Rrethi i 82-të Çiklistik ka zhvilluar dje etapën e parafundit dhe më të rëndësishmen e të gjithë garës, etapën e katërt Vlorë-Vlorë, me distancë 142.7 kilometra. Një garë shumë e fortë malore, me itinerar të njëjtë si etapa e tretë e Xhiros së Italisë 2025.
Fitues i kësaj etape u shpall britaniku Callum Macleod.
Çiklisti i skuadrës Schils-Doltcini regjistroi kohën 3 orë, 43 minuta e 48 sekonda, duke triumfuar në sprintin final ndaj holandezit Jelle Boonstra (Wielerploeg Groot Amsterdam) dhe italianit Alessio Gasparini (P.A.S. Ioanninon – P&I). Ndërkohë,
kjo garë thuajse i ka mbyllur përfundimisht edhe llogaritë e Rrethit të 82-të Çiklistik, teksa holandezi Tom Jonkmans ka prenotuar suksesin e këtij edicioni. Jonkmans dje e mbylli i katërti me 2 sekonda nga kreu, një rezultat i mjaftueshëm për të që të blindojë fanellën e verdhë, kjo pasi ndjekësi i tij më i afërt, italiani Gebriele de Fabritiis, i cili garon për Shqipërinë, mbërriti në finish me 2 minuta e 9 sekonda nga kreu.
Ndërkohë, në këtë etapë malore vuajtën përgjithësisht të gjithë çiklistët e Kombëtares kuqezi, të cilët e patën të vështirë të mbanin ritmin e kryesuesve.
Tashmë holandezi Jonkmans marshon i sigurt drejt suksesit në Rrethin Çiklistik, pasi regjistron 3 minuta e 15 sekonda avantazh nga De Fabritiis në klasifikimin e përgjithshëm. Gjithsesi, 20-vjeçari De Fabritiis ka zhvilluar një paraqitje mjaft të mirë, duke spikatur si i riu më i mirë i këtij edicioni.
Sot do të jetë radha për etapën e pestë dhe të fundit, Vlorë-Fier, me distancë 117.8 kilometra, një garë fushore që nuk pritet të ndryshojë shumë në klasifikimin e përgjithshëm.
Me mbërritjen në qytetin e Fierit, do të mbahet edhe ceremonia e çmimeve, në të cilën do të kurorëzohen kampionët, duke nisur nga fanella e verdhë e renditjes së përgjithshme, për të vijuar me radhë me maloristët, me të rinjtë, me klasifikimin e pikëve dhe me atë ekipor. Kujtojmë që prej disa vitesh Rrethi Çiklistik i Shqipërisë është zyrtarisht pjesë e kalanderit ndërkombëtar të garave të çiklizmit.