar drejt Jordanisë, thotë Izraeli

Nga: A.Sh

Izraeli ka deklaruar se “pak më herët” ka identifikuar raketa të lëshuara nga Irani në drejtim të Jordanisë.

Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) thanë se sulmi kishte në shënjestër qytetin e Akabës, ku së fundmi ka pasur raportime kontradiktore për një “kërcënim specifik dhe të besueshëm”.

Në një deklaratë të publikuar në Telegram, IDF tha se raketat u lëshuan “në afërsi të territorit izraelit”.

“Është e mundur që si pasojë e këtij sulmi të ketë rënie të mbetjeve apo devijim të zjarrit në territorin izraelit. Për këtë arsye, sirenat mund të aktivizohen në jug të Izraelit. Nëse bie alarmi, qytetarët udhëzohen të futen në një hapësirë të mbrojtur dhe të qëndrojnë aty deri në njoftimin e radhës”, thuhej në deklaratën e ushtrisë izraelite.

IRGC: Dy anije “pësuan aksident” në Ngushticën e Hormuzit, Irani pretendon kontroll të plotë mbi rrugën ujore

Nga: A.Sh

Trupat e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) kanë deklaruar se dy anije kanë “pësuar aksident” në Ngushticën e Hormuzit, të cilën e përshkruan si “të pasigurt”.

Sipas deklaratës së publikuar nga mediat shtetërore iraniane, IRGC tha se dy anije të tjera janë “ndaluar që të vazhdojnë udhëtimin e tyre të pasigurt”.

Raportimet sugjerojnë se forcat iraniane mund të kenë hapur zjarr ndaj anijeve që po përpiqeshin të kalonin përmes rrugës jugore të Ngushticës së Hormuzit, një zonë që nuk kontrollohet nga Irani.

IRGC pretendoi se ka “kontroll të plotë” mbi këtë ngushticë strategjike, një pretendim që Shtetet e Bashkuara e kanë kundërshtuar vazhdimisht.

Në deklaratë thuhet se asnjë pikë nafte, gazi apo plehrash kimike nuk do të kalojë përmes Ngushticës së Hormuzit “pa koordinim dhe leje”. Irani paralajmëroi se anijet që hyjnë në këtë zonë nën ndikimin e SHBA-së “do të përballen me pasoja”.

Tensionet në rajon janë rritur së fundmi, ndërsa Irani ka mbyllur sërish Ngushticën e Hormuzit, duke fajësuar Shtetet e Bashkuara dhe duke tentuar të pengojë kalimin e anijeve.

Ngushtica e Hormuzit është një nga korridoret më të rëndësishme energjetike në botë. Në kohë paqeje, përmes saj kalon rreth një e pesta e furnizimeve globale me naftë dhe gaz.

Kërcënimi i Iranit shkon përtej Ngushticës së Hormuzit

Eksportet e naftës dhe gazit nga Gjiri Persik po përballen me ndërprerje të reja teksa përplasjet midis SHBA-së dhe Iranit intensifikohen. Për të dyja vendet, kontrolli i Ngushticës së Hormuzit është me rëndësi strategjike.

Gjatë muajve të fundit, Irani ka treguar se mund ta kontrollojë ose të paktën ta pengojë funksionimin e Ngushticës, thotë Guntram Wolff, studiues i nivelit të lartë në institutin kërkimor Bruegel dhe profesor ekonomie në Universitetin e Lirë të Brukselit.

"Disa muaj bombardimesh nuk ia kanë hequr Iranit aftësinë për të kontrolluar Ngushticën e Hormuzit”, tha Wolff, duke nënvizuar se SHBA-ja ende përballet me sfidën për të fituar epërsi.

Këtë javë, trafiku në ngushticë pothuajse u ndal përsëri, pasi Irani sulmoi anije cisternë dhe lëshoi dronë e raketa ndaj objekteve ushtarake në Bahrein, Kuvajt dhe Jordani.

Lajmin e plotë mund ta gjeni këtu!

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat