Sërish Mads Pedersen. Danezi i skuadrës Lidl-Trek, mbajtës i fanellës ciklaminë si kryesues në renditjen e pikëve, ka shënuar suksesin e tij të katërt në këtë edicion të Xhiros së Italisë. 29-vjeçari triumfoi dje në etapën e 13-të, Rovigo-Vicenza, garë me distancë 180 kilometra.
Pedersen tregoi edhe një herë muskujt, duke regjistruar kohën 3:50:24, për të mposhtur në sprintin final belgun Wout Van Aert (Visma Lease a Bike) dhe fanellën rozë, maksikanin Isaac Del Toro (UAE) me 2 sekonda.
Gara u karakterizua menjëherë nga një grup i shkëputur që u formua në kilometrat e para, i përbërë nga nëntë çiklistë. Luca Mozzato (Arkéa – B&B Hotels), Fran Miholjeviæ (Bahrein – Victorious), Dries De Bondt (Decathlon AG2R La Mondiale Team), Sven Erik Bystrøm (Groupama – FDJ), Lorenzo Germani (Groupama – FDJ), Lorenzo Milesi (Movistar Team), Chris Hamilton (Team Picnic PostNL), Mattia Bais (Team Polti VisitMalta) dhe Filippo Magli (VF Group – Bardiani CSF – Faizanè). Megjithatë, kryesuesit nuk kishin hapësirë me grupin e udhëhequr nga çiklistët e Q36.5 Pro Cycling Team dhe Team Visma që nuk u kanë dhënë më shumë se dy minuta avantazh.
Përgjatë ngjitjes së San Giovanni in Monte, Lorenzo Germani u përpoq të shkëputej, por më pas formacionet çiklistëve për klasifikim të përgjithshëm, të ekipit INEOS Grenadiers, përshpejtuan dhe kështu arritën të kapnin kryesuesit pak më pak se 50 kilometra nga vija e finishit. Veprimi i ekipit anglez kapi në befas çiklistë si Juan Ayuso (UAE Team Emitares), Simon Yates (Team Visma Lease a Bike), Antonio Tiberi (Bahrain-Victorius) dhe Giulio Ciccone (Lidl-Trek), duke u detyruar të harxhonin energji për t’u rikthyer me më të mirët.
Një betejë e fortë e ekipore, me 18 çiklistë të përfshirë në fund në sprintin final, aty ku edhe një herë spikati Pedersen, i cili mbërriti i pari në finish, duke siguruar “poker” fitores në edicionin e 108-të të Xhiros së Italisë. Në renditjen e përgjithshme, Isaac Del Tor fiton edhe më shumë terren, duke u shkëputur me 38 sekonda nga shoku i skuadrës Juan Ayuso dhe me 1 minutë e 18 sekonda nga italiani Antonio Tiberi (Bahrain-Victorious).
PROGRAMI – Sot do të jetë radha për etapën e 14-të, Treviso-Nova Gorica (195km), me eventin që do të futet në Slloveni. Një garë me dy yje shkallë vështirësie, ku edhe një herë tjetër do të thirren në apel sprintierët. Kujtojmë që për herë të parë në histori Xhiro e Italisë nisi me tri etapat e para nga Shqipëria. Edicioni i 108- të ka gjithsej 21 etapa dhe do të mbyllet më 1 qershor në Romë.