LIVE: Përshkallëzohet konflikti, sulmet amerikane ndaj Iranit vazhdojnë! Trump lëshon kërcënimin e radhës

Bota

LIVE: Përshkallëzohet konflikti, sulmet amerikane ndaj Iranit vazhdojnë! Trump lëshon kërcënimin e radhës

Nga: Bota sot Më: 13 korrik 2026 Në ora: 09:00 Përditësuar në ora: 16:36 më 13.07.2026
Donald Trump

Trump: SHBA do të rivendosë bllokadën ndaj porteve iraniane

Nga: A.Sh

Donald Trump ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara do të rivendosin bllokadën ndaj porteve iraniane.

Presidenti gjithashtu pretendon se SHBA do të vendosë një tarifë prej 20% për "çdo ngarkesë detare, për të mbuluar të gjitha kostot e nevojshme për garantimin e sigurisë dhe mbrojtjes".

Megjithatë, ai nuk ka dhënë asnjë detaj se si SHBA synon ta zbatojë këtë masë.

Trump i bëri këto komente në një postim në Truth Social, të publikuar vetëm pak minuta më parë.

Më herët gjatë ditës, Trump kishte lënë të kuptohej se do të ndërmerrte një veprim të tillë, duke i thënë Fox News:

"Ne po marrim nën kontroll ngushticën."

Ai shtoi:

"Ne do të bëhemi kujdestari i ngushticës. Ndoshta do ta quajmë 'Engjëlli Kujdestar i Ngushticës', dhe duhet të na rimbursohen shpenzimet për këtë."

Nga ana tjetër, Garda Revolucionare Islamike e Iranit (IRGC) reagoi duke deklaruar se ngushtica është "territori ynë" dhe shtoi se nuk do të lejojë asnjë shtet të "vazhdojë ndërhyrjen e tij të paligjshme në të".

Dubai po planifikon një port të ri për të anashkaluar Ngushticën e Hormuzit

Nga: A.Sh

Dubai po planifikon të ndërtojë një port të ri në bregun lindor të Emirateve të Bashkuara Arabe, me qëllim që transporti detar të mund të anashkalojë Ngushticën e Hormuzit, sipas raportimeve.

Sipas gazetës Financial Times, kompania e madhe e logjistikës DP World, në pronësi të qeverisë së Dubait, është në bisedime për të zhvilluar një port shumëfunksional në zonën bregdetare të Fujairah.

Porti i ri mund ta ndihmojë Dubain të zvogëlojë varësinë nga Ngushtica e Hormuzit dhe ta mbrojë nga sulme të mundshme të ardhshme iraniane ndaj anijeve që kalojnë në këtë rrugë ujore.

Ky zhvillim vjen pasi aktiviteti në portin kryesor të Dubait, Jebel Ali, në bregun perëndimor të Emirateve të Bashkuara Arabe, thuhet se ra me rreth 90% pasi Irani mbylli Ngushticën e Hormuzit në fillim të këtij viti.

Porti u godit gjithashtu nga mbetje raketash gjatë sulmeve ajrore ndaj Iranit në muajin mars.

Rikthimi i tensioneve në Ngushticën e Hormuzit, rritet përsëri çmimi i naftës, shkon drejt 80 dollarëve për fuçi në pak orë!

Çmimet e naftës u rritën në orët e para të mëngjesit të së hënës, pas  sulmeve të SHBA-së ndaj Iranit dhe kundërpërgjigjes së këtij të fundit.

Çmimi i një fuçie të varietetit ndërkombëtar të referencës “Brent” të Detit të Veriut, për dorëzim në shtator,  u rrit me 3.75% në 78.86 dollarë rreth orës 01:10, pasi tregjet u hapën në Azi.

Në të njëjtën kohë, çmimi  i varietetit përkatës të referencës amerikane, West Texas Intermediate (WTI), për dorëzim në gusht,  u rrit me 3.65% në 74.02 dollarë.

Analistët, siç është vënë re nga Al Jazeera, vlerësojnë se nëse vala e sulmeve dhe goditjeve vazhdon, do ta shohim çmimin e naftës përsëri të kalojë 80 dollarë për fuçi, me rrezikun për ekonomitë e naftës në Lindjen e Mesme nga sulmet ende të dukshëm.

“Nuk do të hezitojmë në vetëmbrojtje”, Irani paralajmëron SHBA-në: Marrëveshja ka hyrë në krizë

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmail Baghaei, deklaroi se marrëveshja mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara “ka hyrë në një krizë”, ndërsa paralajmëroi se Teherani nuk do të hezitojë të veprojë në vetëmbrojtje.

Sipas mediave shtetërore iraniane, Baghaei tha se sulmet e Iranit kanë në shënjestër vetëm bazat dhe objektet e përdorura nga SHBA për të sulmuar territorin iranian.

“Ne nuk do të hezitojmë të vetëmbrohemi“, u shpreh ai, duke shtuar se Irani nuk mund të lejojë që SHBA të përdorë tranzitin në Ngushticën e Hormuzit për të cenuar sovranitetin dhe sigurinë e vendit.

Baghaei deklaroi se negociatat e zhvilluara të shtunën u përqendruan vetëm te situata në Ngushticën e Hormuzit, me synimin për të garantuar kalimin e sigurt të anijeve. Sipas tij, përpjekjet janë penguar nga presioni i ushtruar nga SHBA ndaj Omanit.

Ai shtoi gjithashtu se Irani nuk do të zbatojë angazhimet e parashikuara në memorandumin e mirëkuptimit me 14 pika, të nënshkruar më 17 qershor, nëse edhe SHBA nuk respekton detyrimet e saj.

Ndërkohë, sipas të dhënave të gjurmimit të anijeve, asnjë mjet lundrues nuk ka kaluar në Ngushticën e Hormuzit që nga mbrëmja e djeshme.

Sulmi amerikan ndaj një baze në Iran, një i vrarë dhe shtatë të plagosur

Të paktën një person ka humbur jetën dhe shtatë të tjerë janë plagosur pas një sulmi amerikan ndaj një baze ushtarake në provincën Isfahan të Iranit.

Lajmi është konfirmuar nga zëvendësguvernatori i provincës, i cili bëri të ditur bilancin paraprak të sulmit.

Më herët, mediat iraniane raportuan se një tjetër sulm amerikan goditi një stacion pompimi të ujit për bujqësinë në Mahshahr, ku një person mbeti i vrarë dhe katër të tjerë u plagosën.

Autoritetet iraniane nuk kanë dhënë ende detaje të tjera mbi rrethanat e sulmeve apo gjendjen e të plagosurve.

SHBA-ja kryen edhe një valë sulmesh kundër Iranit

Shtetet e Bashkuara kryen sulme të reja ndaj Iranit në orët e para të 13 korrikut.

Ato pasuan sulmet ajrore të një dite më parë pranë Ngushticës së Hormuzit, të cilat Uashingtoni tha se ishin përgjigje ndaj sulmeve iraniane mbi anijet në këtë rrugë strategjike ujore.

Komanda Qendrore e SHBA-së, CENTCOM, tha se ka goditur dhjetëra caqe, me municion të përpiktë, në lokacione të ndryshme.

Sipas saj, komandanti suprem, në këtë rast presidenti Donald Trump, i ka urdhëruar këto sulme, për t’i mbajtur forcat iraniane përgjegjëse.

Mediat shtetërore iraniane raportuan për shpërthime në disa zona pranë Ngushticës së Hormuzit, përfshirë Bandar Abasin, Sirikun dhe provincën Bushehr.

Këto raportime, megjithatë, nuk mund të verifikoheshin menjëherë.

Aleatët arabë të Shteteve të Bashkuara në Gjirin Persik njoftuan, ndërkohë, se Irani ka lëshuar raketa drejt tyre, si “kundërpërgjigje ndaj sulmeve amerikane”.

Vala e tretë e sulmeve

Kjo ishte vala e tretë e sulmeve amerikane ndaj objektivave iraniane brenda një jave.

Ato nisën pasi Irani sulmoi anije tregtare dhe shpalli të mbyllur Ngushticën e Hormuzit - një nga rrugët detare më strategjike në botë.

“Shtetet e Bashkuara po i imponojnë Iranit një kosto të lartë, duke ia dobësuar më tej aftësinë për të sulmuar marinarët civilë dhe anijet tregtare që kalojnë lirshëm nëpër Ngushticë”, tha CENTCOM.

Presidenti amerikan, Donald Trump, i tha CNN-it më 12 korrik se “i goditëm shumë fort” dhe shtoi se Uashingtoni dhe Teherani ishin pranë arritjes së një marrëveshjeje përpara përshkallëzimit të fundit të tensioneve.

“Ata po hiqnin dorë nga gjithçka, e më pas, vetëm dy orë më vonë, goditën një anije me dron. Këta njerëz kanë diçka që nuk shkon”, tha Trump.

“Janë njerëz shumë, shumë të këqij dhe të sëmurë”, u shpreh ai në një intervistë tjetër për NBC.

“Kishim takime me ta. Dje ranë dakord për një marrëveshje – një marrëveshje të përkryer për ne. Pa armë bërthamore, pa këtë, pa atë... kishin hequr dorë nga gjithçka. Pastaj dolën nga salla dhe, brenda një ore, lëshuan një dron drejt anijes. U thashë: ‘Ju jeni njerëz të sëmurë. Jeni të sëmurë’”, shtoi Trump.

Ai, po ashtu, pretendoi se, pavarësisht deklaratave të Iranit, trafiku detar në Ngushticën strategjike të Hormuzit po vazhdonte normalisht.

“Ajo është e hapur”, tha Trump.

Presidenti amerikan, Donald Trump.

Edhe CENTCOM deklaroi se kjo rrugë ujore - përmes së cilës, para luftës, kalonin rreth 20 për qind e furnizimeve botërore me naftë dhe gaz - vazhdon të jetë e hapur për lundrim.

“Irani nuk e kontrollon Ngushticën e Hormuzit. Ajo mbetet një rrugë ujore ndërkombëtare. Forcat amerikane janë të vendosura dhe të gatshme të sigurojnë që të mbetet e tillë”, shkroi CENTCOM në platformën X.

Një zyrtar i lartë amerikan u tha gazetarëve se sulmet e kryera gjatë natës kishin në shënjestër radarët iranianë të mbikëqyrjes ajrore, sistemet e vëzhgimit detar, depot e raketave dhe dronëve, vendet e lëshimit të raketave dhe mjeteve ajrore pa pilot, si dhe sistemet kundërajrore.

Sipas tij, synimi ishte dobësimi i kapaciteteve ushtarake të Teheranit.

Mediat shtetërore iraniane raportuan për shpërthime në disa zona të jugut të Iranit pas këtyre sulmeve.

Transmetuesi shtetëror IRIB njoftoi se u dëgjuan tri shpërthime në Bandar Abas dhe dy në Sirik, ndërsa shpërthime të tjera u raportuan edhe në ishullin Keshm - të gjitha pranë Ngushticës së Hormuzit.

Si kundërpërgjigje, Irani lëshoi raketa drejt Kuvajtit, shtetit të vogël dhe të pasur me naftë në Gjirin Persik, i cili është aleat i ngushtë i Shteteve të Bashkuara.

“Tri pika kufitare në veri të vendit u goditën në një sulm kriminal dhe agresiv, duke shkaktuar dëme materiale”, shkroi ushtria e Kuvajtit në platformën X.

Irani goditi gjithashtu Katarin, i cili ndërmjetëson bisedimet për armëpushim, si dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, që u vunë në shënjestër për herë të parë në dy muaj.

Stagnimi i përpjekjeve diplomatike

Përshkallëzimi ushtarak ndodhi në kohën kur përpjekjet diplomatike në Oman dukeshin se kishin ngecur.

Sipas Teheranit, ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araqchi, u takua me ministrin e Jashtëm të Omanit, Sayyid Badr Albusaidi, për të diskutuar mekanizmat që do të garantonin lundrim të sigurt nëpër Ngushticën e Hormuzit.

Më herët, Omani njoftoi se bisedimet me Iranin do të vazhdonin si në nivel teknik, ashtu edhe në atë politik, me synimin për të arritur marrëveshje që është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare për lundrimin në këtë rrugë ujore.

Në këto bisedime nuk morën pjesë zyrtarë amerikanë.

Radio Evropa e Lirë mësoi nga burime diplomatike se ndërmjetësuesit nga Omani i dhanë delegacionit iranian propozime që synonin zgjidhjen e mosmarrëveshjeve lidhur me lundrimin në Ngushticën e Hormuzit.

Zyrtarë të lartë nuk pranuan të komentojnë përmbajtjen e këtyre propozimeve.

Sipas burimeve diplomatike, delegacioni iranian u largua nga negociatat duke thënë se do të rikthehej pasi të kishte arritur një qëndrim të përbashkët brenda institucioneve iraniane për propozimet.

Ato parashihnin lejimin e lundrimit të lirë përmes ujërave të Omanit, në pjesën jugore të Ngushticës, pa tarifa.

Pak më pas, aparati i sigurisë kombëtare të Iranit u përgjigj duke sulmuar një anije tregtare dhe duke shpallur mbylljen e kësaj rruge ujore.

Muajt e fundit, presidenti amerikan, Donald Trump, ka promovuar atë që e ka quajtur “Autostrada Jugore” - një korridor detar që i mban anijet më afër bregdetit të Omanit dhe më larg ujërave territoriale iraniane.

Teherani, ndërkaq, ka këmbëngulur vazhdimisht se vetëm rruga detare që kalon më pranë bregdetit iranian, është e sigurt.

Hapësira për diplomaci po ngushtohet

Analistët vlerësojnë se vendimi i Iranit për të mbyllur Ngushticën e Hormuzit dhe për të sulmuar anijet tregtare përbën një tjetër goditje mbi përpjekjet diplomatike.

“Regjimi iranian po dëshmon edhe një herë se, kur Shtetet e Bashkuara zgjasin dorën në frymën e diplomacisë, nga Teherani marrin një grusht të shtrënguar”, thotë për Radion Evropa e Lirë Jason Brodsky, drejtor për politika në organizatën Të Bashkuar kundër Iranit.

“Shtetet e Bashkuara do të duhet ta përshkallëzojnë përgjigjen për t’i dërguar mesazh Republikës Islamike”, shton ai.

Mbyllja e Ngushticës së Hormuzit, përmes së cilës zakonisht kalon rreth një e pesta e furnizimit botëror me naftë, rrit ndjeshëm rrezikun e destabilizimit të mëtejshëm rajonal dhe, nëse bllokada vazhdon, mund të ketë pasoja të mëdha për tregjet ndërkombëtare të energjisë.

SHBA-ja dhe Irani shkëmbejnë sulme, rriten tensionet

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ndërmarrë një valë të re sulmesh ndaj Iranit të dielën në mbrëmje, duke vazhduar përshkallëzimin e përplasjeve ushtarake mes dy vendeve që kanë zgjatur prej disa ditësh.

Sipas mediave shtetërore iraniane, sulmet amerikane shkaktuan vdekjen e një personi në jugperëndim të Iranit, ndërsa katër të tjerë mbetën të plagosur, raposton BBC.

Vetëm pak orë pas sulmeve të reja amerikane, Garda Revolucionare Islamike e Iranit (IRGC) njoftoi se kishte kryer sulme me raketa ndaj bazave ushtarake amerikane në Kuvajt, Jordani dhe Bahrein.

Sipas BBC, deri tani nuk ka pasur konfirmim të pavarur nga autoritetet amerikane për këto pretendime.

Përshkallëzimi i tensioneve ka vënë në pikëpyetje të ardhmen e marrëveshjes së përkohshme mes ShBA-së dhe Iranit, e cila ishte nënshkruar në muajin qershor.

Ndërkohë, vazhdojnë deklaratat kontradiktore lidhur me statusin e Ngushticës së Hormuzit, një prej rrugëve detare më të rëndësishme për transportin global të naftës. Irani pretendon se e ka mbyllur ngushticën deri në një njoftim të dytë, ndërsa Shtetet e Bashkuara këmbëngulin se lundrimi në këtë korridor detar vazhdon normalisht.

Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) bëri të ditur se vala e fundit e sulmeve nisi rreth orës 17:00 me kohën lindore të SHBA-së. Sipas saj, objektivat përfshinin dhjetëra pozicione ushtarake iraniane, mes tyre sisteme të mbrojtjes ajrore, radarë bregdetarë, si dhe kapacitete për lëshimin e raketave dhe dronëve.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat