Kompania Megaspeed, e cila operon në sektorin e qendrave të të dhënave dhe ka lidhje biznesi me gjigantin teknologjik Nvidia, ka konfirmuar se Alice Huang, e dyshuar për spiunazh në favor të Kinës dhe e përfshirë në një skandal ndërkombëtar korporativ, është larguar nga kompania në gusht të vitit 2025.
Huang ndodhet në qendër të një çështjeje që ka tërhequr vëmendjen ndërkombëtare, pas dyshimeve për lidhje me inteligjencën kineze dhe pretendimeve për një marrëdhënie jashtëmartesore me ish-drejtorin ekzekutiv të Nvidia-s, Jensen Huang.
Megaspeed, e cila po përballet me shqyrtim për dyshimet se ka transferuar çipa të avancuar të Nvidia-s drejt kompanive kineze, ka nisur një hetim të brendshëm lidhur me skandalin, shkruan Euronews, transmeton "Bota sot".
Autoritetet amerikane të inteligjencës dyshojnë se Alice Huang ka pasur lidhje me Ministrinë e Sigurisë Shtetërore të Kinës dhe mund të jetë rekrutuar si aset informativ për këtë institucion.
Megjithatë, Ministria e Punëve të Brendshme e Singaporit ka sqaruar se Alice Huang nuk është hetuar për spiunazh. Në një deklaratë të publikuar më 12 nëntor, ministria bëri të ditur se hetimet ndaj saj kishin të bënin me vepra të dyshuara që lidhen me blerjen dhe eksportimin e serverëve, e jo me pretendimet për lidhje me inteligjencën kineze.
Megaspeed konfirmon largimin e Huang
Në një deklaratë zyrtare, kompania Megaspeed ka bërë të ditur se Alice Huang është larguar nga pozita e saj më 30 gusht 2025 dhe aktualisht nuk ka asnjë rol në kompani.
Ajo kishte shërbyer si aksionare kontrolluese e Megaspeed që nga marsi i vitit 2023.
Ndërkohë, autoritetet e Singaporit po vazhdojnë hetimet ndaj Megaspeed dhe gjashtë personave të tjerë. Kompania po shqyrtohet gjithashtu në Shtetet e Bashkuara për dyshime lidhur me shkeljen e kontrolleve të eksportit.
Sipas raportimeve mediatike, Megaspeed dyshohet se ka furnizuar Kinën me çipa të avancuar për inteligjencën artificiale, përmes një rrjeti kompanish fiktive dhe deklaratave të rreme. Këto pretendime ende nuk janë provuar dhe hetimet nga autoritetet e Singaporit janë në vazhdim.
Skandali përfshin edhe ish-drejtorin e Nvidia-s
Në këtë çështje është përfshirë edhe Jensen Huang, ish-drejtor ekzekutiv i Nvidia-s, i cili dyshohet se ka pasur një marrëdhënie jashtëmartesore me Alice Huang.
Më 8 nëntor, Jensen Huang pranoi publikisht se kishte pasur një lidhje jashtëmartesore, megjithëse nuk e përmendi Alice Huang me emër.
Pas publikimit të skandalit, Nvidia ka humbur rreth dy trilionë dollarë nga vlera e saj në treg, ndonëse lidhja e drejtpërdrejtë mes kësaj rënieje dhe raportimeve për skandalin mbetet e paqartë.
Sipas raportimeve, Alice Huang kishte ndikuar në thellimin e marrëdhënieve tregtare mes Nvidia-s dhe gjigantit kinez të tregtisë elektronike, Alibaba.
Nvidia, nga ana tjetër, ka mbrojtur aktivitetin e saj afarist. Në një deklaratë të publikuar javën e kaluar, bordi i kompanisë tha se nuk kishte arsye të besonte se siguria kombëtare e SHBA-së apo sekretet konfidenciale tregtare të Nvidia-s ishin komprometuar.
E kaluara profesionale e Alice Huang
Alice Huang, ish-gazetare e mediave shtetërore kineze, ka punuar më parë në HSBC Hong Kong, CITIC Securities dhe Hexi Capital, ku kishte njohur bashkëshortin e saj, Kang Wei.
Sipas raportimeve, Wei më vonë e kishte prezantuar atë me ish-drejtorin ekzekutiv të Nvidia-s, Jensen Huang.
Ndërkohë, Jensen Huang është përballur edhe me pretendime të tjera për marrëdhënie jashtëmartesore, duke e zgjeruar më tej vëmendjen mediatike rreth skandalit.