Pas Xhiros së Italisë dhe Turit të Francës, tashmë po afrohet edhe kompeticioni i tretë dhe i fundit madhor sezonal, Vuelta e Spanjës 2025, një garë që do të zhvillohet me një formacion të nivelit të lartë.
Me mungesën e Tadej Pogacar në vijën e nisjes, lufta për fanellën e kuqe pritet të jetë intensive. Jonas Vingegaard futet si favoriti kryesor, por nuk do të jetë e lehtë, pasi disa ekipe mbërrijnë me çiklistë të fortë dhe ambicie të qarta në Spanjë.
FAVORITËT PËR VUELTËN Midis ekipeve, “UAE Emirates” dallohet për kontingjentin e saj. Joao Almeida do të marrë rolin e kapitenit, i mbështetur nga një njësi e fuqishme, e përbërë nga Ayuso, Grobschartner, Oliveira, Vine, Novak, Bjerg dhe Soler.
Ndonëse udhëheqja i është besuar portugezit Almeida, Ayuso pritet me shumë interes në eventin e shtëpisë, ndërsa si gjithmonë, do të jetë rruga që i përcakton rolet. Nga ana tjetër, skuadra “Visma Lease a Bike” mbërrin me njeriun që duhet mposhtur. Vingegaard nuk pati një vit ideal, por vendi i tij i dytë në Turin e Francës e bën të qartë se niveli i tij është ende mbi mesataren. Me një ekip mbështetës që përfshin Sepp Kuss dhe Matteo Jorgenson, ekipi holandez ka shumë arsye për të shpresuar për një epërsi kontrolluese në garën deri në Madrid.
Movistar po i beson përsëri Enric Mas, një fytyrë e njohur dhe një garues i rregullt në “La Vuelta”. Carlos Canal dhe Nairo Quintana mund të jenë përkrah tij, ndërsa ekipi pret që të konfirmohet tetëshja e fundit. Gjithashtu vlen të përmendet edhe Mikel Landa, i cili pas rrëzimit në dishezën e Freskut në Tiranë, gjatë etapës së parë të Xhiros së Italisë 2025, tashmë është rikuperuar dhe do të jetë gati për Vueltën me ekipin e tij Soudal–Quick-Step. Richard Carapaz po shfaqet gjithashtu si një emër i fortë. Ekuadoriani iu afrua fitores në Xhiro dhe tregoi se ende mund të garojë në nivelin më të lartë. Një infeksion e mbajti jashtë Turit të Francës, por pushimi mund t’i ketë shërbyer për mirë përpara raundit spanjoll.
Skuadra EF Education– EasyPost ka arritur të lëvizë me inteligjencë këtë sezon dhe po hyn në garë me një strategji të rafinuar. Nga ana e saj, Lidl-Trek synon klasifikimin me pikë me Mads Pedersen, i ndjekur nga Giulio Ciçone dhe Tao Geoghegan Hart mes çiklistëve kryesorë. Emra të tjerë për t’u mbajtur nën vëzhgim janë edhe Jai Hindley (Red Bull BORA – hansgrohe), Felix Gall (Decathlon AG2R), Antonio Tiberi ( Bahrain Victorious), David Gaudu (Groupama-FDJ), Derek Gee (Israel-Premier Tech), Thomas Pidcock (Q36.5), Egan Bernal dhe Filippo Ganna (Ineos).
Edhe pse listat përfundimtare ende nuk janë finalizuar, edicioni i vitit 2025 tashmë ka një formacion të mbushur me yje. “LaVuelta” fillon në Itali, nga Torino më 23 gusht dhe të gjithë treguesit janë se do të përjetohen tri javë me nivel shumë të lartë çiklizmi.