Cavendish rikthehet te ekipi i famshëm belg

Çiklizëm

Cavendish rikthehet te ekipi i famshëm belg

Më: 6 dhjetor 2020 Në ora: 11:46
Cavendish rikthehet te ekipi i famshëm belg

Mark Cavendish rikthehet te ekipi i famshëm Quick Step. Sprinteri i mirënjohur britanik arriti marrëveshjen me drejtuesit e skuadrës belge, kështu që 35-vjeçarin nga Isle of Man do ta shikojmë që të garojë sezonin e ardhshëm pikërisht për ekipin Deceuninck – Quick – Step. Sprinteri veteran ka garuar me fanellën e skuadrës Omega Pharma – Quick Step nga 2013 deri në vitin 2015, ku ish-kampioni i botës kaloi tre vjet shumë të suksesshëm.

“The Manxman”, që është nofka e tij për shkak të origjinës nga një grup etnik kelt kthehet kështu pas plot 5 vjetësh për të mbajtur ngjyrat e skuadrës belge, e cila ka bërë të ditur se do të nxjerrë në dritë veshjen e re për vitin 2021 vetëm pas pak ditësh. Marc Cavendish konsiderohet si një ndër sprinterët më të mëdhenj në historinë e këtij sporti.

35-vjecari garon si çiklist profesionist që nga viti 2005 dhe në 15 vjet karrierë Cavendish ia ka dalë mbanë për të fituar plot 48 etapa në Grand Tour, pra në tre aktivitetet më të rëndësishme të këtij sporti, Tour, Giro dhe Vuelta, duke u pozicionuar në vendin e tretë në listën e çiklistëve më të suksesshëm në histori përsa i përket garave të fituara pikërisht në Grand Tour, madje 30 prej tyre Cav i ka regjistruar në Grande Boucle, pra kompeticionin absolutisht më të lavdishëm çiklistik në rruzull.

Pas përfundimit të sezonit në vitin 2015 Mark Cavendish firmosi për Team Dimension Data dhe ciklisti britanik garoi për katër sezone me ekipin nga Afrika e Jugut, ndërsa gjatë vitit 2020 sprinteri i famshëm preferoi të transferohet në radhët e skuadrës së sponsorizuar nga Qeveria e Bahreinit dhe Kompania e mirënjohur britanike e prodhimit të makinave McLaren, që u quajt Team Bahrein McLaren. Vitet kalojnë edhe për të dhe Cavendish duket në perëndimin e karrierës, teksa nuk fiton një garë që nga shkurti i vitit 2018, kur triumfoi në etapën e tretë të Turit të Dubait.

Cavendish i cili gjatë muajit tetor pas etapës Gent – Wevelgem shpjegoi se ajo mund të ishte etapa e tij e fundit në karrierë dhe mund të tërhiqej përfundimisht nga ky sport deklaroi se ndihej vërtet shumë i kënaqur, që do t’i bashkohej sërish skuadrës së mirënjohur belge. Cav rrëfeu se ruan kujtime të bukura dhe shumë të veçanta nga tre sezonet e kaluara në radhët e ekipit Omega Pharma – Quick Step dhe për të është njësoj sikur të kthehet në shtëpi. Ai foli me respekt për pjesëtarët e stafit, që kanë mbetur pak a shumë të njëjtë dhe Cavendish me krenari këmbënguli për ta konsideruar përsëri si një ndër periudhat më të arta të karrierës së tij të lavdishme.

Kampioni i botës i vitit 2011 numëron në Grand Tour gjithashtu edhe 15 etapa të fituara në Giro d’Italia dhe 3 në Vuelta-n e Spanjës. Mark Cavendish vuajti ndjeshëm sivjet në radhët e ekipit Bahrein – MClaren, ndërsa më herët ai u prek nga virusi Epstein – Barr. Në Tour de France Cavendish është vetëm 4 etapa larg çiklistit legjendar Eddy Merckx, që numëron 34 fitore ne Grande Boucle.

Nga viti 2013 deri në 2015 Mark Cavendish fitoi plot 44 etapa gjithsej, 8 prej të cilave pikërisht në Grand Tour, sidoqoftë këtë radhë çiklisti britanik do të ketë goxha konkurrencë në skuadër, duke patur parasysh që në gjirin e ekipit belg Deceuninck – Quick – Step bëjnë pjesë gjithashtu edhe çiklistë të tjerë me emër si 28-vjeçari francez Julian Alaphilippe dhe 20-vjeçari belg Remco Evenepoel.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat