LIVE: Përshkallëzohet konflikti, sulmet amerikane ndaj Iranit vazhdojnë! Trump lëshon kërcënimin e radhës

Bota

LIVE: Përshkallëzohet konflikti, sulmet amerikane ndaj Iranit vazhdojnë! Trump lëshon kërcënimin e radhës

Nga: Bota sot Më: 13 korrik 2026 Në ora: 09:00 Përditësuar në ora: 12:44 më 14.07.2026
Donald Trump

Predhat amerikane godasin qytetin pranë centralit bërthamor të Iranit, raportojnë mediat shtetërore

Nga: A.Sh

Shtetet e Bashkuara kanë goditur qytetin iranian Bushehr, raportoi agjencia shtetërore iraniane IRNA, duke cituar një zyrtar lokal.

Sipas raportit, predhat goditën katër pika të qytetit, në atë që agjencia e cilësoi si “vazhdim i shkeljes së armëpushimit nga armiku amerikan”.

Sulmi ndodhi pasi më herët u raportuan shpërthime në perëndim të qytetit strategjik portual Bandar Abbas, në zonat Joghatai dhe Bushehr.

Provinca Bushehr është vendndodhja e të vetmit centrali bërthamor funksional të Iranit.

Deri më tani nuk është raportuar për viktima, sipas agjencisë gjysmëzyrtare Tasnim.

Autoritetet iraniane po hetojnë detajet e sulmit dhe po vlerësojnë dëmet e mundshme të shkaktuara.

SHBA-ja dhe Irani shkëmbyen sulme gjatë natës, pasi Uashingtoni kreu natën e tretë radhazi të sulmeve pas dështimit të armëpushimit 60-ditor.

Presidenti amerikan Donald Trump kishte kërcënuar një ditë më parë se do t’i zgjeronte sulmet, duke përmendur malin Pickaxe si një objektiv të mundshëm. Ky mal strehon komplekse tunelesh që, sipas ekspertëve, ndodhen përtej aftësisë depërtuese edhe të bombave më të fuqishme amerikane për shkatërrimin e bunkerëve.

Pesë shpërthime janë dëgjuar në perëndim të qytetit portual iranian

Nga: A.Sh

Sipas mediave shtetërore iraniane, janë raportuar pesë shpërthime në perëndim të qytetit strategjik portual iranian, Bandar Abbas.

Agjencia gjysmëzyrtare Fars bëri të ditur se shpërthimet janë dëgjuar në zonat Joghatai dhe Bushehr, duke shtuar se vendndodhja e saktë ende nuk dihet.

Provinca Bushehr strehon të vetmin central bërthamor funksional të Iranit.

Shtetet e Bashkuara dhe Irani shkëmbyen sulme gjatë natës, pasi Uashingtoni kreu natën e tretë radhazi të sulmeve.

Teherani u kundërpërgjigj duke shënjestruar një bazë ushtarake amerikane në Bahrein dhe duke lëshuar raketa drejt Jordanisë, ku gjithashtu ndodhen trupa amerikane.

Presidenti amerikan Donald Trump kishte kërcënuar një ditë më parë me zgjerimin e sulmeve, duke përmendur malin Pickaxe si një objektiv të mundshëm. Ky mal strehon komplekse tunelesh që, sipas vlerësimeve të ekspertëve, ndodhen përtej aftësisë depërtuese edhe të bombave më të fuqishme amerikane për shkatërrimin e bunkerëve.

Përshkallëzimi i tensioneve, Trump njofton zyrtarisht Kongresin për rifillimin e luftës kundër Iranit

Presidenti amerikan, Donald Trump e ka informuar zyrtarisht Kongresin për rifillimin e operacioneve ushtarake në Iran.

Në një letër të dërguar të premten, më 10 korrik, udhëheqësve të Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit, dhe të siguruar nga New York Times, presidenti amerikan deklaron se forcat amerikane kryen “sulme mbrojtëse kundër objektivave në Iran” më 7 korrik.

Letra ka të ngjarë të rindezë mosmarrëveshjen midis Shtëpisë së Bardhë dhe Kapitol Hill mbi kompetencat e presidentit për të menaxhuar konfliktin me Teheranin. Kongresi pohon se vazhdimi i operacioneve ushtarake kërkon autorizim specifik parlamentar.

Si Dhoma e Përfaqësuesve ashtu edhe Senati kanë votuar tashmë për t’i kërkuar presidentit të ndalojë operacionet ose t’i paraqesë ato për miratim në Kongres.

Shtëpia e Bardhë, megjithatë, vazhdon të pohojë se Presidenti Trump po vepron brenda kompetencave të dhëna nga Kushtetuta e SHBA-së si komandant i përgjithshëm i Forcave të Armatosura.

Hapet zjarr në Ngushticën e Hormuzit, Irani godet dhe nxjerr jashtë funksionit dy anije cisternë që transportonin naftë

Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) ka deklaruar se ka “goditur dhe neutralizuar” dy supertankerë, të cilët i cilësoi si “anije të pabindura”. Njoftimi u publikua përmes një deklarate në kanalin zyrtar të IRGC-së në Telegram.

Sipas deklaratës, dy anijet kishin fikur sistemet e navigimit, kishin shpërfillur paralajmërimet e autoriteteve iraniane gjatë kalimit në Ngushticën e Hormuzit dhe kishin tentuar të lundronin në një itinerar që, sipas IRGC-së, ishte i minuara.

Deklarata u publikua pasi dy cisterna nafte të Emirateve të Bashkuara Arabe u goditën nga raketa iraniane në pjesën jugore të Ngushticës së Hormuzit.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Emirateve të Bashkuara Arabe, cisternat Al-Bahiya dhe Mombasa u goditën ndërsa ndodheshin në ujërat territoriale të Omanit. Si pasojë e sulmit, një anëtar indian i ekuipazhit në bordin e cisternës Mombasa humbi jetën.

Në deklaratën e saj, IRGC nuk i identifikoi me emër anijet që pretendon se goditi, nuk specifikoi flamurin nën të cilin lundronin dhe as nuk dha detaje për kohën e saktë të sulmit.

SHBA-ja godet sërish Iranin pas rikthimit të bllokadës në Ngushticën e Hormuzit

Ushtria amerikane njoftoi se ka kryer një valë të re sulmesh ajrore kundër objektivave në Iran, me synimin për të siguruar lirinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit.

Sulmet u kryen vetëm disa orë pasi presidenti Donald Trump tha se po rikthente bllokadën në këtë rruge ujore strategjike.

“Këto sulme do t’u shkaktojnë kosto të lartë forcave iraniane dhe do të dobësojnë aftësinë e tyre për të sulmuar civilët e pafajshëm dhe anijet tregtare në Ngushticën e Hormuzit”, tha Komanda Qendrore e SHBA-së, CENTCOM, në një deklaratë të publikuar vonë më 13 korrik.

Sipas saj, kjo është dita e tretë radhazi e sulmeve amerikane.

Mediat shtetërore iraniane raportuan për shpërthime në disa ishuj në jug të vendit, përfshirë Kish, Keshm dhe Abu Musa.

Sulmet janë edhe një shenjë e shpërbërjes së marrëveshjes së arritur muajin e kaluar, e cila përcaktonte kushtet për negociata drejt një marrëveshjeje të paqes mes dy palëve.

Mediat amerikane raportuan më herët, më 13 korrik, se presidenti Donald Trump e ka njoftuar Kongresin gjatë fundjavës se Shtetet e Bashkuara janë sërish në luftë me Iranin.

Ky njoftim i jep administratës një periudhë 60-ditore për të përdorur forcat ushtarake pa kërkuar miratim formal nga Kongresi.

Duke folur para gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë, vonë më 13 korrik, Trump tha se sulmet synojnë të neutralizojnë aftësinë e Iranit për të penguar lundrimin në Ngushticën e Hormuzit.

Ai shtoi se, pavarësisht tri netëve radhazi me sulme ndaj Iranit, ende beson se është e mundur të arrihet një marrëveshje për t’u dhënë fund luftimeve.

“Po, mendoj se është e mundur. Sigurisht që po”, u tha ai gazetarëve në Zyrën Ovale.

“Ne kishim një marrëveshje me ta dy ditë më parë, por pastaj ata thanë: ‘Nuk mund ta bëjmë këtë marrëveshje. Duhet të negociojmë më tej’”, shtoi ai.

Më herët gjatë ditës, në një intervistë për Fox News, Trump tha se Shtetet e Bashkuara mund të marrin kontrollin e Ngushticës së Hormuzit - një rrugë detare përmes së cilës, në kohë paqeje, kalon rreth një e pesta e tregtisë botërore të energjisë, e që tani është shndërruar në një nga pikat kryesore të konfliktit.

Në një postim në rrjetet sociale, ai shkroi se SHBA-ja, “nga ky moment e tutje, do të njihet si ‘Roja e Ngushticës së Hormuzit’” dhe se, “për hir të drejtësisë”, do të kërkojë kompensim prej 20% për çdo ngarkesë që kalon nëpër Ngushticë, për të mbuluar kostot e garantimit të sigurisë.

Pak para këtij postimi, Garda Revolucionare Islamike e Iranit (IRGC) deklaroi se mënyra e vetme për rikthimin e lundrimit normal në Ngushticën e Hormuzit është ndërprerja e ndërhyrjes ushtarake amerikane në këtë zonë.

Komanda e lartë e përbashkët ushtarake e Iranit deklaroi se SHBA-ja nuk ka të drejtë të vendosë për të ardhmen e Ngushticës së Hormuzit, duke paralajmëruar se çdo shtet që bashkëpunon me Uashingtonin “mban përgjegjësi të plotë për përkeqësimin e sigurisë dhe përshkallëzimin e luftës në rajon”.

Po më 13 korrik, Ministria e Mbrojtjes e Emirateve të Bashkuara Arabe njoftoi se dy cisterna të vendit u goditën nga raketa lundruese iraniane në korsinë jugore të Ngushticës së Hormuzit, brenda ujërave territoriale të Omanit.

Si pasojë, humbi jetën një anëtar indian i ekuipazhit, ndërsa tetë të tjerë u plagosën.

Irani sulmoi disa vende fqinje të Gjirit, si dhe anije që kalonin nëpër Ngushticën e Hormuzit, për të cilat tha se kanë shkelur rregullat e tij për transit në këtë rrugë ujore.

Ndërkohë, pasiguria për fatin e marrëveshjes që kishte ngjallur shpresa për paqe, është shtuar edhe më shumë ditëve të fundit.

Trump tha javën e kaluar se, sipas tij, memorandumi i mirëkuptimit nuk kishte më vlerë.

Megjithatë, ai shtoi se negociatorët mund t’i vazhdojnë bisedimet nëse besojnë se mund të arrihet ndonjë marrëveshje e paqes.

Në një intervistë për CNN-in më 12 korrik, Trump tha se SHBA-ja “i goditi shumë rëndë” forcat iraniane një natë më parë dhe pretendoi se Uashingtoni dhe Teherani ishin pranë një marrëveshjeje para përshkallëzimit të fundit.

“Ata ishin gati të pranonin gjithçka, por papritur, dy orë më vonë, goditën një anije me dron. Ka diçka që nuk shkon me këta njerëz”, tha Trump.

Sipas autoriteteve iraniane, ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araqchi, u takua gjatë fundjavës me ministrin e Jashtëm të Omanit, Sayyid Badr Albusaidi, për të diskutuar mënyrat e garantimit të lundrimit të sigurt në Ngushticën e Hormuzit.

Më herët, Omani bëri të ditur se bisedimet me Iranin do të vazhdojnë, si në nivel teknik ashtu edhe politik, me synimin për të arritur marrëveshje në përputhje me të drejtën ndërkombëtare për lundrimin në këtë rrugë ujore.

Në këto bisedime nuk morën pjesë zyrtarë amerikanë.

Radio Evropa e Lirë mësoi nga burime diplomatike se ndërmjetësuesit nga Omani i kanë dorëzuar delegacionit iranian propozime që synojnë zgjidhjen e mosmarrëveshjeve lidhur me lundrimin detar në Ngushticën e Hormuzit.

Zyrtarë të lartë nuk pranuan të komentojnë përmbajtjen e këtyre propozimeve. / REL

“Sulmet amerikane e kanë kthyer Iranin ‘në Epokën e Gurit’”, Trump: Nuk do të jenë më “ngacmuesit” e Lindjes së Mesme

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, deklaroi se ofensiva ushtarake amerikane kundër Iranit ka dobësuar ndjeshëm kapacitetet ushtarake të Teheranit.

“Deri në një masë të madhe, sulmet tona i kanë kthyer ata në Epokën e Gurit”, u shpreh Trump, duke përsëritur një deklaratë që e ka përdorur edhe në të kaluarën.

Sipas presidentit amerikan, që nga fillimi i luftës më 28 shkurt, forcat amerikane kanë shkatërruar 159 mjete lundruese, rreth 200 avionë, sistemet e radarëve, mbrojtjen kundërajrore, si edhe 84% të kapacitetit të prodhimit të armatimeve të Iranit.

Trump tha se, si rezultat i këtyre operacioneve ushtarake, Irani është “shumë ndryshe” nga sa ishte katër muaj më parë dhe se nuk do të jetë më në gjendje “të bëjë rolin e ngacmuesit në Lindjen e Mesme”.

Këto deklarata janë bërë nga presidenti amerikan dhe shifrat e paraqitura prej tij nuk janë verifikuar në mënyrë të pavarur.

Nata e tretë e sulmeve/ SHBA godet Iranin nga ajri për 5 orë pa pushim, hakmarrja vjen me raketa dhe dronë në vendet e Gjirit Persik

Kanë zgjatur 5 orë sulmet intensive ajrore të Shteteve të Bashkuara ndaj Iranit në natën e sotme, gjatë të cilave avionët amerikanë goditën disa objektiva ushtarake. Sipas raportimeve, ndër zonat e goditura janë përfshirë Bushehr, Chabahar dhe Bandar Abbas.

Presidenti amerikan Donald Trump, i cili kishte paralajmëruar më herët mundësinë e ndërmarrjes së këtyre sulmeve, deklaroi nga Shtëpia e Bardhë se nuk e përjashton mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje të re me Teheranin në të ardhmen. Ai gjithashtu u bëri thirrje aleatëve të SHBA-së që të kontribuojnë financiarisht për mbështetjen amerikane, duke deklaruar: “Dua të rimbursohem nga vendet që po ndihmojmë”.

Ndërkohë, Irani, me mbështetjen e grupeve të armatosura aleate, përfshirë rebelët Houthi në Jemen, ka intensifikuar sulmet me raketa dhe dronë ndaj vendeve të Gjirit Persik. Raportimet flasin për shpërthime në Arabinë Saudite, Kuvajt dhe Bahrein.

Po ashtu, sipas burimeve të cituara, dy anije cisterna nafte të Emirateve të Bashkuara Arabe janë goditur teksa po përpiqeshin të kalonin Ngushticën e Hormuzit përgjatë një rruge që autoritetet iraniane e konsideronin të palejuar.

Në zhvillimet më të fundit, Donald Trump thuhet se ka vendosur një bllokadë të re detare në Ngushticën e Hormuzit, duke deklaruar se kontrolli mbi kalimin strategjik do të jetë nën administrimin amerikan dhe se do të vendoset një tarifë për anijet që kalojnë nëpër Gjirin Persik.

Situata në Lindjen e Mesme mbetet tepër e tensionuar, ndërsa komuniteti ndërkombëtar po ndjek me shqetësim zhvillimet që mund të kenë ndikim të gjerë në sigurinë rajonale dhe tregjet globale të energjisë.

SHBA njofton valë të re sulmesh ndaj Iranit

Nga: A.Sh

Ushtria amerikane ka njoftuar se ka nisur natën e tretë radhazi të sulmeve ajrore ndaj Iranit, brenda 30 minutave të fundit, në orën 21:45 (me orën e Mbretërisë së Bashkuar).

Në një deklaratë, Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) tha se sulmet u kryen me urdhër të presidentit Donald Trump.

Deklarata shton:
"Këto sulme do të vazhdojnë t'u imponojnë një kosto të lartë forcave iraniane dhe do të dëmtojnë aftësinë e tyre për të sulmuar civilët e pafajshëm dhe anijet tregtare në Ngushticën e Hormuzit."

Ndërkohë, agjencia iraniane e lajmeve YJC raportoi se janë dëgjuar shpërthime në qytetin portual jugor Bandar Abbas dhe në ishullin Kish, pranë brigjeve jugore të Iranit.

Shpërthime janë raportuar edhe në ishullin Qeshm, në Ngushticën e Hormuzit, sipas agjencisë iraniane Mehr.

Më herët, televizioni shtetëror iranian kishte mohuar raportimet për sulme në jug të Iranit.

Trump: Irani do të goditet rëndë të hënën dhe të martën

Nga: A.Sh

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar se Irani do të "goditet rëndë" sonte dhe nesër, duke shtuar: "Dhe nuk ka asgjë që mund të bëjnë për ta ndaluar."

Trump i bëri këto komente gjatë një interviste me komentatorin konservator politik Hugh Hewitt.

Presidenti amerikan la të kuptohet gjithashtu se ndër objektivat mund të jetë edhe "Mali Pickaxe" (Pickaxe Mountain).

Ky vend, i njohur edhe si Kolang Gaz La, besohet të jetë një kompleks i fortifikuar nëntokësor pranë objektit bërthamor të Natanzit, në Iranin qendror.

Trump i tha Hewitt:

"Ne do ta shkatërrojmë Malin Pickaxe. Thuajuni iranianëve të jenë gati.

Po e monitorojmë nga afër (Malin Pickaxe). Nuk shohim asnjë aktivitet atje. Ata nuk janë në një situatë të mirë sa i përket programit të tyre bërthamor.

Sa herë që dëgjojmë për të, e godasim. Prandaj nuk u pëlqen të flasin për të. Por me shumë gjasa do t'i japim një goditje Pickaxe-it shumë shpejt."

Ushtria amerikane publikon pamjet kur droni ujor godet strukturën e mirëmbajtjes së nëndetëse dhe anijeve iraniane

Dje, duke përdorur dronë të shumtë sipërfaqësorë sulmues me një drejtim, forcat e CENTCOM goditën me sukses një strukturë mirëmbajtjeje nëndetësesh dhe anijesh në Iran.

Tre anije sipërfaqësore pa pilot të Corsair goditën portin në bazën detare Bandar Abbas, duke shënuar herën e parë që forcat amerikane kanë përdorur dronë detarë në operacione luftarake.

Sulmet e natës së kaluar degraduan aftësinë e Iranit për të vazhduar sulmet ndaj anijeve tregtare.

Në pamjet e publikuara nga CENTCOM shihet droni ujor duke iu afruar strukturës që mirëmban nëndetëset dhe anijet iraniane.

Në një moment pak kontaktit fizik vjen deri te një shpërthim i fuqishëm që hedhë gjithqka në erë përreth zonës. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat